1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Të mos lejojmë që Ukraina të dështojë”

19 Mars 2024

SHBA dhe Gjermania kanë premtuar më shumë ndihmë për Ukrainën. Ministri i Mbrojtjes Pistorius premtoi municione dhe automjete. Homologu i tij amerikan, Austin, theksoi se Ukraina nuk do të lejohet të dështojë.

https://p.dw.com/p/4duLR
Boris Pistorius, gjenerali Charles Q. Brown, Lloyd Austin dhe Rustem Umjerow, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës ne tryeze
Boris Pistorius, gjenerali Charles Q. Brown, Lloyd Austin dhe Rustem Umjerow, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës Fotografi: Michael Probst/AP/picture alliance

Vendosmëria e Ukrainës për të refuzuar luftën e agresionit rus mbetet e paprekur. Megjithatë, situata ushtarake është e tensionuar. Aleatët e Kievit tani kanë konfirmuar mbështetjen e mëtejshme në një takim në Ramstein. Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius njoftoi në të një paketë të re ndihme nga Gjermania, me vlerë 500 milionë euro. Kjo përfshin municion për 10.000 të shtëna nga rezervat e Bundeswehr-it, tha Pistorius në takimin e Grupit Ramstein. Ai tha se dërgesat do të fillonin menjëherë. Gjermania do të mbulojë gjithashtu koston e municionit për 180.000 të shtëna, në kuadër të iniciativës çeke në vazhdim. Dorëzimi do të bëhet gradualisht dhe do të fillojë në verë. Gjithashtu, 100 mjete të blinduara për këmbësorinë dhe 100 mjete transporti do të dorëzohen si pjesë e një pakete të re ndihme.

Boris Pistorius dhe Rustem Umjerov, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, duke dhene doren
Boris Pistorius dhe Rustem Umjerov, ministri i Mbrojtjes i UkrainësFotografi: Uwe Anspach/dpa/picture alliance

Austin: Ukraina nuk duhet të dështojë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin e siguroi gjithashtu Ukrainën për më shumë mbështetje, pavarësisht bllokadave të Kongresit të SHBA. Kongresi prej muajsh nuk ka miratuar një projektligj që do të siguronte rreth 60 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën. Disa republikanë amerikanë janë kundër, por Austin deklaroi në takim: "Amerika nuk do të lejojë që Ukraina të dështojë. Ky koalicion nuk do të lejojë që Ukraina të dështojë. Dhe bota e lirë nuk do të lejojë që Ukraina të dështojë." Ky është një angazhim i përbashkët për të ardhmen afatgjatë të Ukrainës.

"Investim në sigurinë e përbashkët"

Austin tha më tej se shpenzimet e mbrojtjes së Ukrainës ishin "një investim në sigurinë tonë të përbashkët". Dhe ai shtoi: "Le të mos gënjejmë veten. Putini nuk do të jetë i kënaqur me Ukrainën." Megjithatë, Ukraina mund të "ndalojë Putinin", siç tha presidenti amerikan Joe Biden, nëse "ne qëndrojmë me Ukrainën dhe i sigurojmë asaj armët që i nevojiten për mbrojtjen e saj". Mbijetesa e Ukrainës është në rrezik. Dhe siguria e të gjithë neve është në rrezik."

Lloyd Austin dhe Rustem Umjerow, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës
Lloyd Austin dhe Rustem Umjerow, ministri i Mbrojtjes i UkrainësFotografi: Uwe Anspach/dpa/picture alliance

"Ne do të ndihmojmë gjithashtu Ukrainën të ndërtojë një ushtri të ardhshme," tha Austin. Kjo do të garantojë sigurinë afatgjatë." Ai foli për të ashtuquajturat koalicione të aftësive, në të cilat disa vende punojnë së bashku për dronet, për shembull. "Ne nuk do të dorëzohemi në përpjekjet tona," theksoi Austin.

"Çmim i tmerrshëm për ëndrrat perandorake të Putinit"

Austin iu referua humbjeve të pësuar nga ushtria ruse që nga fillimi i luftës së saj të agresionit kundër Ukrainës në shkurt 2022. "Rusia ka paguar një çmim të tmerrshëm për ëndrrat perandorake të Putinit" tha Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së . Të paktën 315.000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i luftës. Më shumë se 50 vende perëndimore i përkasin formatit Ramstein dhe kanë bashkuar zyrtarisht forcat si Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës. Grupi u takua për herë të parë më 26 prill 2022 në bazën amerikane në Ramstein.

aud (ag, tgsch)

Më shumë për këtë temë:

Perëndimi diskuton ndihmën për Ukrainën në Ramstein  https://p.dw.com/p/4dtPR