Shtypi evropian gjatë një jave | Studimi në Gjermani | DW | 11.09.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi evropian gjatë një jave

Dueli televiziv Shrëder Merkel & Kompromisi BE Kinë për tekstilet & Linja e trasportimit të gazit në Evropën Lindore.

default

Temë qendrore gjermane në komentet e shtypit të huaj është fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare më 18 shtator. Komentatorët në këtë kontekst i kushtojnë vëmendje duelit televiziv mes kancelarit Gerhard Shrëder dhe rivales së tij Angela Merkel. Gazeta daneze "INFORMATION" pas duelit e sheh partinë socialdemokrate në avantazh: "Për muaj me radhë sondazhet parashikonin që qeveria kuq e gjelbër nuk do t´i bënte ballë zgjedhjeve. Ndërsa tani gara papritur është sërish e hapur. Kjo ka të bëjë më pak me prezantimin dinamik të Shrëderit në debatin televiziv, se sa me Angela Merkelin. Ashtu si në zgjedhjet në vitin 2002 favorizuese janë edhe ngjarjet nga jashtë. Këtë radhë është kombinimi mes emërimit nga Merkeli të reformatorit radikal të financave Paul Kirhof si ministër konservator i kabinetit të mundshëm kristjandemokrat dhe katastrofa e tmerrshme e uraganit në SHBA. Gjermanët me pozitë të mirë nuk u besojnë kalkulimeve të Kirhofit. Për ta unifikimi i tatimeve duket si një dëshmi tjetër për atë që të pasurit duan t´i bëjnë bisht tatimeve duke ua përcjellë faturën të varfërve", vëren danezja "INAFORMATION".

E përditshmja austriake "KURIER" tregohet neutrale sa i përket rezultatit të debatit televiziv, por tërheq vëmendjen për vlerën e tij: "Zgjedhësit e zakonshëm nuk janë as ekspertë financash, as teknologë gjenetikë dhe as ekspertë të politikës së jashtme. Për votuesin detajet janë irrituese e si rjedhojë aspak të dobishme. Por për ta ka vlerë shumë informacioni mbi figurën e përgjithshme të një kandidati. E figura e përgjithshme pas duelit televiziv është: Shrëderi është burri i shtetit me mëngë të përveshura, të cilin ke kënaqësi ta kesh shok. Ndërsa për Merkelin mund të besosh, se ka ashpërsinë e duhur kur është fjala për t´i nxjerrë jashtë loje shokët e partisë që zbulohen si armiq. Por nëse ajo
është në gjendje të hapë vende pune, apo vetëm ta premtojë këtë, kjo është një çështje që ka të bëjë me besimin, por jo me dijen", komenton austriakja "KURIER".

Gazeta italiane "LA REPUBLICA" komenton: "Debati i pritur me aq interes mes kancelarit socialdemokrat Shrëder dhe sfidantes kristjandemokrate Merkel u ndoq me pasion në mbarë Gjermaninë. Në bazë të anketimeve të para ai ka fituar, por të gjithë e kanë parë atë më shumë si favorit. Ndërsa ajo ka humbur, por u prezantua shumë më mirë, nga ç´pritej", shkruan "LA REPUBLICA".

Mbi këtë temë edhe një citat nga komenti i britanikes "THE TIMES", e cila i referohet luftës elektorale në përgjithësi në Gjermani: "Gjermania nuk e dëshiron vizionin për reforma radikale ekonomike, por pikërisht kjo është urgjentisht e domosdoshme në këtë vend. Evropa gjithashtu ka nevojë për këtë kthesë. Ekonomia më e madhe në BE ka më shumë se një dhjetëvjeçar që është në gjendje të keqe, gjë që i dëmton edhe fqinjët e Gjermanisë. Kristjandemokratët nuk janë aq të guximshëm sa duhet, por zonja Merkel ka kurajon dhe liberalët me shumë fantazi mund të influencojnë pozitivisht ndaj qeverisë së krijuar prej tyre. Një fitore e qartë këtyre dy partive do t´i mundësojë Gjermanisë një fillim të ri. Një komb, që i është dashur të jetojë vazhdimisht me mbi 4 milionë të papunë, nuk mund ta përballojë më duke vazhduar kështu si deri më sot", nënvizon "THE TIMES".

Këtë javë në Berlin kancelari Shrëder dhe presidenti rus Putin nënshkruan marrëveshjen për linjën e transportimit të gazit nga Rusia në Gjermani. Kjo marrëveshje ka shkaktuar reagime në vendet fqinjë si Polonia dhe vendet e Balltikut, të cilat anashkalohen në këtë projekt. Gazeta polake "WYBORCZA" komenton: "Ndërtimi i një gazsjellësi përmes detit Balltik e vë Evropën Qendrore, e kryesisht Poloninë, në fushën e energjetikës në një varësi më të madhe se deri më sot prej Rusisë. Rusia ka një traditë të gjatë me hapjen ose mbylljen e rubinetit të gazit si mjet presioni ndaj vendeve të tjera në rast mosmarrëveshjesh. Deri tani argumenti i "rubinetit të gazit" kundrejt Polonisë është vështirësuar derisa edhe Gjermania këtej e tutje do të varet prej së njëjtës linjë transportimi. Në këtë mënyrë Polonia tani duhet ta varrosë një herë e përgjithmonë iluzionin, që një linjë e përbashkët me Gjermaninë do t´i jepte asaj siguri në varësinë energjetike prej Rusisë", analizon e përditshmja polake "GAZETA WYBORCZA".

Lidhur me kompromisin e arritur mes BE-së dhe Kinës për importet e tekstileve kineze, gazeta franceze "LE MONDE" analizon: "Me marrëveshjen e re importet e telkstileve nga Kina në Evropë do të rriten me rreth 50%. Kjo ka çuar në protetsta të kundërshtarëve të kushtetutës së BE-së, që ngrenë krye kundër "tregtisë së lirë" të Brukselit. Kjo fiasko jep shkas për shqetësim. Kursi zikzag i BE-së pasqyron dobësinë e saj kundrejt një partneri tregtar të fuqishëm dhe të patrembur si Kina. Kjo luftë e humbur, siç e ka pagëzuar atë shtypi britanik, tregon, se Evropa pas jo-së ndaj kushtetutës është e përçarë, pa pushtet qendror dhe një fushë loje e grupeve të lobiistëve, që tërheqin sa në një drejtim në tjetrin", vëren "LE MONDE".

  • Data 11.09.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arts
  • Data 11.09.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arts