1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"S´do të qeveris deri 100 vjeç" - Fidel Kastro ia kalon pushtetin të vëllait Raul

Jyrgen Gresel-Hishert1 Gusht 2006

Fidel Kastro kreu i shtetit në Kubë është krahas diktatorit koerano-verior Kim Jong II i vetmi komunist i vjetër në pushtet, që e ka përballuar pa u cënuar kthesën në fund të viteve 1980 dhe në fillim të 1990. Të hënën pas një sëmundjeje akute ai ia dorëzoi "provizorisht" funksionet e pushtetit vëllait të tij.

https://p.dw.com/p/Aqoy
Fidel Kastro dhe Raul Kastro
Fidel Kastro dhe Raul KastroFotografi: AP
Fidel Kastro ia ka dorëzuar "përkohësisht" pushtetin vëllait të tij pesë vjet më të ri, Raul. Ky i fundit ndoshta javën e ardhëshme do të marrë në dorëzim të gjitha aktivitetet shtetërore. Deklaratën e Kastros e lexoi në televizionin publik të Kubës sekretari privat i tij Karlos Valenciaga: "Unë ia delegoj përkohësisht funksionet e mia si komandant i forcave heroike revolucionare të armatosura shokut ministër të mbrojtjes, Raul Kastro Ruz." Fidel Kastro, sipas komunikatës zyrtare, gjatë javëve të fundit është lodhur mjaft: "Për shkak të stërmundimeve në takimin e presidentëve të Amerikës Latine në Kordovë të Argjentinës, gjatë vizitës në Altagracia, në vendlindjen e Çe Gevarës dhe së fundi me pjesëmarrjen në festimet e jubileut të fillimit të revolucionit më 26 korrik, si dhe për shkak të punës intensive ditë e natë, kam pasur strapacim, s´kam fjetur dhe si pasojë kam pësuar kolit hemoragjik. Ndaj duhet t´i nënshtrohesha një operacioni të vështirë." Ky lajm është pritur me reagime të ndryshme në opinionin e Amerikës Latine. Në SHBA disa qindra kubanezë në emigracion kanë festuar në Majami të Floridës duke brohoritur: "rroftë një Kubë e lirë" dhe duke valëvitur flamurin kubanez. Vetë në Kubë sheh fytyra të shqetësuara, nga pala zyrtare ka përpjekje për ta zbutur gjendjen, duke thënë se për 79 vjeçarin është një sëmundje jo e rëndë. Por të hënën Fidel Kastro ka pasur një hemoragji akute dhe është operuar menjëherë. Për gjendjen aktuale të tij nuk ka asnjë të dhënë. Në Majami emigrantët kubanezë s´po përmbahen, sepse dorëzimin e pushtetit vëllait Raul ata e konsiderojnë si fundin e regjimit të Kastros në Kubë. Në shfaqjen e tij të fundit në publik - me rastin e përvjetorit të revolucionit përpara pak ditësh, Kastro të linte përshtypjen se ishte mirë. Madje ai foli, ashtu si zakonisht, më shumë se dy orë. Me ashpërsi ai iu kundërvu planeve të qeverisë së SHBA/ve që kanë menduar për periudhën pas Kastros. Në sfondin e jetëgjatësisë në Kubë, ku shumë njerëz jetojnë deri në 100 vjet, Kastro duke bërë humor tha: "Fqinjët tanë të dashur në Veri s´kanë përse të merakosen, unë s´do të mbeten në pushtet deri 100 vjeç." Duket sikur, me këtë deklaratë ai ka dashur t´i përgatisë qytetarët e vet për lajmin e së martës. Eshtë hera e parë qysh pas revolucionit në vitin 1959, që Fidel Kastro heq dorë përkohësisht nga pushteti. E kjo ndodh pak përpara 80 vjetorit të lindjes së tij: më 13 gusht ishte parashikuar një ceremoni shtetërore me këtë rast.