1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Perëndimi diskuton ndihmën për Ukrainën në Ramstein

19 Mars 2024

Një koalicion i ri për "artilerinë e raketave me rreze të gjatë veprimi" është krijuar, pas kalimit të bllokadës franceze për blerjen e armëve për Ukrainën. Ai diskuton ndihmën për Ukrainën në Ramstein të Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/4dtPR
Baza ajrore amerikane ne Ramstein te Gjermanise. Avione US.Air Force para godines.
Fotografi: Oliver Dietze/dpa/picture alliance

Ministrat e Mbrojtjes të të ashtuquajturit Grupi Ramstein janë takuar sot për të diskutuar ndihmën e re ushtarake për Ukrainën. Temë qendrore është forcimi i qëndrueshmërisë së ushtrisë ukrainase. Kjo ka të bëjë para së gjithash me furnizimin me municion, por edhe me riparimin dhe mirëmbajtjen e armatimeve të dëmtuara, me çështje shumë praktike të luftës. Forcat e armatosura të Ukrainës janë ankuar prej kohësh për mungesë municioni.

Për takimin e sotëm njoftoi pak ditë më parë në Berlin kancelari Olaf Scholz, pas një takimi me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministrin polak Donald Tusk. Scholz bëri të ditur se ishte rënë dakord për një koalicion të ri për "artilerinë e raketave me rreze të gjatë veprimi". Koalicioni do të formohet në kuadër të formatit Ramstein.

Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron
Fotografi: Ebrahim Noroozi/AP/picture alliance

Bllokada franceze për blerjen e armëve Ukrainës

Partnerët perëndimorë kohët e fundit kishin mosmarrëveshje për dërgimin e armëve në Ukrainë. Ndihmë ushtarake me vlerë miliarda ishte bllokuar kohët e fundit, sepse Franca donte që armët të bliheshin vetëm te kompanitë evropiane të mbrojtjes. Korrespondentët gjermanë në Bruksel thonë mund të supozohet se Parisi e kishte mendjen kryesisht për kompani franceze.

Por vendet e tjera, përfshirë Gjermaninë, thanë se me fondet evropiane duhet të blihen armë nga prodhuesit e armëve që mund t'i furnizonin ato më shpejt, pavarësisht nëse ata janë në Evropë apo në SHBA apo diku tjetër. Në fund ky qëndrim, të cilin e mbështeti Gjermania, fitoi. Tani evropianët mund të blejnë armë për Ukrainën në tregun botëror.

Lloyd Austin flet ne Ramstein, 19.03.2024
Fotografi: Daniel Roland/AFP/Getty Images

Me iniciativën e kryeministrit çek Petr Fiala, disa shtete të BE tani duan të blejnë ndër të tjera municion për 800.000 të shtëna në tregun botëror. Gjermania merr pjesë me një kontribut prej tre milionësh. Të hënën, ministrat e jashtëm të BE vendosën gjithashtu të rrisin fondet për Kievin me pesë miliardë euro.

Çfarë përfaqëson formati Ramstein?

Përfaqësues nga 50 vende u takuan për herë të parë në bazën ajrore amerikane në prill 2022 si Grup i Kontaktit për Ukrainën, për të organizuar ndihmën e armëve perëndimore për Ukrainën.

Dërgesat e armëve për Ukrainën vijnë aktualisht nga 50 shtete. Misioni i grupit të kontaktit në Ramstein është mos lërë Ukrainën të përballet vetëm me këto dërgesa, domethënë që armët të mos dërgohen, pa u shqetësuar për pjesën tjetër. Tanket gjermane Leopard 2, prodhim gjerman, por që ofrohen nga disa shtete për Ukrainën, riparohen, në rast dëmtimi, në një qendër të përbashkët në një vend. Këtë e organizoi formati i Ramsteinit.

E rëndësishme për pjesëmarrësit është që organizimi i ndihmës të mos quhet organizim nga NATO. Numri i anëtarëve në grupin e Ramsteinit është më i madh se numri i shteteve anëtare të NATO-s. Prandaj u krijua ky grup me seli në Ramstein. Ftesën formale për takime e bën Sekretari Amerikan i Mbrojtjes.

aud (faz, wdr)