1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Refugjatët politikë afganë do të qëndrojnë një vit

26 Gusht 2021

Me një vendim të posaçëm qeveria e Tiranës ngriti një task-forcë për të menaxhuar qëndrimin e refugjatëve politikë afganë në Shqipëri. Me statusin e mbrojtjes së përkohshme ata kanë të drejtë të qëndrojnë vetëm një vit.

https://p.dw.com/p/3zUGN
USA Virginia | Ankunft Afghanischer Flüchtlinge
Fotografi: Kevin Lamarque/REUTERS

Sipas këtij vendimi task-forca do të drejtohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe do të përbëhet edhe nga drejtues të gjashtë ministrive të tjera: Ministrisë së Brendshme, të Mbrojtjes, të Financave dhe të Ekonomisë, të Arsimit, të Rinisë dhe Sporteve, të Shëndetësisë dhe të Mbështetjes Sociale, të Turizmit dhe Mjedisit.

USA Virginia | Ankunft Afghanischer Flüchtlinge
Fotografi: Kevin Lamarque/REUTERS

Vendimi në fjalë i paraprin ardhjes së refugjatëve politikë afganë, grupi i parë i të cilëve prej rreth 300 vetësh u paralajmërua nga autoritetet e Tiranës se do të mbërrinte më 17 gusht, por që për shkak të trazirave dhe të kaosit në Aeroportin e Kabulit ende nuk ka mbërritur asnjë grup.

Kryeministri Rama ka deklaruar për CNN, se Shqipëria është e gatshme t'u japë mbrojtje të përkohshme rreth katër mijë refugjatëve afganë. Sipas deklaratave zyrtare të Ministrisë së Jashtme refugjatët afganë do të strehohen në Tiranë, Durrës dhe Berat.

Mbrojtje e përkohshme vetëm për një vit

Në vendimin në fjalë saktësohet që shtetasve me shtetësi apo kombësi afgane dhe personave pa shtetësi, me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit, që hyjnë masivisht dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë në territorin e Republikës së Shqipërisë për shkak të luftës, dhunës së përgjithshme dhe konfliktit të brendshëm, të karakterizuara nga shkelje të të drejtave të njeriut dhe që kërkojnë mbrojtje nga Republika e Shqipërisë do t'u jepet statusi i mbrojtjes së përkohshme.

Deutschland I Ramstein I USA Evakuierung von Zivilisten aus Kabul
Refugjatë të mbërritur në bazën amerikane të Ramsteinit, GjermaniFotografi: Matthias Schrader/AP/picture alliance

Me statusin e mbrojtjes së përkohshme refugjatët politikë afganë kanë të drejtë të qëndrojnë vetëm një vit në Shqipëri. Mbrojtja e përkohshme nis që në momentin e hyrjes së tyre në Republikën e Shqipërisë .

Lidhur me lirinë e tyre të lëvizjes në vendim vihet në dukje që "autoriteti për azilin dhe refugjatët mund të vendosë kufizimin e lirisë së lëvizjes, nëse e konsideron të nevojshme”.

Deutschland I Ramstein I USA Evakuierung von Zivilisten aus Kabul
Baza e Ramsteinit, GjermaniFotografi: Senior Airman Caleb S. Kimmell/AP/picture alliance

Periudha e funksionimit të task-forcës përfundon kur shqyrtohen të gjitha kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare nga "shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit” thuhet në vendim.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana