1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtajnmajer dhe Shili dëshmojnë para komisionit hetimor parlamentar për rastin Kurnaz

Marsel Fyrstenau29 Mars 2007

Politikanë të lartë kanë dëshmuar para një komisioni hetimor të Bundestagut gjerman lidhur me rastin e ish-të burgosurit të Guantanamos Murat Kurnaz.

https://p.dw.com/p/Aqx1
Gjermano-turku, Murat Kurnaz
Gjermano-turku, Murat KurnazFotografi: AP

Qeveria gjermane pat refuzuar në vitin 2002 një ofertë të palës amerikane për lirimin e gjermano-turkut dhe kthimin e tij në vendlindje.

"Askush nuk dyshon, as unë, që zoti Kurnaz ka vuajtuar nga të këqijat në Guantanamo. Andaj ne jemi përpjekur për një trajtim ligjor. Por njëkohësisht, ju e kuptoni ju lutem se ne ishim të detyruar që të përkujdesemi për sigurinë në vendin tonë".

Kështu u shpreh ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer për rastin e ish-të burgosurit në Guantanamo, gjermano-turkut Murat Kurnaz.

Më parë ish-ministri i brendshëm gjerman, socialdemokrati Otto Shili morri përsipër përgjegjësinë politike për këtë rast. Nuk ka patur shkak që të dyshohet në vlerësimet e shërbimeve të fshehta që gjermano-turku përbën një rrezik për sigurinë, tha Shili para Komisionit hetimor të Bundestagut gjerman. Ai tha se nuk i kujtohen më hollësitë e rastit, siç duket ai është informuar për zhvillimet përmes bisedimeve. Por në aspektin ligjor Kurnaz ishte i pafajshëm. Megjithatë duhet të kihet parasysh që në vazhdën e hetimeve policore ka patur momente dyshimi, justifikoi Shili qëndrimin e qeverisë kuq e gjelbër. Ai nënvizoi se është krenar për punën e shërbimeve të fshehta dhe sipas ti,j është turp që të keqpërdoret puna e tyre në luftën antiterroriste, ndërkohë që kundrejt Murat Kurnazit shprehet shumë besim, tha politikani socialdemokrat, fjalë këto të cilat i drejtoi në adresë të deputetëve opozitarë në komisionin hetimor dhe disa pjesë të mediave. Megjithë dallimet në mendime sa i përket rastit Kurnaz në një pikë ekziston qartësi e plotë: një kthim i gjermano-turkut në Gjermani në vitin 2002 duhej të pengohej. Dhe kjo është pika në të cilën dallojnë edhe vlerësimet në komisionin hetimor.

Maks Stadler nga Partia Liberale, si të gjithë kolegët e tij me profesion jurist, akuzon personat përgjegjës të asaj kohe se kanë shkelur parimin sipas të cilit në raste dyshimi duhet të vendoset në të mirë të të pandehurit: "Shtrohet pyetja se a mund të jetë e drejtë që të mundësohen sulme ekzistenciale në të drejtat themelore të njeriut sapo të vërehet pak dyshim", tha Stadler.

Vetëm pak javë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Kurnaz kishte udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Pakistan, sipas deklaratave të tij për të vizituar një shkollë të Kur'anit. Qarqet e sigurimit gjerman flasin për të dhëna sipas të cilave qëllimi i udhëtimit të Kurnazit ka qenë bashkangjitja e forcave talebane në Afganistan.

Thomas Opperman nga Partia Socialdemokrate ju beson këtyre vlerësimeve. Parimi që në rast dyshimi të vendoset në të mirë të të pandehurit mund të përdoret në veprat penale por jo kur bëhet fjalë për mbrojtje nga rreziqet e mundshme: "Kjo do të thoshte që kur janë marrë informatata për valixhet me bomba në Kiel nuk është dashur të ndërmerret asgjë para se valixheët mos të ishin vënë në funksion. Mbrojtja nga rreziku është e mundur vetëm atëherë kur ekzistojne informatata për veprimet e mundshme të rrezikshme. Dhe mbi bazë ëtë këtyre informacioneve personat përgjegjës duhet të marrin vendime të kujdesshme. Një vendim i tillë është marrë edhe në vitin 2002", sqaroi Opperman.

Në takimin e vitit 2002 me krerët e Shërbimit Informativ gjerman, Organit për mbrojtjen e kushtetutës dhe Entit për kriminalistikë pat marrë pjesë edhe ministri aktual i jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer. Në këtë takim është vendosur të mos pranohet një ofertë e palës amerikane për lirimin e Murat Kurnazit. Në të vërtetë turku Murat Kurnaz i lindur në Bremen është kthyer në vendlindje verën e kaluar dhe atë me iniciativë të kancelares gjermane Angela Merkel.