1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Várhelyi: Pa Parlament të plotë, nuk mund të ecet drejt BE

5 Maj 2021

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Várhelyi ndodhet në Tiranë për vaksinat falas anti-Covid nga BE. Ai tha se pa një parlament të plotë nuk mund të ecet drejt BE.

https://p.dw.com/p/3szxq
Albanien Olivér Várhelyi besucht Tirana
Fotografi: Ani Ruci/DW

Komisioneri i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi, ka mbërritur në paraditen e së mërkurës, (05.05.)  në Tiranë, në kuadër të një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) të nisur të martën (04.05.) me Maqedoninë e Veriut .

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, të zhvilluar në aeroportin "Nënë Tereza” në Rinas, komisioneri Várhelyi tha se "ndodhet në Tiranë për të dorëzuar pjesën e parë nga 145 mijë vaksinat Pfizer-BioNtech, të financuara 100 përqind nga BE, që Shqipëria të dalë nga pandemia Covid-19”.

Kjo sasi është kuota për Shqipërinë nga totali prej 651.000 vaksina Pfizer-BioNtech, që BE do t'i japë falas edhe 5 vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor: Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë. Ndërkohë në gjashtë vendet e rajonit kanë hyrë me herët vaksina nga Kina dhe Rusia.

"Nuk ka qenë e lehtë, por po vijmë në momentin e duhur, në një moment kyç kur duhet të dalim nga kjo pandemi duke promovuar vaksinat dhe duke i shpërndarë to. Ne e kemi ndihmuar Shqipërinë që në fillimin e pandemisë,” theksoi komisioneri  Várhelyi duke sjellë në vëmendje ndihmën e BE me maska,ambulanca, njësi reanimacioni, përmirësim të  spitaleve dhe ndihmë për buxhetin e shtetit.

651.000 vaksinat Pfizer-BioNtech do të shërndahen në të gjitha vendet e BP brenda verës 2021. Ato pritet të përshpejtojnë vaksinimin e popullsive në vendet e BP, pasi programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë,  ku qeveritë e BP kanë planifikuar kryesisht kryerjen e vaksinimit po ecën ngadalë. BE është kontribuesi kryesor i këtij programi me 2,5 miliardë euro. 

"Shpresoj shumë që me 651.000 dozat po çelim lëvrimin e dozave të tjera, pasi po punojmë për të sjellë edhe ato” tha komisioneri Várhelyi në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama. 

Olivér Várhelyi : Shpresa për një verë normale

Komisioneri Olivér Várhelyi u kushtoi vëmendje edhe  udhëtimeve drejt BE nga BP.  Ai tha se ”një grup komisionerësh kanë propozuar që në BE të lejohen udhëtimet e lirshme edhe nga Ballkani Perëndimor”.

"Është sugjeruar që shtetet anëtare të BE të hapin kufijtë dhe lejojnë shtetet e tjera të hyjnë në BE. Po punojmë që vendet që kanë një situatë të mirë epidemiologjike, të kenë mundësi që të udhëtojnë si edhe ata qytetarë që janë vaksinuar. Shpresoj që në këtë verë të kemi një verë normale”, tha Komisioneri.

Kryeministri Edi Rama tha në konferencën për shtyp që "Shqipëria nuk do të krijojë asnjë pengesë për sezonin turistik”.

"Shqipëria nuk do të vendosë asnjë kusht apo pengesë për të gjithë ata që duan të vijnë për këtë sezon turistik. Po ndjek  me shumë kënaqësi procesin e pronotimeve dhe kërkesave që rriten nga vende të tjera,” tha ai.

Albanien Olivér Várhelyi besucht Tirana
Fotografi: Ani Ruci/DW

Pa një parlament të plotë- nuk mund të ecet drejt BE

Ardhja në Tiranë e komisionerit Olivér Várhelyi përkon në kohë me mospranimin nga opozita, e kryesuar nga PD, të  rezultatit të zgjedhjeve parlamentare 2021. Sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve këto zgjedhje i ka fituar Partia Socialiste duke i dhënë kryeministrit Rama mandatitn e tretë qeverisës. Lulzim Basha, lideri i  PD , e quajti votimin më 25 prill,” një masakër elektorale”. PD ka deklaruar se "po mbledh  fakte manipulimi” në 12 qarqet elektorale të Shqipërisë.

Kjo  situatë ende e paqartë, kur nuk dihet nëse 59 deputetët e opozitës, që kanë fituar  Zgjedhjet Parlamentare 2021, do të marrin ose jo pjesë në parlamentin e ri kohë përkon në kohë edhe me shpresat e Shqipërisë për zhvillimin brenda qershorit të këtij viti, të Konferencës së parë Ndër – Ministeriale të BE që shënon edhe fillimin e procesit për hapjen reale të negociatave të anëtarësimit.

Komisioneri Várhelyi theksoi se "Pa një parlament të plotë nuk është e mundur të ecet drejt BE”.

"Duam të shohim parregullsitë apo blerjen e mundshme të votave, por pas këtij procesi na duhen rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 25 prillit, pas procesit të apelimeve. Na duhet që Parlamenti i ri të nisë punë shumë shpejt për reformat e BE. Pa një Kuvend të plotë është e pamundur të ecet përpara dhe ka ende punë për të bërë,” theksoi Várhelyi të mërkurën në Tiranë.

Një ditë më parë, në Shkup, Várhelyi tha se nëse nuk nuk zgjidhen mosmarrveshjet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut , nuk përjashtohet mundësia që Konferenca e parë Ndër-Ministeriale e BE të zhvillohet edhe vetëm për Shqipërinë.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, tha të hënën, (03.05.) në Berlin se Gjermania nuk është për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e anëtarësimit në BE.

Kryeministri Rama përsëriti në konferencën e përbashkët për shtyp me komisionerin Várhelyi ftesën drejtuar PD për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe bashkëpunuar.

"PS do ta braktisë llogoren e asaj lufte të vjetër, bajate, banale, krejt të panevojshme për vendin. Ne do të fokusohemi në punët e mëdha për të cilat jemi votuar dhe do e mbajmë dorën të shtrirë pa asnjë ndërprerje për PD, që është e mirëpritur kurdoqoftë dhe sidoqoftë të kthehet me këmbë në tokë, për të hapur një proces diskutimi krejtësisht pa asnjë kusht për mënyrën se si mund të kontribuojmë bashkarisht për të shtyrë përpara punët dhe integrimin në BE” tha të mërkurën kryeministri Rama.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana