A është gati të rikthehet grupi i Vishegradit? | Evropa | DW | 25.10.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

A është gati të rikthehet grupi i Vishegradit?

Dallimet mbi politikën ruse kanë ndarë katër shtetet e grupit të Vishegradit. Por Sllovakia tani dëshiron të ringjallë aleancën e Evropës Qendrore – pavarësisht nga të gjitha tensionet mes anëtarëve të saj.

Takimi i presidentëve të shteteve të Vishegradit në Bratislavë më 11.10.2022

Takimi i presidentëve të shteteve të Vishegradit në Bratislavë më 11.10.2022

A do të kthehet Grupi i Vishegradit (V4) në skenën e politikës ndërkombëtare? Ky grupim jozyrtar i katër shteteve të Evropës Qendrore takohej rregullisht që nga krijimi i tij në vitin 1991. Pas një pushimi disa mujor, në fund të shtatorit 2022 u zhvillua një takim i Ministrave të Mbrojtjes të Republikës Çeke, Sllovakisë, Polonisë dhe Hungarisë. Në fillim të tetorit, presidentët e V4 madje u takuan në një samit në Bratislavë, kryeqyteti sllovak.

Pavarësisht nga kjo, është e hapur nëse katër vendet e Vishegradit do të jenë në gjendje të ringjallin bashkëpunimin e tyre të ngushtë të viteve të para. Në vitin 2016, ishte mbi të gjitha refuzimi i përbashkët i një politike evropiane për migracionin dhe azilin që i bashkoi. Por më pas, grupi i Vishegradit rrezikoi të zhytej në parëndësi për shkak të dallimeve në rritje midis qeverive të shteteve anëtare të tij.

Agresioni rus paralizoi Vishegradin

Kriza më e rëndësishme deri sot brenda Grupit të Katërve u shkaktua nga Hungaria në mars 2022, kur ajo refuzoi të mbështeste qartë Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus. Qeveria e Budapestit vazhdoi kontaktet e saj me Moskën dhe ndaloi transportin e armëve perëndimore që synonin të mbështesnin Ukrainën në territorin hungarez. "Kjo nuk është lufta jonë," tha kryeministri Viktor Orban në korrik në një fjalim në një kongres të përfaqësuesve të pakicave hungareze në qytetin rumun Baile Tusnad. Ai tha se Ukraina nuk mund ta fitonte kurrë luftën me Rusinë dhe se sanksionet e BE kundër Moskës ishin "një plumb në gjurin e saj".

Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki

Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki

Tre vendet e tjera të V4 u sollën krejt ndryshe: ata ofruan ndihmë shumë të rëndësishme ushtarake dhe humanitare për Ukrainën. Polonia dhe Republika Çeke ishin vendet e para të NATO-s që furnizuan me tanke dhe pajisje të rënda ushtarake qeverinë e Kievit, Sllovakia madje dorëzoi sistemin e mbrojtjes ajrore S300. Në raport me popullsinë e tyre, Polonia dhe Republika Çeke pranuan numrin më të madh të refugjatëve ukrainas të luftës, ndërsa Hungaria pothuajse asnjë. Pas fitores së qartë të partisë Fidesz të Orbanit në zgjedhjet legjislative të prillit 2022, shumë vëzhgues politikë parashikuan fundin e V4. "Rezultati i zgjedhjeve hungareze do të thotë fundi de fakto i grupit të Vishegradit ose ndalimi afatgjatë i tij," i tha radios çeke, për shembull, politologu Josef Mlejnek nga Universiteti Charles në Pragë.

Fillim i ri në Bratislavë

Sllovakia, e cila mban presidencën e Vishegradit deri në korrik 2023, megjithatë është e vendosur të riaktivizojë V4. "Vishegradi është dhe do të mbetet. Ne nuk duam ta shpërndajmë atë," tha për DW Ministri i Jashtëm sllovak Rastislav Kacer, përpara se të shtonte: "Ne duam të punojmë në çështjet ku mund të biem dakord për një linjë të përbashkët. Le të mos e përdorim V4 për gjëra për të cilat nuk biem dakord”. Sipas tij, është e kotë të përpunohen para samiteve evropiane, siç ka ndodhur vitet e fundit, qëndrime për të cilat nuk ka konsensus mes vendeve të Vishegradit. Kacer njoftoi se Sllovakia do të thërrasë një samit të krerëve të qeverive të V4 dhe një takim të ministrave të jashtëm në javët e ardhshme.

Presidentja sllovake Zuzana Caputova, 11.10.2022

Presidentja sllovake Zuzana Caputova, 11.10.2022

Samiti i Presidentëve të Vishegradit, i mbajtur më 11 tetor 2022 në Bratislavë, ishte një mundësi e mirë për të "përmbledhur edhe një herë atë që na bashkon dhe ku kemi dallime", tha presidentja sllovake Zuzana Caputova. "Ne kemi bashkëpunim të pasur në fushën ekonomike dhe kulturore. Aty ku nuk pajtohemi, jam e lumtur që kemi një dialog të hapur, të sinqertë në të cilin mund të biem dakord."

Homologia e saj hungareze Katalin Novak shtoi: "Në thelb pajtohem. Ne dënojmë sulmin ndaj një shteti sovran, dënojmë aneksimin dhe dënojmë sulmet ndaj civilëve. Këto janë masa të papranueshme, siç është kërcënimi i një konflikti bërthamor." Edhe pse Hungaria ka rezerva për sanksionet ekonomike antiruse, ajo në fund të fundit mbështet të gjitha paketat e sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse. "Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë," shtoi Novak.

Takimi i presidentëve të Grupit të Vishegradit në Bratislavë më 11.10.2022 (nga e majta në të djathtë): Zuzana Caputova (Sllovaki), Andrzej Duda (Poloni), Katalin Novak (Hungari), Milos Zeman (Republika Çeke).

Takimi i presidentëve të Grupit të Vishegradit në Bratislavë më 11.10.2022 (nga e majta në të djathtë): Zuzana Caputova (Sllovaki), Andrzej Duda (Poloni), Katalin Novak (Hungari), Milos Zeman (Republika Çeke).

Kontradiktat e mëdha vazhdojnë

Megjithatë, shumica e vëzhguesve dhe diplomatëve nga vendet e Vishegradit pajtohen se V4 sot ka pak interesa të përbashkëta dhe se një kthim në bashkëpunimin e ngushtë të viteve të mëparshme nuk ka gjasa. "Kur miratuan paketën e parë energjetike të BE, kishin rezerva Polonia dhe Sllovakia, dhe kur miratuan paketën e dytë, Polonia dhe Hungaria”, tha një diplomat i rangut të lartë të Evropës Qendrore në Bruksel.

Vit Dostal i Shoqatës Çeke për Çështjet Ndërkombëtare nuk e sheh Samitin e Presidentëve të V4 si një përparim për ringjalljen e Grupit të Vishegradit. "Nuk është një pikë kthese”, tha ai në një intervistë për DW. Takimi i presidentëve nuk është realisht i rëndësishëm, takimi i kryeministrave i planifikuar për javët në vijim, nga ana tjetër, duhet të jetë vendimtar. Deri atëherë, do të ishte e parakohshme të flitej për një fillim të ri, sipas Dostal.

Çtoksifikimi i Vishegradit

Dështimi për të respektuar sundimin e ligjit dhe lirinë e medias në Hungari dhe Poloni është një burim i përsëritur konflikti brenda grupit të Vishegradit. As Republika Çeke dhe as Sllovakia nuk duan të qëndrojnë në anën e Varshavës dhe Budapestit për këtë çështje dhe të krijojnë me ta një platformë rezistence kundër Brukselit. "Ne duam të çtoksifikojmë Vishegradin”, tha për DW ministri i Jashtëm sllovak Kacer. Sipas tij, aleanca nuk duhet të bëhet një instrument që ndan Evropën, por të kontribuojë në bashkimin evropian. Ne duam të kërkojmë zgjidhje që e bëjnë Evropën më të fortë”.