Viktima të harruara të Perdes së Hekurt | Gjermania | DW | 15.12.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Viktima të harruara të Perdes së Hekurt

Si të arratisurit nga RDGJ-ja u vranë në kufirin bullgar

Pamje nga vrasja e njeriut te pare ne Murin e Berlinit

Pamje nga vrasja e njeriut te pare ne Murin e Berlinit

Zbardhja e së kaluarës dhe përballja me sundimin e dhunës totalitariste është një proces i papërfunduar në Bullgari. Megjithatë për një vend që në vitin 2007 bëhet anëtar i Bashkimit Evropian kjo është absolutisht e domosdoshme, mendon politologu berlinez Stefan Appelius. Docenti privat për shkencat politike në Universitetin Carl von Ossietzky në Oldenburg ka dhënë për një vit mësim në Universitetin e Sofiës. Kohën në Bullgari ai e ka shfrytëzuar edhe për kërkime.

Këto kërkime kanë nxjerrë ndër të tjera se në përpjekjen për tu arratisur nga Bullgaria në Perëndim janë vrarë me armë zjarri shumë më tepër shtetas gjermanolindorë sesa mendohej deri tani. Stefan Appelius:

"Kur fillova me kërkimet ne në Gjermani njihnim vetëm emrat e tetë personave me shtetësi gjermane të vrarë në Bullgari. Nisa pastaj me kërkimet hap pas hapi. Kjo ishte një punë e vështirë dhe hasa rezistencë të shumëllojshme në Bullgari. Brenda një kohe relativisht të shkurtër numri është rritur ndërkohë në 15 shtetas gjermanë."

Pas një interviste në televizionin gjerman në muajin nëntor ai ka marrë të dhëna për të paktën një dyzinë të vdekurish më shumë, të cilat duhen verifikuar tani. Për Appelius-in ky është një kapitull i errët e i trishtueshëm, krejtësisht i panjohur edhe në Gjermani. Rastet e ditura përbëjnë vetëm majën e ajsbergut, thotë Stefan Appelius.

"Gjërat qëndrojnë kështu: veçanërisht ditët e fundit kam marrë informacione nga Bullgaria sipas të cilave në një fazë të caktuar në vitet shtatëdhjetë është ndjekur kjo praktikë: shtetas tashmë të arrestuar të Republikës Demokratike Gjermane, të cilët gjendeshin në zonën e së ashtuquajturës roje kufitare janë ekzekutuar menjëherë në zonën kufitare dhe janë groposur po aty pas konsultimit me telefon me organet që gjendeshin ndoshta në Gjermaninë Lindore."

Këta njerëz me gjasa nuk figurojnë si viktima në Gjermani, por si të zhdukur. Për këtë arsye Stefan Appelius flet për majën e ajsbergut. Ai planifikon t'i drejtohet popullsisë bullgare nëpërmjet medias duke kërkuar dëshmitarë, të cilët mund të jepnin të dhëna mbi ngjarjet.

Në rastet e groposjes së menjëhershme të të vrarëve në zonën kufitare familjarët në Gjermani nuk kanë mësuar asgjë për vrasjen e të afërmve në Bullgari. Deri në mes të viteve shtatëdhjetë ka pasur edhe raste kur shtetas gjermanolindorë janë vrarë, u është bërë më pas autopsia dhe janë varrosur zakonisht në mënyrë anonime në varreza në Bullgari.

Ka pasur një urdhër, sipas të cilit kufomat e të vrarëve në këtë fazë nuk lejohej të ktheheshin në Gjermaninë Lindore. Kjo ka qenë një tragjedi e madhe për familjet e viktimave. Vetëm në fillim të viteve tetëdhjetë filluan të ktheheshin dhe më pas të varroseshin në RDGJ shtetasit gjermanolindorë të vrarë në Bullgari.

Appelius ka ndeshur edhe në fakte të tjera të habitshme në Bullgari. Si i vrari i fundit konsiderohet një 20 vjeçar, i cili u përpoq të kalonte Murin e Berlinit dhe u vra në këtë përpjekje në kanalin Teltow më 3 shkurt 1989. Vrasësit u dënuan me burg, dhe vendimi u kthye më pas në liri me kusht. Appelius pretendon se kjo nuk ka qenë vrasja e fundit për arratisje:

"Kërkimet e mia kanë nxjerrë ndër të tjera se i vrari i fundit i Murit të Berlinit, të cilin këtu në Gjermani e kemi shënuar më 3 shkurt 1989, nuk është vrarë me armë zjarri në Gjermani, por në Bullgari. Ai vdiq më 7 korrik 1989 në kufirin bullgaro-grek."

Mbi kërkimet e tij Stefan Appelius do të shkruaj një libër. Ky do të mbajë titullin "Vdekje në Bullgari - viktimat e harruara të Perdes së Hekurt". Në të përveç rasteve dhe fateve të shtetasve të prekur gjermanolindorë dhe shumë fotografive e dokumentave do të ketë edhe raporte të të mbijetuarve, të cilët për shembull pas arrestimit u burgosën në të shumtën e rasteve në Sofie apo qytete të tjera, përpara se të ktheheshin me avionë në RDGJ për tu dënuar më pas me burg.

  • Data 15.12.2006
  • Autor Emilyan Lilov
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqyI
  • Data 15.12.2006
  • Autor Emilyan Lilov
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqyI