"Skorpione" do të përgjigjet para drejtësisë
20 Dhjetor 2005Më 2 korrik të këtij viti nëpër Serbi kaloi një shok: një regjistrim në videokasetë i vrasjes së gjashtë civilëve boshnjakë myslimanë u shfaq në ekranet e mijëra familjeve serbe. Në skenën filmike mund të shihje se si munduesit i çonin me sharje në një pyll viktimat e tyre duke i vrarë pastaj me gjakftohtësi. Brenda katër ditësh pas shfaqjes së pamjeve filmike policia e Beogradit arrestoi disa të dyshuar si pjesëtarë të "Skorpionëve" dhe nisi një proces hetimor kundër tyre.
Aktivistja e të drejtave të njeriut, Natasa Kandiç e kishte marrë videokasetën prej një ish-anëtari të Skorpionëve dhe e publikoi atë. Kandiç tha në bisedë me DW se tani nisi procesi dhe opinioni publik serb është konfrontuar me krimet që kanë ndodhur në emrin e tij: "Ky proces filloi në Beograd në fakt me një incident në Fakultetin juridik. Disa mijëra studentë morën pjesë në një diskutim nën titullin "E vërteta për Srebrenicën", diskutim i cili e paraqiti atë që po ndodhte në Srebrenicë në një këndvështrim serbo-ekstremist"
Si reagim për këtë, organizata joqeveritare organizuan një diskutim të tyre për t'u kundërpozicionuar. Me këtë rast u shfaq për herë të parë videokaseta. Kandiçi kujton: "Kjo videokasetë shkaktoi një shok të vërtetë në publik dhe ra si një bombë. Ditën tjetër, kryeministri Kostunica u shpreh për herë të parë hapur dhe në mënyrë kritike për Srebrenicën. Pas tij, menjëherë edhe presidenti i republikës u shpreh shumë qartë dhe shpjegoi se si ndihen qytetarët e Serbisë kur mësojnë se midis tyre jetojnë kriminelë. Dhe tha se do të shkojë në Srebrenicë për të përkujtuar viktimat."
Më 1 korrik, filmi u shfaq për herë të parë në Tribunalin e Hagës për krime lufte kundër ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviç. Prokurori Geoffry Nice tha se e veçanta e filmit qëndron jo vetëm në mizorinë e pamjeve, por edhe në identitetin e dorasve. Sepse ata nuk qenë serbë të Bosnjës, por bënin pjesë në njësinë policore, që i takonte shërbimit të fshehtë serb dhe me këtë ministrisë së brendshme. Një dëshmi për faktin se ka ekzistuar një rrjet direkt urdhërash prej Milosheviçit tek dorasit e Srebrenicës.
Të vecantë e bën filmin edhe fakti se ai përmban një skenë, në të cilën një prift serb-ortodoks nga Vojvodina i bekon para aktit ushtarët. Pas kësaj, Kisha Ortodokse Serbe publikoi një deklaratë, me anë të së cilës i dënoi aktet si "vrasje gjakftohtë ndaj civilëve të paarmatosur dhe të pambrojtur."
Videokaseta vërtet e zgjoi opinionin publik serb dhe dorasit ndodhen tani para gjyqit. Megjithatë, Natasha Kandic shpreh dyshim për faktin që politikanët e Serbisë duan ta cojnë vërtet përpara konfrontimin me faktet historike dhe rivlerësimin e tyre:
"Besoj se përfaqësuesit e institucioneve shtetërore nuk kanë arritur ende të kuptojnë se është detyrë e kësaj qeverie, që të trajtojë atë që ka bërë një qeveri e mëparshme dhe se ajo duhet ta trajtojë këtë trashëgimi."
Ky nuk është procesi i parë gjyqësor kundër pjesëtarëve të njësisë speciale: që në fillim të vitit 2002, autoritetet hetimore të Beogradit nisën një procedurë hetimore kundër pjesëtarëve të tjerë të Skorpionëve, për shkak të vrasjes se 19 civilëve kosovarë në mars 1999.