1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si të reagohet ndaj shkeljeve të hapësirës së NATO-s?

23 Shtator 2025

Avionë luftarakë rusë hynë në hapësirën ajrore të Estonisë javën e kaluar. Incidenti shihet si provokim nga Moska. NATO tani diskuton se si të përgjigjet.

https://p.dw.com/p/50vf7
Flamur i NATO-s valëvitet
Disa herë në dy javë Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të NATO-sFotografi: Yves Boucau/dpa/picture alliance

Që nga fillimi i luftës agresore të Rusisë kundër Ukrainës dronë ose avionë rusë kanë shkelur disa herë hapësirën ajrore të një vendi të NATO-s.  Por në dy javët e fundit, dyshohet, se Rusia ka përshkallëzuar provokimet. Incidenti më i fundit: Të premten, Estonia raportoi se tre avionë luftarakë rusë kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore. Sot,  NATO po e trajton çështjen. Më konkretisht, Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi më i lartë politik i NATO-s diskuton si të reagojë.

Estonia ka kërkuar konsultime sipas Nenit 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut. Kjo dispozitë i lejon çdo shteti anëtar të kërkojë thirrjen e një takimi të Këshillit të Atlantikut të Veriut në rast të kërcënimit të "integritetit territorial, pavarësisë politike ose sigurisë" së tij.

 Mark Rutte duke folur dhe treguar me gisht
Pritet që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte t'i dërgojë një mesazh të qartë Rusisë pas konsultimeve. Fotografi: Michal Krumphanzl/CTK Photo/IMAGO

Shtetet e kërcënuara kërkojnë të veprohet

Të martën (23.09.),  NATO përballet përsëri me çështjen se si të përgjigjet, dy herë brenda dy javësh, sepse Këshhilli i NATO-s u mblodh edhe pas shkeljes së hapësirës polake nga 20 dronë në fillim të shtatorit. Ka thirrje ndërkohë për veprime të mëtejshme, veçanërisht nga vendet e prekura. Provokimet e Rusisë nuk mund të tolerohen thjesht nëse duam të ruajmë një kërcënim të besueshëm, thuhet nga vendet që ndjehen të rrezikuara nga Rusia. Pritet që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte t'i dërgojë një mesazh të qartë Rusisë pas konsultimeve. Ky mesazh ka të ngjarë ta bëjë të qartë se shkeljet e hapësirës ajrore janë të papranueshme dhe mund të çojnë në një përshkallëzim të rrezikshëm, dhe se avionët rusë teorikisht mund të rrëzohen për të parandaluar një kërcënim për territorin e aleancës.

Kryeministri polak, Donald Tusk duke folur në konferencë shtypi
Polonia reagoi me sqhtësim pasi të dyshuar si dronë rusë hynë në hapësirën e sajFotografi: Poland's Prime Ministers office/UPI Photo/newscom/picture alliance

Mesazh i qartë nga SHBA

Mesazhe të qarta tanimë vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Ambasadori i ri i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Michael Waltz, theksoi detyrimin e NATO-s për të qëndruar pranë NATO-s gjatë fjalimit të tij të parë në Këshillin e Sigurimit - përfshirë SHBA-në. "Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi të parë për të përsëritur dhe theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s", tha ai në Nju Jork. Moskës iu kërkua të gjejë mënyra për të ulur tensionet dhe për të mos rrezikuar përshkallëzimin e konfliktit.

Ekspertët kanë pasur disa herë dyshime muajt e fundit, nëse Presidenti i SHBA-së Donald Trump do të respektonte vërtet detyrimin e NATO-s, sipas nenit 4 të ofronte ndihmë ushtarake nëse do të ishte e nevojshme. Por, ngjashëm me Waltz, Trump iu përgjigj të dielën pyetjes së një gazetari nëse do t'i mbronte shtetet baltike dhe Poloninë në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm nga Rusia: "Po, do ta bëja", tha Trump.

tgsch/la