1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Solidariteti afrikan' – Koncert humanitar për afrikanët pa dokumente

Sonja Gilert 3 Mars 2008

Në Gjermani jetojnë shumë njerëz në ilegalitet. Më së shpeshti bëhet fjalë për raste të cilat kanë ardhur në Gjermani me dokumente të falsifikuara apo që nuk ju ka zgjatur leja e qëndrimit.

https://p.dw.com/p/DHXh
Një shfaqje cirku për Afrikën
Një shfaqje cirku për AfrikënFotografi: picture-alliance/ dpa
Njerëz të tillë qëndrojnë fshehurazi dhe në këtë mënyrë janë të përjashtuar nga jeta e përditshme. Sonja Gillert ishte e pranishme në një koncert humanitar në 'Bunkerin Kuturor' në Këln, ku provohet që të tërhiqet vëmendja për gjendjen e vështirë të atyre që jetojnë ilegalisht në Gjermani. Norberti nuk dëshiron të na e thotë mbiemrin e tij. Ai është nga shoqata 'Asnjë njeri nuk është ilegal' dhe njeh shumë refugjatë, të cilët jetojnë në Gjermani pa dokumente. Si për shembull rasti i një afrikani: 'Ai erdhi këtu duke besuar se i ka dokumentet e duhura. Por dokumentet e tij nuk ishin të rregullta. Dhe dikur ai e kupton se është duke qëndruar ilegalisht. Ai ka punuar këtu dhe ndërkohë është në moshë. Ai ka kaluar të 40-tat dhe jeton me frikën e përhershme se mund të humbasë krejt çka ka këtu'. Për të tërhequr vëmendjen për gjendjen e rëndë të këtyre njerëzve, Shoqata 'Asnjë njeri nuk është ilegal' së bashku me Qendrën gjermano-afrikane në Bonn organizoi një koncert humanitar nën moton 'Solidariteti afrikan'. Të hollat e mbledhura nga ky koncert i kalohen një organizate belge e cila angazhohet fuqishëm për të drejtat e njerëzve pa dokumente. Për bashkëorganizatoren Kerstin Engelhardt nga Qendra gjermano-afrikane kjo shfaqje kishte edhe një qëllim tjetër: 'Në të vërtetë qëllimi ynë është që refugjatët ngjashëm si në Francë dhe në Belgjikë të lidhen këtu njëri me tjetrin. Për ne si gjermanë është shumë e vështirë që të vendosim kontakte me këta njerëz, edhe pse këtu në Këln si organizatë jemi relativisht të njohur. Prapëseprapë, ende mosbesimi është i madh'. 'Në vend të dëbimit - të drejtë qëndrimi për të gjithë' - kjo është shkruar me shkronja të mëdha në një pllakatë në sallën e koncertit. Ali Gisé (Guissé) dhe Fred Ngoundjo nga Brukseli angazhohen për këtë me organizatën e tyre në Belgjikë. Ata kanë jetuar edhe vetë pa dokumente dhe e dinë se çfarë do të thotë të jesh 'ilegal'. Përveç frikës së përhershme nga zbulimi është e mbyllur edhe rruga për përkujdesjen mjekësore. Shkollimi, studimi apo ushtrimi i një pune të rregullt është i pamundur. Organizata e tyre ndër të tjera përmes demonstratave dhe me ndihmën e kishave ka arritur të tërheqë vëmendjen dhe të shënojë disa rezultate. Në këtë mënyrë rreth 20 mijë refugjatë kanë marrë dokumentet e qëndrimit në Belgjikë. Organizata dëshiron që njerëzve pa dokumente t'iu ndihmohet konkretisht. Ali Gisé: 'Më e rëndësishmja është mbështetja juridike. Kjo do të thotë që atyre t'u ndihmohet që të dalin nga jeta ilegale'. Për të siguruar të hollat e nevojshme për këtë punë, grupi i grave afrikane 'Mvangaza' nga Diakonia Këln prezanton në një sfilatë mode veshje të përditshme afrikane dhe me këtë edhe një pjesë të kulturës së tyre. Maria Domke nga Diakonia e Këlnit ka bashkëkontribuar në themelimin e këtij grupi. Gjatë këshillimeve të saj ajo ballafaqohet shpesh me problematikën e qëndrimit ilegal në Gjermani. 'Ne kemi pasur disa gra në këshillime, të cilat për një kohë qëndronin ilegalisht. Ato kishin ardhur me vizë dhe kishin humbur prapë të drejtën e qëndrimit. Ato shpesh kanë qarkulluar në rrethe të prostitucionit apo janë financuar nga prostitucioni i herëpashershëm'. Publiku në sallën e mbushur plot në Köln është me prejardhje të ndryshme: aty ka afrikanë, gjermanë dhe shumë nacionalitete të tjera. Kori afrikan 'Makvaya' përkundër temës shumë serioze që trajtohet përkujdeset për krijimin e një atmosfere të mirë. Eli Abeke është anëtar i Kryesisë në Qendrën gjermano-afrikane dhe bashkëorganizator i koncertit. Ai përpiqet që të jap edhe përgjigje në pyetjet e ndryshme që shtrohen gjatë mbrëmjes: 'Si mund të ndihmohet? Kjo është një pyetje e mirë. Ata mund të ndihmohen në parim vetëm përmes rrugës ligjore. Angazhimi i shoqatave të tilla është që problemet e tilla të bëhen të njohura me shpresë që herdokur shteti do të ndryshoj qëndrimin e tij pasi që ligjet janë shumë të ashpëra'.