Sejdini: Ata e dinë se nuk kanë fuqi, por duan të përçajnë shoqërinë | Evropa | DW | 03.11.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Sejdini: Ata e dinë se nuk kanë fuqi, por duan të përçajnë shoqërinë

Atentatori i Vjenës kishte rrënjë shqiptare. Tronditja e komunitetit mysliman shqiptar është e madhe, thotë për Deutsche Wellen, Zekirija Sejdini drejtori i Institutit të Teologjisë Islame në Universitetin e Innsbruckut.

Prof. Dr. Zekerija Sejdini, Institut für Islamische Theologie Innsbruck

Prof. Dr. Zekirija Sejdini

Deutsche Welle: Vjena u trondit dje nga një sulm terrorist. Çfarë menduat kur dëgjuat për herë të parë, se atentatori kishte rrënjë shqiptare?

Prof. Dr. Zekirija Sejdini: Dua të them se isha në Vjenë dhe pranë vendit të ngjarjes, pashë shumë automjete policore, po nuk e kisha idenë se ç'po ndodhte. Më vonë mora vesh se kishte një sulm terrorist pranë Institutit tonë. Kemi qenë të tronditur, se nuk e mendonim, se diçka e tillë ndodh në Austri. Kurse informata që erdhi se terroristi në fjalë është me prejardhje shqiptare nga Maqedonia e Veriut, na ka goditur shumë, sepse njihemi si një popull me tre fe dhe si një popull me tolerancë ndërfetare, kjo e komplikon situatën më shumë.

Ju keni qenë edhe drejtues i xhamisë së madhe shqiptare në Vjenë dhe e njihni komunitetin mysliman aty, a ka qenë i njohur ky person për komunitetin si njeri radikal?

Sipas informatave që kam nga xhamia dhe komuniteti, ky nuk është person që është njohur, jo për tendencat radikale, por nuk është i njohur, me sa di, që ka qenë pjesë e ndonjë xhamie këtu të komunitetit shqiptar, deri tani nuk kemi informata rreth tij.

Si reagoi komuniteti i myslimanëve shqiptarë pas publikimit të lajmit?

Kam biseduar me komunitetin dhe drejtuesin e bashkësisë islame shqiptare në Austri. Edhe ai si të gjithë ne është i tronditur, e para se ka ndodhur në Vjenë, dhe tjetra, se ky njeri vjen nga vendet nga vijmë vetë ne. Për ne si myslimanë e shqiptare ky është lajm tronditës.

Si ndodh radikalizimi i këtyre personave që janë lindur ndoshta edhe rritur aty?

Radikalizimet varen nga biografia e këtyre personave dhe janë shumë të ndryshme. Por mund të thuhet, se në shumicën e rasteve që dimë ne dhe nga studimet bëhet fjalë për persona me personalitet të dobët, që në një moment të jetës së tyre rekrutohen nga grupe të caktuara që janë specializuar për të bërë për vete njerëz me një personalitet të tillë për të arritur qëllimet e tyre politike. Kjo ndodh në shumicën e rasteve, kur ata janë në një situatë të caktuar që të pranojnë një ideologji qoftë fetare, qoftë nacionaliste apo politike dhe të radikalizohen për qëllimet, që ata as vetë nuk i dinë se cilat janë.

Ju thatë se ky 20 vjeçar nuk ishte i njohur për komunitetin e atyshëm. Por cili është roli i imamëve që të mos lejojnë që persona të tillë të shfrytëzohen nga grupimet radikale?

Normalisht dhe ky është obligim, e shumica e imamëve kanë kujdes të caktuar, nëse dikush nga besimtarët ka tendenca të tilla apo kontaktohet nga grupime të ndryshme. Por problemi kryesor i njerëzve që radikalizohen në mënyrë të tillë është se ata kanë drejtimet e tyre në internet dhe nuk marrin shumë parasysh predikimet e shumicës së imamëve. Edhe ata këta imamë që janë për paqe, janë për bashkëpunim dhe tolerancë, për liri mendimi nuk i konsiderojnë si hoxhallarë, dhe ata nuk duan që të informohen prej tyre. Ata nuk i japin legjitimitet këtyre hoxhallarëve, sepse kërkojnë të gjejnë ata njerëz që mbështesin idetë që kanë ata e që duan t'i bëjnë realitet si kjo që ndodhi në Vjenë. Persona të tilla në shumë raste shkëpusin lidhjet e tyre me familjet e të afërmit, jo vetëm me shoqërinë.

Si është e mundur që nuk ka ndikuar aspak edhe tradita e fesë në botën shqiptare, që është tolerante historikisht?

Këta njerëz as nuk e njohin fenë, ata kanë informata të grumbulluara aty këtu në internet dhe kanë krijuar konceptin e vet për fenë që nuk ka bazohet më tek feja. Nuk ka fe në botë, jo vetëm ajo islame, që ia lejon njeriut të vrasë të pafajshëm që pinë kafe dhe janë në rrugë e nuk kanë asnjë lloj lidhjeje me njeriun në fjalë. Kjo është jashtë logjikës, jashtë fesë, jashtë humanizmit. Duhet të kemi parasysh se njerëz të tillë që arrijnë një kulminacion të tillë, dhe ata janë gati të sakrifikojnë edhe jetën e vet, janë jashtë situatës normale.

Ju shkolloni imamët e rinj të Austrisë. Si e shikoni sidomos këto kohë rolin e imamëve, janë ata që do të transmentojnë fenë tek brezat e rinj?

Natyrisht ka shumë rëndësi që të bisedohen këto probleme dhe të shihen cilat janë modelet, mos ka edhe një gjuhë që përdoret pa vetëdije ndoshta, por që këtyre njerëzve u vjen për shtat të zhvillojnë ideologjinë e tyre. Feja është e rëndësishme por edhe ambivalente, e mund të përdoret për të mirën e njerëzisë, por edhe të keqpërdoret. Në arsimimin e imamëve është e rëndësishme të diskutohen këto çështje. Cilat tekste të kontekstit fetar mund të interpretohen ashtu që të mos kthehen në bazë për atë që ndodhi dje në Vjenë.

A mendoni se ata që vijnë tek ju të shkollohen janë imamë vetë më të hapur, e të tjerët nuk kontaktohen dot? Si mund t'i tërhiqni ju atë pjesën tjetër, jashtë, që të zhvillohet një dialog konstruktiv fetar?

Realisht nuk mund t'i kontaktosh dot të gjithë, pasi të izoluarit as nuk duan kontakte të tilla. Qëllimi ynë është që shumicës t'i japim një zë e të mos vijë puna që një pakicë të jetë më e zëshme, se kjo është një pakicë, dhe që të ketë në duar mundësinë e përkeqësimit të imazhit të islamit apo të kombit tonë. Ne duhet të tregojmë më shpesh pozicionin tonë, që të kuptohet, se shumica e myslimanëve nuk mendojnë në këtë mënyrë e as shumica e shqiptarëve.

Sa i madh është rreziku i përçarjes në shoqërinë austriake pas ngjarjeve të djeshme në Vjenë?

Normalisht që rrezik ka. Probleme të përçarjes kemi pasur edhe para rastit në fjalë. Kemi pasur edhe frikë se nëse ndodh diçka e tillë, mund të sjellë përçarje edhe më të madhe, por ky është edhe një shans që të afrohemi më tepër. Këtu shihet qartë, se terrori nuk ka fe, ky person nuk i pyeti njerëzit a janë të fesë apo jo, ai qëlloi pa dallim. Ai ka pasur qëllimin që shoqërisë së lirë e pluraliste t'i japë mesazhin, se ju nuk jeni aq të sigurtë sa mendoni, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për myslimanë apo jo. Ky rast duhet të përdoret për të forcuar bashkëjetesën, pasi ndarja nuk është mes feve. Ndarja është mes njerëzve që e duan të mirën, e duan pluralitetin, pavarësisht se cilës fe i përkasin, dhe njerëzve që nuk e duan pluralitetin dhe këtë shoqëri që e kemi.

Cili është mesazhi juaj për komunitetin shqiptar në një ditë të tillë?

Ne duhet t'i kundërpërgjigjemi një rasti të tillë me atë që të jemi për lirinë e shprehjes së mendimit, për të drejtat e njerëzve, për demokracinë e pluralitetin fetar e kombëtar dhe të tregojmë, se raste të tilla nuk na ndajnë. Qëllimi i tyre është krijimi i kaosit, ata duan të fusin një pykë përçarëse në shoqëri. Ata e dinë shumë mirë, se një person i vetëm nuk mund të korrë sukses, ata e dinë se nuk kanë fuqi me një apo dy vetë, por ata duan të ndezin një problem në shoqëri. Fuqia e tyre është interesimi ynë dhe ndikimi prej tyre. Nëse ata na ndikojnë dhe ne fillojmë e përçahemi dhe e shohim tjetrin si kundërshtar, si terrorist potencial, apo përgjithësojmë të gjithë shqiptarët apo myslimanët, atëherë ata e kanë arritur qëllimin e tyre.

 

 

Prof. Dr. Mag. Zekirija Sejdini drejton Institutin për Teologjinë Islame në Universitetin e Innsbruckut, Austri dhe ka drejtuar më parë xhaminë shqiptare në Vjenë.