1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sfidat e Agjendёs 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm

19 Shtator 2023

Në Nju-Jork zhvillohet Samiti i OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm, ku merr pjesë dhe kancelari Olaf Scholz. Kjo tregon se sa e rëndësishme është kjo agjendë për qeverinë gjermane.

https://p.dw.com/p/4WUTW
Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së
Antonio Guterres, Samiti i OKB-së për Zhvillimin e QëndrueshëmFotografi: Jason Szenes/UPI Photo/newscom/picture alliance

Samiti i OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm synon sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, një "plan shpëtimi global". Guterres vuri në dukje se vetëm 15% e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të miratuara në 2015 ka të ngjarë të arrihen.

Dhënia fund e varfërisë në të gjitha format e saj është një nga 17 synimet e Agjendës 2030 të OKB, për zhvillimin e qëndrueshëm. Synimi i agjendës është "Të sigurojë mobilizimin e burimeve, përfshirë bashkëpunimin që vendet në zhvillim dhe pak të zhvilluara të zbatojnë programe dhe politika për t'i dhënë fund varfërisë në të gjitha dimensionet e saj”.

Protestuese për zhvillimin e qëndrueshëm
Dhënia fund e varfërisë në të gjitha format e saj është një nga 17 synimet e Agjendës 2030 të OKB, për zhvillimin e qëndrueshëmFotografi: Christoph Soeder/dpa/picture alliance

Varfëria në botë është përgjysmuar që nga viti 2000, megjithatë një ndër dhjetë vetë që jetojnë në vendet në zhvillim ende vazhdon të jetojë me më pak se 1,90 dollarë në ditë.

Varfëria shumë më tepër se mungesa e të ardhurave

Synimet e agjendës 2030 janë që të krijohen strategji zhvillimi në nivel kombëtar dhe rajonal që t'u sigurojnë burrave dhe grave të drejta të barabartambi burimet ekonomike, si dhe akses në shërbime, pronësi dhe kontroll mbi tokën dhe format e tjera të pronësisë, në trashëgimi, në burime natyrore, teknologji të reja të përshtatshme dhe shërbime financiare, duke përfshirë edhe mikrofinancat. Ulja e varfërisë në botë tregon se ky është një sukses që arrihet prej njerëzve. Banka Botërore ka vendosur synime të reja, për t'i dhënë fund varfërisë ekstreme.

Indi -  nxënës duke mesuar
Varfëria është shumë më tepër se mungesa e të ardhuraveFotografi: Nobel Citizen Foundation/DW

Por varfëria është shumë më tepër se mungesa e të ardhurave dhe e burimeve për të siguruar jetesën. Përveç urisë dhe mungesës së ushqimit të mjaftueshëm, varfëria ka të bëjë edhe me aksesin e limituar në edukim dhe shërbime të tjera bazë, lidhet me diskriminimin social dhe mungesën e pjesëmarrjejes në vendimmarrje.

Indikatorët e varfërisë 

Nisma për zhvillimin human të Universitetit Oxford ka përcaktuar në tre sektorë të jetës, që janë shëndeti, edukimi dhe standardi i jetës, dhjetë indikatorë që maten për matjen e varfërisë. Ato janë ushqimi dhe mortaliteti foshnjor, vitet e shkollimit, uji i pijshëm, banesa, kanalizimi, elektriciteti, lënda djegëse për gatim.

Kur personi privohet nga 20 deri 30 përqind e këtyre indikatorëve atëherë ai është i prekur nga varfëria.

Agjenda e Kombeve të Bashkuara 2030 me 17 Objektivat e saj të Zhvillimit të Qëndrueshëm është komplekse dhe jo domosdoshmërisht e lehtë për t'u kuptuar. Kjo është edhe arsyeja pse e ka të vështirë të depërtojë tek publiku për ndërgjegjësimin e tij.

E megjithatë fakti që vetë kancelari Olaf Scholz merr pjesë në Nju Jork në Samitin e Qëndrueshmërisë së OKB-së nënvizon se sa e rëndësishme është kjo agjendë për qeverinë gjermane.