Vendet e BE-së duan të pranojnë migrantët e ″Open Arms″ | Evropa | DW | 16.08.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Vendet e BE-së duan të pranojnë migrantët e "Open Arms"

Prej dy javësh ndodhet e bllokuar në Mesdhe anija private e shpëtimit "Open Arms", e cila mban gati 150 migrantë në bord. Tani Gjermania dhe pesë vende të tjera të BE-së janë shprehur të gatshme t'i pranojnë këta njerëz.

Gjashtë vende europiane duan të pranojnë migrantët që ndodhen në bordin e anijes private të shpëtimit "Open Arms". Franca, Gjermania, Rumania, Portugalia, Spanja dhe Luksemburgu kanë shprehur gatishmërinë, për t'i pranuar ato, shkruan kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte në një letër postuar në Facebook, që ia adresonte ministrit të tij të Brendshëm Matteo Salvini.

Edhe qeveria e Spanjës njoftoi, se është e gatshme të pranojë refugjatët me kusht, që kjo të jetë një "zgjidhje e përbashkët europiane" për shpërndarjen e 147 vetëve në disa vende të BE-së. BE-ja duhet t'i përballojë e bashkuar sfidat që dalin prej migracionit.

Anija e organizatës spanjolle "Proactiva Open Arms" ndodhet direkt para brigjeve të ishullit italian Lampedusa, por nuk lejohet të ankorojë në port. Migrantët janë bllokuar që prej dy javësh na anije. Qëkurse në Itali drejton qeveria populiste e përbërë nga Lega e djathtë nën Matteo Salvinin dhe lëvizja Pesë Yjet, anijeve të shpëtimit u është ndaluar hyrja në portet italiane.

Fjalë të ashpra në adresë të ministrit të Brendshëm Salvini

Edhe anijes "Open Arms" iu ndalua hyrja në ujërat territoriale italiane fillimisht përmes dekretit. Të mërkurën (14.08) një gjykatë italiane e rrëzoi këtë dekret. Pas vendimit gjyqësor, Salvini nënshkroi një tjetër dekret, për ta ndaluar anijen "Open Arms". Që ky dekret të hyjë në fuqi ai duhet të nënshkruhet edhe nga ministrja e Mbrojtjes Elisabetta Trenta, por kjo e refuzon nënshkrimin e dekretit.

Conte e kritikoi Salvinin në letrën e tij duke theksuar, se ai insiston tek tema e migracionit dhe e redukton atë vetëm tek formula e "porteve të mbyllura" - për të fituar pikë si politikan. "Nese ne duam vërtetë të mbrojmë 'interesat tona' kombëtare, nuk mund të kufizohemi vetëm tek pozicionet e moslëshimit absolut", deklaron Conte. Sfondi për këto fjalë të qarta të kryeministrit pa parti është, se Salvini para një jave e anulloi koalicionin qeverisës duke e futur vendin në krizë politike. Salvini kërkon zgjedhje të reja.

 

 

rku/ (dpa, afp, rtr)