SHBA ngrin të gjitha procedurat e vizave për 75 vende
14 Janar 2026
Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka njoftuar pezullimin e shqyrtimit të vizave për imigrim për 75 vende, si pjesë e një rishikimi të procedurave të verifikimit.
Ky vendim, i cili hyn në fuqi më 21 janar, synon të zbatojë me rreptësi rregullat që lidhen me personat që mund të konsiderohen si "barrë publike" për shtetin amerikan.
Sipas udhëzimeve të reja, zyrtarët konsullorë do të vlerësojnë më hollësisht moshën, gjendjen shëndetësore, aftësitë financiare, njohuritë e gjuhës angleze dhe madje edhe peshën trupore të aplikantëve, për të parandaluar hyrjen e personave që mund të kenë nevojë afatgjatë për ndihmë sociale apo mjekësore.
Këto rregulla të reja gjithëpërfshirëse shqyrtimi u ishin dërguar nga Ministria e Jashtme e SHBA-së që në nëntor 2025 me kabllogram të gjitha ambasadave dhe konsullatave të SHBA-së në gjithë botën.
Serbia e paprekur nga pezullimi
Në listën prej 75 shtetesh janë përfshirë pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zidhe Bosnjë-Hercegovina.
I vetmi vend i rajonit që nuk figuron në këtë listë dhe mbetet i paprekur nga ky pezullim është Serbia.
Pezullimi do të mbetet në fuqi për një kohë të pacaktuar, deri në përfundimin e rishikimit të procedurave nga Departamenti i Shtetit.
Lista e plotë
Lista e plotë e vendeve përfshin Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antigua dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamas, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjë-Hercegovinën, Brazilin, Burmën, Bregun e Fildishtë, Dominikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Gjeorgjinë, Haitin, Iranin, Irakun, Jemenin, Jordaninë, Kazakistanin, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Kosovën, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguan, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kitsin dhe Nevisin, Shën Luçinë, Shën Vincenti dhe Grenadinet, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Xhamajkën.