Të mbrohen ″patriotët″? | Evropa | DW | 21.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Të mbrohen "patriotët"?

Një konferencë ndërkombëtare kërkon hapjen e plotë të dosjeve të shërbimit sekret komunist në Bullgari

Bullgaria - gati për anëtarësimin në BE?

Bullgaria - gati për anëtarësimin në BE?

Në Sofje ka nisur të enjten punimet një konferencë me pjesëmarrje ndërkombëtare, e cila u ka bërë thirrje autoriteteve bullgare të mos vonojnë me hapjen e arkivit të ish sigurimit të shtetit. Bullgaria, është vendi i vetëm kaq pranë anëtarësimit të plotë në BE ku përpunimi i së kaluarës komuniste në dosjet e ish shërbimit sekret ende nuk është bërë.

Bullgaria është në prag të anëtarësimit në BE por çështja e përpunimit të së kaluarës komuniste ende nuk është zgjidhur. Aksesi në dosjet e ish sigurimit të shtetit "Darzhavna Sigurnost" vazhdon të jetë i kontestuar.

Deputetja hollandeze në parlamentin europian Els de Groen, shpjegon se përse arkivi i shërbimit sekret nuk është hapur ende 17 vjet pas kthesës: "Shumë shpejt pas kthesës elitat e vjetra u rikthyen, ato infiltruan në organizata të reja jo qeveritare dhe iu morën demokratëve - njerëz pa eksperiencë dhe shumë shpesh edhe pa mjete -mundësitë e influencës. Ajo çfarë më duket veçanërisht cinike është që në perëndim shumë njerëz kanë bashkëpunuar dhe vazhdojnë të bashkëpunojnë me këto elita."

Në Bullgari me këto dosje vazhdon ose të paktën provohet të ushtrohet presion mbi njerëz. Kjo gjë duhet të marrë fund kërkon ministri i brendshëm bullgar Rumen Petkov. Socialisti mbron megjithatë qëndrimin se dosjet e ish "patriotëve" nuk duhet të hapen:"Çfarë u thotë shteti atyre që kanë punuar ose punojnë për ministrinë e brendshme dhe për shtetin? Do të mbetemi korrekt ndaj tyre apo jemi të gatshëm në çdo kohë t'i bëjmë qesharakë në sy të opinionit publik? A duhet të sillemi kështu me këta njerëz dhe t'u themi se sot nuk kemi më nevojë për ta? Unë mendoj se duhet të ngremë pyetjen nëse njerëzit që luftojnë terrorizmin dhe ata që ishin spiunë politikë bëjnë pjesë në të njëjtën kategori? Unë mendoj se jo!"

Në fund të fundit ka thënë ministri i brendshëm Petkov është e nevojshme të dallohet mes interesave kombëtarë dhe interesit të qytetarit të veçantë.

Në ish vendet e tjera socialiste pyetje të tilla nuk shtrohen. Edhe në diskutimin rreth hapjes së arkivit të shërbimit sekret të ish RDGJ nuk bëhet dallim mes bashkëpunëtorëve "të mirë" dhe "të këqinj" të Stasi-t. Kjo ka arsyet e veta thotë ish i ngarkuari i qeverisë gjermane për arkivat e Stasi-t dhe kryetar i shoqatës "Kundër harresës - për demokracinë" Joachim Gauck: "Shumë bashkëpunëtorë jo zyrtarë të sektorit me jashtë nuk kanë kryer vetëm spiunazh mbrojtës por kanë spiunuar edhe disidentët e ish RDGJ në perëndim. Pra në thelb kanë bërë atë që bënin bashkëpunëtorët e Stasi-t në vend: kanë punuar kundër demokratëve, kundër aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe njerëzve të tjerë. Ky nuk është akt patriotik por mbështetje e represionit."

Për këtë arsye Gauck u bën thirrje autoriteteve bullgare dhe ministrit të brendshëm të hapin të gjitha arkivat dhe të mos bëjnë dallime mes bashkëpunëtorëve "patriotë" dhe "jo patriotë". Ndryshe Bullgarisë do t'i duhej të paktën një instancë e pavarur që të kishte të drejtën të shihte dosjet "patriotike" të shërbimit sekret.

Edhe Aleksandër Kashamov nga organizata jo-qeveritare "Programi - Akses në informacion" kërkon një instancë të pavarur e cila duhet të drejtojë gjithë proçesin e hapjes së dosjeve. Në përgjithësi prioritet i bazës ligjore duhet të jetë mbrojtja e viktimave dhe jo e fajtorëve.

  • Data 21.07.2006
  • Autor Emiliyan Lilov
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAZ
  • Data 21.07.2006
  • Autor Emiliyan Lilov
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArAZ