1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Së shpejti do të ezaurohen kapacitetet!

Björn Blaschke22 Mars 2007

Shumë irakianë nuk e durojnë dot më jetën me frikë dhe braktisin vendin e tyre për të shkuar në Siri

https://p.dw.com/p/ArJ8
Diaspora irakiane në Siri - Shiitë irakianë vizitojnë varrin e shenjtë të Sayedah Zaynab mbesës së Profetit Muhamed
Diaspora irakiane në Siri - Shiitë irakianë vizitojnë varrin e shenjtë të Sayedah Zaynab mbesës së Profetit MuhamedFotografi: AP

Në Irak thuajse çdo ditë atentatet vetëvrasëse u marrin jetën dhjetëra njerëzve. Shumë irakianë nuk e durojnë dot më jetën me frikë dhe braktisin vendin e tyre për të shkuar në Siri. Siria ka pranuar më shumë se një milionë refugjatë nga Iraku dhe ky numër shtohet çdo ditë. Së shpejti situata në vendin fqinj të Irakut do të bëhet e papërballueshme.

Sharia al-Iraqiin: rruga e irakianëve në kryeqytetin sirian Damask...

Një burrë reklamon me zë të lartë shërbimet që ofron agjensia e tij: udhëtime nga Damasku në Bagdad. Një numër shumë i vogël njerëzish dëshërojnë të lënë Sirinë për të shkuar në atdheun e tyre. Pjesa më e madhe janë të detyruar të kryejnë këtë udhëtim të rrezikshëm, shpjegon shoferi.

Disa duan të sjellin familjen në Damask dhe mbyllin shtëpitë në Irak, të tjerë kryejnë biznese ose rregullojnë dokumentat; rinovojnë vizën me të cilën u lejohet të qëndrojnë tre muaj në Siri. Pjesa më e madhe kthehen pastaj sa më shpejt të jetë e mundur në Damaskun e Sigurtë.

Emrin e dikurshëm të rrugës së irakianëve në Damask nuk e njeh më askush. Madje as vetë sirianët. Ai është po aq i paditur sa edhe numri i irakianëve të cilët banojnë majtas e djathtas "rrugës së irakianëve" dhe kanë biznese të vogla si restorante apo dyqane permanenti apo berberane, tezga për shitjen e frutave, agjensi udhëtimesh. Disa thonë se janë disa mijëra irakianë. Të tjerët pretendojnë së bëhet fjalë për dhjetëra mijëra.

Shpërthime, vrasje - ishte dhuna që më e solli në Damask, thotë një irakian që shet sanduiçe pas një tezge të vogël. "Kam marrë kërcënime me letra. Kur vranë kushëririn tim unë u largova nga Iraku", shpjegon një burrë i cili ka qenë avokat në Bagdad ndërsa tani shet rroba. Ai është mysliman, shiit apo sunit nuk ka rëndësi. Në Damask mes dy grupeve fetare nuk ka tensione; ata jetojnë në paqe në rrugën e irakianëve. Për situatën e dhunshme në vendin e tij dhe vrasjet e përditshme ai fajëson amerikanët. Sipas tij ata provokojnë përçarje dhe kryengritje.

Punonjësit e forcave siriane të sigurisë, të cilët bien në sy me xhaketat e tyre të zeza prej lëkure janë të pranishme kudo në Sharia al-Iraqiin. Bashkëjetesa e paqtë e irakianëve në Damask i dedikohet sigurisht edhe kësaj pranie. Numri i madh i refugjatëve - qeveria siriane i quan ata "mysafirë" dhe flet për rreth 1,2 milionë - është një faktor rreziku. Këtë e pranon edhe ministri sirian i informacionit Mohsen Bilal:

"Problemi i irakianëve në Siri duhet marrë seriozisht. Eshtë shumë pesimiste të mendohet se ata do të mbeten këtu për shumë vite. Ne shpresojmë që vëllezërit tanë të kenë mundësi të rikthehen së shpejti në shtëpitë e tyre. Nëse kjo nuk ndodh situata mund të bëhej e keqe për të dyja palët, irakianët dhe sirianët. Me irakianët dhe rreth një gjysmë milioni palestinezë Siria ka rreth dy milionë refugjatë. Herët ose vonë gjendja mund të bëhet kritike."

Nga njëra anë është i madh rreziku që megjithë masat parandaluese të sigurisë aktiviteti terrorist të mbartet në Siri. Nga ana tjetër rreth 20 milionë sirianët vuajnë nga deficitet në infrastrukturë: mungesa e energjisë të cilën e marrin vetëm për disa orë në ditë; uji i pijshëm nuk është kudo i mirë dhe vendet e punës janë të rralla. Në këto kushte pesha e refugjatëve ndihet më shumë dhe mund të krijojë tensione sociale. Rregullat e vendosura nga qeveria siriane për refugjatët irakianë nuk ndryshojnë asgjë në këtë aspekt. Vërtet mysafirët duhet t'a fitojnë vetë jetesën, të paguajnë qera për hotele ose banesa. Vërtet ata nuk lejohet të punësohen në Siri, duhet të jetojnë me kursime ose siç ndodh në "Sharia al-Iraqiin" të ngrenë bizneset e tyre të vogla. E megjithatë irakianët në Siri konsumojnë ujë dhe energji, mund të shfrytëzojnë spitalet dhe shkollat, të gjitha falas. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR, lëvdon këtë politikë të ndjekur nga Siria. Përfaqësuesi i saj në Damask Laurenz Jolles thotë:

"Pjesën më të madhe të barrës së shkaktuar nga refugjatët e mban Siria por edhe Jordania. Të dyja vendet deri tani nuk janë ankuar thuajse asnjëherë dhe kanë marrë thuajse të gjitha masat që mundeshin. Kjo natyrisht ka pasoja për ekonomitë e këtyre vendeve, strukturën sociale e me rradhë."

Megjithë rezonancën pozitive që korr politika siriane për refugjatët, qeveria siriane ka lënë të kuptohet se së shpejti kapacitetet e saj do të marrin fund. Në 16 prill qeveria siriane do të kërkojë ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare gjatë një konference të UNHCR-së në Gjenevë. Konferenca do të mbahet për vendet që kanë pranuar pjesën më të madhe të refugjatëve. Ministri sirian i informacionit Bilal nuk i mbështet shpresat vetëm në ndihmën ndërkombëtare; shpresa e tij është që irakianët një ditë të mund të kthehen në vendin e tyre:

"Nëse kjo nuk ndodh atëherë vendi ynë do të ketë probleme serioze sa i takon furnizmit me ushqime, strehimit; mund të ndodhin ndryshime demografike. Për këtë arsye Siria është e interesuar që dhuna në Irak të marrë fund."

Thuasje çdo ditë furgonë dhe autobuzë nisen nga Sharia al-Iraqiin në drejtim të Bagdatit. Nganjëherë në to ka pasagjerë, por në shumicën e rasteve ato nisen bosh për t'u rikthyer dy-tre ditë më vonë të mbushura plot. Dy deri tre mijë irakianë kalojnë çdo ditë kufirin me Sirinë. Rruga e irakianëve ka kohë që është mbushur ashtu si dhe lagje të tjera në të cilat janë strehuar refugjatët. Dhe ndërkohë askush nuk e di se ku të çon rruga në të cilën ecën Iraku.