1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tone optimiste pas takimit me Mogherinin

19 Dhjetor 2017

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini u takua me krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi u vlerësua pozitivisht.

https://p.dw.com/p/2pbuv
Luxemburg Treffen der EU-Außenminister PK Federica Mogherin
Fotografi: Getty Images/AFP/J. Thys

Takimi jo formal i përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini i zhvilluar në Bruksel me krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor u vlerësua pozitivisht. Kryeministri shqiptar, Edi Rama u shpreh në një status në Facebook se në Bruksel "patëm një takim mjaft pozitiv në mbrëmje me Përfaqësuesen e Lartë të BE, Mogherini dhe me liderët e Ballkanit Perëndimor për perspektivën europiane të vendeve tona", nënvizon Rama. Me Mogherinin u takua edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po ashtu u shpreh optimist pas takimit se "Kosova do të marrë atë që i takon".

Mogherini në këtë mënyrë i mbetet besnike përkushtimit të saj që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të bëjnë hapa të shpejtë dhe të pakthyeshëm në drejtim të afrimit me BE. ”Prioriteti im në 12 - 18 muajt e ardhshëm do të jetë Ballkani Perëndimor, krahas politikës së sigurisë dhe mbrojtjes evropiane”, theksoi Mogherini në qershor të këtij viti. Mbështetja e saj pa rezerva e Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimit të BE është mbështetur gjatë këtij viti zyrtarisht edhe nga institucionet dhe përfaqësuesit më të rëndësishëm të BE.

Strategjia e re

 ”Viti i ardhshëm do të jetë vendimtar. Komisioni Evropian po punon Strategjinë për një perspektivë të qendrueshme për zgjerimin dhe anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, e cila do të prezantohet në shkurt të vitit 2018. Në prill do të kemi një paketë të re për zgjerimin, ku do të qartësohet se ku gjenden vendet që pretendojnë të anëtarësohen në BE. Për këtë çështje do të bisedohet edhe në samitin e BE në qershor. Ndërkohë do të kemi edhe një samit shumë të rëndësishëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje”, ka theksuar drejtori i Drejtorisë së KE për negociata dhe zgjerim, Christian Danielson. Sipas informacioneve të DW-s, po hartohet edhe një Strategji për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të Zi, deri në vitin 2025, që është edhe përcaktimi i parë kohor që Brukseli e ka saktësuar, kur flitet për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por edhe Shqipëria pret hapjen e negociatave vitin e ardhshëm.

 

 

la/dw