Shqipëria ka nevojë për njerëz mendjehapur | Shoqëria & Kultura | DW | 24.10.2008
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Shqipëria ka nevojë për njerëz mendjehapur

Të rinjtë e sotëm janë ata që do të marrin vendimet në të ardhmen, prandaj zgjerimi i horizontit të tyre për Evropën, krijimi i urave të kontaktit si dhe luftimi i klisheve dhe i paragjykimeve janë të domosdoshme.

Borini, Ledio, Artani dhe Mirgita duke vizituar qendrën përkujtimore për murin e Berlinit

Borini, Ledio, Artani dhe Mirgita duke vizituar qendrën përkujtimore për murin e Berlinit

Ndërsa Shqipëria edhe pse ende një destinacion ekzotik nuk është më një njollë e bardhë në hartën e Evropës për shumë të rinj shqiptarë vendosja dhe thellimi i kontakteve me bashkëmoshatarët e tyre jashtë Shqipërisë mbetet e vështirë. Regjimi ende restriktiv i vizave i pengon ata që të përjetojnë drejtpërdrejtë dhe nga afër se çfarë mundësish ofron Evropa.

Të rinjtë e sotëm janë ata që do të marrin vendimet nesër

"Në një kohë kur Shqipëria po bën përpjekje për t'u bërë pjesë e Evropës asaj i nevojiten njerëz që nuk mendojnë brenda korrnizave të mbyllura, por janë mendjehapur. Mendoj se për ta është e rëndësishme që të njohin botën dhe shoqërinë e hapur dhe të bëjnë përvojat e tyre me Evropën sa janë ende të rinj, sepse të rinjtë e sotëm janë ata që do të marrin vendimet në të ardhmen." - thotë Anila Mete e OJQ-së Iriom.

Hapja e horizontit ndaj Evropës për të rinjtë shqiptarë, krijimi i urave të kontaktit mes të rinjve shqiptarë dhe atyre gjermanë si dhe luftimi i klisheve dhe i paragjykimeve përmes njohjes më të mirë të njëri-tjetrit dhe realiteteve në të dyja vendet ishin dhe qëllimet e projektit "Think outside the box" të organizuar nga OJQ-ja shqiptare IRIOM dhe të rinjtë e Qendrës për Kontakte Kulturore me Evropën Juglindore të Universitetit të Jenës (ZEKUK). Projekti i mbështetur prej programit Junge Wege in Europa të fondacionit Robert Bosch Stiftung dhe MitOst e.V, ishte konceptuar si një udhëtim me dy stacione: vizitë e të rinjve gjermanë në Shqipëri dhe e atyre shqiptarë në Gjermani.

Mirgita Frashëri u drejton pyetje për reportazhin e saj nxënësve të gjimnazit Paul Natorp, në Berlin

Mirgita Frashëri u drejton pyetje për reportazhin e saj nxënësve të gjimnazit Paul Natorp, në Berlin

E veçanta e këtyre udhëtimeve ishte se gjatë qëndrimit në secilin vend të rinjtë kishin si detyrë të përgatisnin filma të shkurtër, reportazhe për radio dhe gazeta apo tekste për internet, për përfytyrimet që sjellin me vete për vendin tjetër dhe përshtypjet e tyre gjatë qëndrimit në të.

Vendi yt përmes kamerave dhe syve të tjetrit

Pas vizitës së të rinjve gjermanë që qëndruan në Shqipëri në ditët e fundit të marsit dhe ditët e para të prillit, e kishin radhën të rinjtë nga Shqipëria që qëndruan ditët e para të tetorit në Berlin. Ja disa nga mbresat e tyre:

"Më bën përshtypje gjelberimi, parqet si dhe ambientet që ka mes shtëpive të banimit për të luajtur fëmijët." - thotë Gjergji.

"Fasadat e shtëpive në pjesën lindore të Berlinit, ku dukeshin edhe dallimet mes ndërtesave që ishin restauruar dhe atyre që ishin ende ne gjendjen e dikurshme." - shton Elkjana.

"Biçikletat, që me sa duket përdoren shumë, pavarësisht nga koha, pra bie shi apo është kohë me diell. Përveç rrugëve të posaçme për biçikleta më bënë përshtypje edhe se shumë njerëz kishin pas biçikletës nga një si rimorkjo, ku dikush transportonte fëmijën, e dikush ndonjëherë edhe qenin." - shpjegon Artani.

"M'u duk interesant shndërrimi i ish-fabrikave në qendra kulture apo atelie për artistët," - thotë Olsi.

Një ndër pikat e programit të vizitave ishte takimi me nxënës të gjimnazit "Paul Natorp" në Berlin, ku të rinjtë shqiptarë patën rastin jo vetëm të vizitojnë ambientet e shkollës, por edhe të ndjekin një orë mësimi. Ja se ç'tregojnë Mirgita dhe Adriatiku pas vizitës:

"Mënyra e komunikimit mes nxënësve dhe mësuesit dhe mes nxënësve mes tyre më bënë shumë përshtypje dhe jane mjaft të ndryshme nga ne. Nxënësit diskutonin për detyrat e njëri-tjetrit dhe madje edhe e kritikonin njëri-tjetrin dhe me sa dukej askujt nuk i mbetej hatri.

Adriatik Hoxha gjatë intervistës për reportazhin me temë Sporti dhe shkolla

Adriatik Hoxha gjatë intervistës për reportazhin me temë "Sporti dhe shkolla"

As mësuesja dhe as nxënësit nuk flisnin me zë të lartë dhe nuk kishin asnjë problem që në klasë kishte ardhur një grup i panjohur me të rinj nga Shqipëria." - thotë Mirgita.

"Më bënë përyshtypje ambientet e shkollës, sidomos palestrat dhe fushat e sportit. Po ashtu më bëri përshtypje një projekt i nxënësve, të cilët kishin përgatitur një maket me idetë e tyre për shfrytëzimin e territorit të një aeroporti në Berlin, i cili do të mbyllej." - shton Adriatiku.

Në gjurmët e historisë

Një vizitë në Berlin nuk mund të kuptohet pa vizituar gjurmët që kanë mbetur nga muri i Berlinit, i cili që prej 13. gushtit 1961 deri më 9. nëntor 1989 ndante Berlinin perendimor nga ai lindor.

Duke parë fotografitë e kohës kur ekzistonte muri dhe ndërtesat që ngrihen sot në sheshin 'Potsdamer Platz' Ermali thotë: "Kur shikon ndërtesat që gjenden sot aty dhe i krahason pamjet e sotme me ato të kohës pas rënies së murit të Berlinit, kur ky shesh dukej si shkretëtirë, vërtet që habitesh."

Burgu i Shtazit në Berlin, Hohenschönhausen

Burgu i Shtazit në Berlin, Hohenschönhausen

Përshtypje të thella u kanë bërë të rinjve vizitat në një ish-burg të Sigurimit të Shtetit të ish-RDGJ-së (Stasi) si dhe njohja me historinë e përndjekjes së çifutëve në Berlin dhe në Gjermani.

Stolpersteine - Mbi gurët ku të pengohet këmba janë gdhendur emrat e çiftutëve të shfarosur në Gjermani

Stolpersteine - Mbi "gurët ku të pengohet këmba" janë gdhendur emrat e çiftutëve të shfarosur në Gjermani

Elkjana tregon se ka bërë disa xhirime për lagjet e hebrejve në Berlin dhe do të përgatisë një dokumentar të shkurtër për këtë temë dhe sidomos për një formë origjinale të përkujtimit të çifutëve apo ciganëve të përndjekur në Gjermani: "Stolpersteine".

Përvoja me vlerë që mund t'i mbledhësh vetëm duke dalë jashtë shtetit

Përmasat e Berlinit me rreth 3,5 milionë banorët e tij janë të pazakonta për të rinjtë nga një vend i vogël nga Shqipëria, megjithatë Orlendi thotë se as ai dhe as të tjerët nuk e patën të vështirë orientimin në qytet: "Kudo shikon harta të qytetit apo broshura me informacione për rrjetin e shërbimeve urbane. Po ashtu edhe njerëzit janë mjaft të gatshëm për të të ndihmuar dhe për të të treguar rrugën apo për të të dhënë shpjegime të tjera."

Në fund të ditëve të projektit bilanci është mjaft pozitiv.

"Gjatë vizitës në Gjermani mësuam shumë gjëra dhe mblodhëm përvoja me vlerë që nuk mund t'i mbledhësh në mënyrë tjetër vetëm se duke dalë jashtë shtetit dhe duke i njohur njerëzit dhe vendin drejtpërdrejt. Gjatë qëndrimit në Gjermani patëm mundësi jo vetëm të mësonim gjëra të reja për historinë dhe kulturën gjermane, por edhe të diskutonim drejtpërdrejt jo vetëm me bashkëmoshatarë por edhe me shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, apo gjermanë që angazhohen në shoqëri duke ua dhënë përvojën e tyre më të rinjve. Për këtë mendoj se ky projekt ishte shumë më i mirë se ndonjë udhëtim turistik. Bisedat, takimet, vizitat dhe diskutimet që patëm gjatë ditëve të projektit besoj se janë shumë të rëndësishme për ne.

Në festën e bashkimit të Gjermanisë, 03.10.08, në Berlin

Në festën e bashkimit të Gjermanisë, 03.10.08, në Berlin

Përvojë shumë interesante ishte për mua edhe festa për bashkimin e Gjermanisë te Porta e Brandenburgut." - thotë Artani.

"Unë besoj se ky qëndrim në Gjermani më ka nxitur si mua edhe të tjetrët që të angazhohemi më tepër dhe me ndërgjegje në shumë sektorë dhe probleme të shoqërisë shqiptare, p.sh. në fushën e mbrojtjes së ambientit apo të një reflektimi ndaj periudhës së diktaturës komuniste." - shton Borini.

  • Data 24.10.2008
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/FXv5
  • Data 24.10.2008
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/FXv5