Sadzius: Miratimi i Lituanisë për euron rritet ngadalë | Evropa | DW | 01.01.2015
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sadzius: Miratimi i Lituanisë për euron rritet ngadalë

Në 1 Janar 2015 Lituania do të bëhet vendi i 19 i Eurozonës. Vetëm gjysma e lituanezëve ka qendrim pozitiv ndaj euros. Kjo do të ndryshojë, thotë ministri i Financave i Lituanisë Rimantas Sadzius në intervistë në DW.

Deutsche Welle: Përse po e fusni euron pikërisht tani kur e gjithë bota flet për krizën e borxheve dhe ekonomike në Eurozonë?

Rimantas Sadzius: Njerëzit ka kohë që flasim për krizën e euros por euro ka treguar se është e aftë t'i bëjë ballë tronditjeve nga jashtë dhe tensioneve brenda. Mendoj se Eurozona ka arritur tani një gjendje në të cilën mund të përballojë çdo lloj krize pa ndihmë nga jashtë: Lituania e ka lidhur monedhën e saj Litas që në 2002 me euron. Ne kemi përjetuar të gjitha turbulencat që kanë rënduar në Eurozonë pas krizës financiare: zhvlerësimin e brendshëm, reduktime të vërteta në paga dhe shërbime sociale deri në 30 për qind. Por ne kurrë nuk kishim mundësi të thonim fjalën tonë dhe të shfrytëzonim plotësisht avantazhet e euros. Nuk kemi përfituar nga interesat e ulët për financimin e deficitit tonë buxhetor, që është shumë i vogël. Nga 1 Janari do të ulemi me të tjerët në tryezën ku merren vendimet. Për klimën e investimeve kjo është e mirë pasi nuk kemi asnjë rrezik për zhvlerësimin e monedhës kombëtare pasi Litas do ta këmbejmë me të njëjtin kurs me euron, të cilin e kemi përcaktuar që para 12 vjetësh.

DW: Raporti mes Litas dhe euros ka kohë që është përcaktuar. Çfarë do të ndryshojë për njerëzit përveç faktit që në duar do të kenë euro?

Rimantas Sadzius: Ata nuk do të kenë nevojë më të paguajnë për këmbimin e parave. Do të bien interesat për kreditë, jo vetëm për shtetin por edhe për njerëzit privatë dhe sipërmarrjet. Për investititorët, për të cilët kemi nevojë urgjente, do të jetë më me leverdi të investojnë në Lituani pasi nuk duhet të llogarisin më me prime risku mbi normat e interesit. Nuk do të ketë më rrezik nga kursi i këmbimit dhe kështu fitimi mbi kapitalin e investuar për investitorët e huaj mund të rritet.

DW: Numri magjik për Lituaninë është 3,4528. Ky është kursi zyrtar i këmbimit: 3,45 Litas për një euro. Si mendoni ju, edhe sa kohë do të këmbejnë me mendje lituanezët?

Rimantas Sadzius: Përvojat nga vendet e tjera që kanë futur euron tregojnë se njerëzit vazhdojnë të llogarisin me mendje me kursin e këmbimit të paktën pesë vjet. Për ta bërë më të lehtë tranzicionin ne që nga muaji gusht kemi vendosur çmime të dyfishte në Litas dhe euro në të gjitha dyqanet. Kjo do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2015. Vetëm gjysma e njerëzve në Lituani besojnë për momentin se futja e euros do të sjellë avantazhe. Vetëm gjysma! Por ne kemi parë në vendin fqinjë Estoni se zgjat dy vjet derisa 85 për qind ta quajnë euron të mirëseardhur. Estonezët janë edhe shumë të kujdeshëm kur është fjala për financat e tyre. Besoj se tek ne do të duhen dy vjet derisa të kemi një shkallë të ngjashme përkrahjeje.

DW: Litas pas fundit të komunizmit në fillim të viteve 1990 ishte një simbol i fortë i pavarësisë së Lituanisë. A besoni se njerëzit do të kenë probleme të heqin dorë nga ky simbol dhe me të edhe nga pak pavarësi?

Rimantas Sadzius: Po kjo ndjenjë ekziston. Ne jemi njerëz shumë emocionalë. Për këtë arsye monedhat e euros nga njëra anë do të tregojnë simbolin kombëtar të Lituanisë. Simboli është i pranishëm në monedhat tona që nga shekulli i 14-të. Tani ky simbol lituanez do të shpërndahet në gjithë Evropën, nga Malta në Finlandë. Nga Irlanda në Letoni. Kjo demonstron identitetin tonë në Evropë.

DW: Si ndikojnë kriza për Ukrainën dhe sanksionet evropiane kundër Rusisë politikën tuaj monetare dhe ekonomike?

Rimantas Sadzius: Ne na u desh t'i korigjonim në ulje parashikimet tona për rritjen ekonomike këtë vit. Vitin e ardhshëm presim një dobësim të rritjes me 0.9 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Firmat tona që eksportojnë mallra në Rusi kanë vështirësi. Kjo ndikon natyrisht edhe ekonominë në të ardhmen por shohim gjithashtu se sipërmarrjet janë në gjendje të riorientohen dhe të gjejnë tregje të reja gjetkë në Evropë. Dhe këtu ndihmon natyrisht edhe monedha e përbashkët.

Socialdemokrati Rimantas Sadzius (54) është që prej dhjetorit 2012 sërish ministër i Financave i Lituanisë. Politikani që ka studiuar kimi dhe jurisprudencë e ka mbajtur këtë post në 2007 deri 2008. Futja e euros dështoi në Lituani për kohë të gjatë për shkak të normës së inflacionit, të cilën Sadzius e vuri nën kontroll. Vendet baltike fqinje Estonia dhe Lituania e kanë futur euron që në vitin 2010 si mjet zyrtar pagese. 100 vitet e fundit Lituania ka pasur si mjet pagese markën lindore gjermane, Litas, rublën sovjetike, pastaj për një kohë të shkurtër talonas dhe që prej 1993 sërish Litas e re. Që prej 2002 Litas është e lidhur me kurs fiks këmbimi me euron.