1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Shteti s'ka mundur ta mbajë premtimin për mbrojtje e liri"

20 Dhjetor 2021

Pesë vjet pas sulmit terrorist në sheshin e Berlinit Breitscheidplatz presidenti Frank-Walter Steinmeier pranon se janë bërë gabime dhe ka pasur neglizhim.

https://p.dw.com/p/44Y7X
Deutschland | 5 Jahre nach dem Breitscheidplatz-Anschlag

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier në pesë vjetorin e sulmit terrorist në Berlin më 2016 nuk bën vetëm një retrospektivë, por ai u bën thirrje politikës dhe autoriteteve që sa të jetë e mundur të zbardhin gabimet dhe neglizhimet. Pesë vjet pas sulmit terrorist në sheshin e Berlinit Breitscheidplatz, presidenti Frank-Walter Steinmeier kritikoi faktin, që ka pasur gabime dhe mungesë veprimi nga ana e shtetit. "Shteti nuk ka mundur ta mbajë premtimin për mbrojtje, siguri dhe liri", deklaroi Steinmeier gjatë ceremonisë përkujtimore të dielën (19.12) në kishën Kaiser-Wilhelm me rastin e pesë vjetorit të sulmit të dhunshëm. Ndaj shteti ka detyrim, që "t'i shmangë gabimet, problemet e ato çfarë ka neglizhuar, prej të cilave nuk mundi të parandalohet ky atentat".

Deutschland | 5 Jahre nach dem Breitscheidplatz-Anschlag
Kurora dhe buqeta lulesh u vendosën në hyrje të kishës direkt në sheshin BreitscheidplatzFotografi: Hannibal Hanschke/Pool/REUTERS

Duhet të vazhdojnë hetimet

Në bazë të të dhënave të reja lidhur me këtë akt duhet të vazhdojnë hetimet edhe më tej, theksoi presidenti. Vetëm kështu mund të riforcohet besimi i njerëzve tek shteti. Sulmi para pesë vjetësh i ka zhytur në dhimbje dhe hidhërim të afërmit e viktimave. Krisja e shkaktuar më 19 dhjetor e ka ndarë jetën e tyre në përpara dhe pas kësaj ngjarjeje theksoi Steinmeier. "Madje ajo ka ndarë edhe ndërgjegjen e shoqërisë sonë në përpara dhe pas." Këtë e tregon edhe linja e plasaritjes prej pesëmbëdhjetë metrash, që përpara hyrjes së kishës kujton viktimat e sulmit. Ky sulm "drejtohej kundër mënyrës sonë të jetesës: në paqe, liri dhe demokraci". Këto nuk duhet të lejojmë të na i marrin.

Sulmi terrorist më 19 dhjetor 2016, para pesë vjetësh u krye nga terroristi islamist  Anis Amrinë mbrëmje me një maune të rrëmbyer duke depërtuar mes turmës së njerëzve në tregun e Krishtlindjes në Breitscheidplatz pranë kishës përkujtimore. Si pasojë e sulmit gjetën vdekjen 13 vetë, dhjetra u plagosën. Atentatori Amri u arratis drejt Italisë, ku ai u qëllua nga policia.

Viktimat nga ky atentat përmes një letre drejtuar qeverisë shprehin pakënaqësinë. Ato kërkojnë një qëndrim më dinjitoz ndaj të prekurve prej sulmit terrorist dhe zbardhjen e plotë të këtij akti. Ministrja e Brendshme Nancy Faeser tha, se: "Për aq kohë sa ende ka çështje të hapura, ne do të kërkojmë të gjejmë përgjigjet", deklaroi politikania socialdemokrate. "Asgjë nuk do të fshihet nën rogoz. Për këtë ne i detyrohemi viktimave dhe të afërmve të tyre."

Edhe ministri i Drejtësisë Marco Buschmann premtoi më shumë mbështetje për viktimat. "Të prekurit duhet të jenë të sigurtë, që ne jemi pranë tyre", siguroi politikani liberal-demokrat. Ai mbështeti planin e koalicionit qeverisës që data 11 mars të shpallet ditë përkujtimore për viktimat e dhunës terroriste.

Organizata e viktimave "Weißer Ring" tërhoqi vëmendjen, që ende nuk ka përfunduar zbardhja e kësaj ngjarjeje. "Janë duke vazhduar procese të mundimshme, kryesisht sa i përket zhdëmtimit të viktimave, tha për gazetën "Heilbronner Stimme" Bianca Biwer, drejtore ekzekutive e kësaj organizate.

 

 

sti/mak (afp, dpa)