Shqipëri: SHBA shpallin “non grata”dy individë të tjerë | Ballkani | DW | 12.04.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Shqipëri: SHBA shpallin “non grata”dy individë të tjerë

Në deklaratën e zyrës të Departamentit të Thesarit të SHBA, theksohet se krimi i organizuar vazhdon të jetë një kërcënim domethënës në Shqipëri.

Washington: Das US-Finanzministerium - die Staatsschulden steigen

Zyra e Departamentit të Thesarit

Ish-deputeti i Partisë,”Drejtësi, Integritet dhe Unitet,” Aqif Rakipi, dhe pronari i medias " Ora TV,” Ylli Ndroqi, u shpallën të hënën, (11.04) "persona non grata” nga Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA për Kontrollin e Pasurive të Huaja për ”korrupsion, shantazhe, përvetësim pronash, ryshfet dhe pjesëmarrje në krimin e organizuar.”  Qeveria amerikane shpalli ndaj tyre sanksione ekonomike dhe ndaloi hyrjen e tyre, bashkë me familjet, në SHBA. Në deklaratën e zyrës të Departamentit të Thesarit të SHBA  theksohet se "krimi i  organizuar vazhdon të jetë një kërcënim domethënës në Shqipëri.” "Aktorët kriminalë vazhdojnë të kenë  kenë ndikim në politikën shqiptare duke përdorur para dhe dhunë për të kanalizuar mbështetje drejt kandidatëve të preferuar”, vihet në dukje në këtë deklaratë.

Aqif Rakipi u përjashtua nga parlamenti në vitin 2018 nga zbatimi i ligjit të dekriminalizimit kurse Ylli Ndroqit, qeveria shqiptare i sekuestroi pasuritë në vitet 2020 dhe 2021 për veprimtari të mëparshme kriminale. Me shpalljen "non grata” të ish-deputetit Rakipi dhe biznesmenit Ndroqi numri i personave në Shqipëri në listën e zezë të qeverisë amerikane ka arritur në 6. Para tyre u shpallën të tillë ish-kryeministri Berisha, ish-Kryeprokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik, Llalla, ish-deputeti i Partisë Social-Demokrate Tom Doshi dhe ish-kryetari socialist i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Kërcënues të stabilitetit dhe integrimit europian të rajonit

Shpallja "non grata” e ish-deputetit Rakipi dhe biznesmenti Ndroqi u krye në kuadër të sanksioneve të qeverisë amerikane në Ballkanin Perëndimor, (BP)për "persona që kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese”, theksohet në deklaratën e Zyrës së Thesarit të SHBA për kontrollin e Pasurive të Huaja.  Krahas ish-deputetit Rakipi dhe biznesmenit Ndroqi të hënën u shpallën "non grata” edhe 5 ish-zyrtarë të lartë dhe figura publike në vende të tjera të Ballkanit, mes të cilëve edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski. Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, në reagimin e tij në median sociale për vendimin e sipër përmendur të qeverisë amerikane thekson se "SHBA dhe Britania e madhe po bëjnë përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin europian të rajonit. Vendimi përforcon përkushtimin e Thesarit për të nxitur llogaridhënien për aktorë të përfshirë në sjellje destabilizuese dhe korruptive në rajonin e BP, që minojnë sundimin e ligjit, rritjen ekonomike dhe u mohon njerëzve në këto vende mundësi dhe stabilitet”.

Në skanerin e qeverisë amerikane

Në deklaratën e Zyrës së Departamentit të Thesarit të SHBA për Kontrollin e Pasurive të Huaja , ish-deputeti Aqif Rakipi, në qarkun e Elbasanit, cilësohet „me ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune ose konꞔesione në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike. Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me grupet e krimit të organizuar brenda të cilëve ai ka ushtruar ndikim politik, duke përfshirë edhe korrupsionin.  Ai ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në postet kryesore publike në Elbasan dhe Tiranë. Rakipi humbi mandatin e tij si deputet i parlamentit të Shqipërisë pasi prokurorët konfirmuan rolin e tij në veprimtari kriminale me një pseudonim."

Deklarata e sipër përmendur e quan ish-deputetin Rakipi „përgjegjës ose bashkëpunëtor për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsionin në BP lidhur me një zyrtar të një prej qeverive të BP, aktuale ose të mëparshme, duke përfshirë shpërdorimin e aseteve publike, shpronësimin e aseteve private për përfitime personale, qëllime politike ose ryshfet."

Për  biznesmenin Ylli Ndroqi, qeveria amerikane thekson se ai „ka shfrytëzuar mediat e dikurshme nën kontrollin e tij për të zhvatur dhe shantazhuar qytetarët shqiptarë nëpërmjet kërkesave për para dhe blerjeve reklamuese në këmbim të ndalimit të publikimit të historive negative në media. Ai ka kërkuar ryshfet për llogari të një subjekti që kërkon të bëjë biznes në Shqipëri. Ndroqi është përgjegjës ose bashkëpunëtor për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion në BP duke përfshirë korrupsionin e drejtpërdrejtë ose në emër të dikujt, të lidhur me një qeveri në BP, ose me një zyrtar të qeverisë aktuale ose të mëparshme në BP, si shpërdorimi i aseteve publike, shpronësimi i aseteve private për përfitime personale,  qëllime politike ose ryshfet".