SHBA furnizojnë Kosovën me armë
20 Mars 2008Autoritetet në Prishtinë e vlerësojnë lartë vendimin e administratës amerikane për ta ndihmuar Kosovën me armë dhe shërbime tjera në fushën e mbrojtjes. "E gjithë kjo ka si qëllim promovimin e paqes dhe t stabilitetit në rajonin e Ballkanit, rritjes së kapaciteteve të Kosovës për misione paqeruajtëse, mbështetjes në zbulimin dhe luftimin e terrorizmit dhe trajtimin e emergjencave humanitare. Ky vendim i Shtëpisë së Bardhë në Prishtinë, shihet si rritje e bashkëpunimit ndërshtetëror ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit." - tha Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Në të njejtën linjë shprehet edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, i cili thotë se, prezenca e trupave amerikane në Kosovë është dëshmia më e mirë e përkrahjes së SHBA-së për Kosovën.
Në planin e ndërmjetësit Marti Ahtisari parashihet që Kosova të ketë një strukturë të saj të sigurisë. Kjo strukturë nuk do të jetë e krijuar nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës, mirëpo oficerë të kësaj trupe do të përfshihen në të. Në këtë linjë zëdhënësi i TMK-së, Shemsi Syla, thotë se ekspertët e Kosovës dhe ata amerikanë shumë shpejt do të përcaktojnë se ç`lloj armatimi i duhet Kosovës.
Sipas planit të Marti Ahtisarit, Forcat e Sigurisë të Kosovës, duhet të jenë shumëetnike. Autoritetet në Prishtnë thonë se kjo forcë do të themelohet brenda vitit, natyrisht pas transformimit të TMK-së.