1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sanksionet kundër Turqisë do të ishin kundërproduktive

23 Tetor 2017

BE nuk duhet t'i ndëpresë negociatat e anëtarësimit me Turqinë. Po të bëjë këtë, do të humbiste mundësi ndikimi, thotë politologia Alexandra Stiflmayer.

https://p.dw.com/p/2mK2w
Türkei Straßenszene in Istanbul
Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Hoffmann

DW: Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, kryetarët e shteteve dhe të qeverive sinjalizuan se nuk duan t'i ndërpresin marrëdhëniet me Turqinë. Edhe opsioni i anëtarësimit mbetet i hapur. Si e gjykoni pozicionin e BE ndaj Turqisë?

Alexandra Stiglmayer: Këshilli - pra shtetet anëtare- kanë mosmarrëveshje të mëdha në lidhje me Turqinë. Atje është e vështirë që të gjesh një konsensus. Sipas Angela Merkelit Këshilli tani vendosi që t'i kërkojë Komisionit të BE që t'i shkurtojë ndihmat e paraanëtarësimit në BE. Nga pikëpamja ekonomike kjo nuk do të ketë shumë rëndësi. Turqia nuk varet prej tyre. Para së gjithash ato janë shprehje e pakënaqësisë së BE me Turqinë dhe nuk do t'i dhembë shumë Turqisë. Por kemi të bëjmë me sinjal dhe ato nganjëherë janë të rëndësishme.

Alexandra Stiglmayer
Fotografi: privat/Alexandra Stiglmayer

A mund të pasohet ky sinjal edhe nga sanksione?

Me sanksione ekonomike BE do të dëmtonte veten dhe shumë prej sipërmarrjeve të veta dhe natyrisht edhe popullin turk. Natyrisht që negociatat mund të ndërpriteshin. Po kjo do të ishte gabim, sepse nuk do të mund të riparohej kaq lehtë. Qiproja ndërkohë është pozicionuar shumë kundër Turqisë. Ky qëndrim edhe do të mbetet i tillë, për aq kohë sa nuk është zgjidhur konflikti. Kjo do të thotë, edhe atëherë sikur Turqia të kthehej pas disa vitesh në një shtet demokratik dhe që përpiqet për reformat, Turqia do të votonte kundër një rifillimi të negociatave. Po të ndërpriteshin tani negociatat, për dhjetë, njëzet vitet e ardhshme nuk do të kishte të tjera.

A ka Bashkimi Evropian mundësi që të ushtrojë presion ndaj Turqisë?

Për momentin ai nuk ka shumë opsione. Ai nuk mund të bëjë më shumë se të bashkëpunojë me Turqinë aty ku është e mundur, si në marrëveshjen me refugjatët, ku nuk ka probleme. Gjithashtu do të ishte e rëndësishme që të ripërtërihet bashkimi doganor me Turqinë. Do të duhej të diskutohej që ky bashkim të zgjerohet. Kjo do të sillte më shumë tregti tek të dyja palët. Por Gjermania aktualisht e kundërshton këtë.

Një temë qendrore për Gjermaninë në raport me Turqinë është çështja e refugjatëve. Çfarë roli luan kjo temë për shtetet e tjera?

Ajo është e rëndësishme për të gjithë BE. Natyrisht që Gjermania pranoi shumicën e refugjatëve që erdhën në këtë itinerar, por shumë refugjatë shkuan edhe në Suedi, Danimarkë, Holandë, Austri. Tani është e rëndësishme që për Turqinë të gjenden tri miliardë euro të tjera, sepse kjo ishte njëra pjesë e marrëveshjes. Unë shpresoj që këto para të gjenden. Paratë e përmirësuan me të vërtetë gjendjen e tyre. Tani janë qindra-mijëra fëmijë sirianë që shkojnë në shkollë - para dy vitesh ata nuk shkonin. Prandaj tani duhet të tregohet edhe më tej solidaritet me Turqinë, që furnizon aktualisht miliona refugjatë sirianë.

Alexandra Stiglmayer është anëtare themeluese e European Stability Initiative. Atje ajo punon në radhë të parë për Ballkanin, Turqinë dhe Azerbaixhanin.