1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia dhe Irani nënshkruajnë marrëveshjen bërthamore - Teherani nuk do të heqë dorë përfundimisht prej pasurimit të uranit

Jërg Pful27 Shkurt 2005

Irani dhe Rusia të djelën më 27 shkurt nënshkruan në qytetin bregdetar iranian Busher një marrëveshje për rregullimin e tri marrëveshjeve kornizë lidhur me furnizimet dhe ripërpunimin e lëndëve djegëse bërthamore dhe depozitimin e mbeturinave atomike.

https://p.dw.com/p/ArQL
Shufrat djegëse bërthamore / Pamje nga një central i Koresë së Veriut
Shufrat djegëse bërthamore / Pamje nga një central i Koresë së VeriutFotografi: AP

Brenda këtij viti Irani donte të vinte në funksionim së paku pjesërisht reaktorin e parë bërthamor. Centrali në qytetin Busher, konstruktimi i të cilit ka nisur qysh para revolucionit islamik nga koncerni gjerman Siemens, qysh prej disa vitesh vazhdon të ndërtohet prej teknikëve rusë. Ky reaktor duhet të shërbejë si simbol i krenarisë kombëtare iraniane.

Sipas planeve fillestare reaktori në Busher duhej të përfundonte në vitin 2003, ai u shty për në 2005 e aktualisht duket se do të ketë sërish shtyrje. Ndonëse të djelën Irani ndërmorri një hap të rëndësishëm: Rusia do ta furnizojë këtë central bërthamor me lëndët djegëse bërthamore. Afati mbetet konfidencial. Irani dëshironte t´i kishte sa më shpejt 90 ton lëndët e para, më e mira madje qysh në maj të këtij viti. Por duket se Rusia nën presionin amerikan e ka shtyrë furnizimin.

Falë presionit të përbashkët ruso-perëndimor, Irani do t´i kthejë lëndët bërthamore të konsumuara. Ato përmbajnë pluton dhe mund të përdoren për prodhimin e armëve. Irani ka nënshkruar kthimin e lëndëve të djegura pas 10 vjetësh përdorimi. Kamerat e Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore, shkurt IAEO, vëzhgojnë centralin bërthamor Busher dhe qëllimi është që të garantohet, se nuk ka devijim nga shfrytëzimi civil i këtij reaktori. Ky është një reaktor i ujit të lehtë dhe i përmasave mesatare. Këto lloj reaktorësh konsiderohen si të parrezikshëm, ata punojnë vetëm me uran të pasuruar dobët, që nuk është i përshtatshëm për prodhimin e bombës bërthamore.

Bisedimet mes Rusisë dhe Iranit kanë zgjatur shumë, ndryshe nga ç´parashikohej. Edhe fakti që tani gjithçka mbetet konfidenciale, si p.sh. data e furnizimit të shufrave bërthamore, të çon në konkluzionin se ka mosmarrëveshje. Rusia arguementon, se është e nevojshme që në bllokun e parë të reaktorit të montohen parametra të mëtejshëm sigurie, ndaj për këtë Moska do të dërgojë inxhinierë të tjerë në Gji. Dhjetë muaj më vonë mund të fillojë vënia në funksionim për testimin e reaktorit. Ndoshta ky do të jetë i pari reaktor iranian që do të vihet në funksionim pas dy vjetësh.

Shtyrja e këtij afati është në interes të SHBA. Presidenti i SHBA Xhorxh Bush dhe ai i Rusisë Vladimir Putin gjatë takimit javën e shkuar në Bratislavë biseduan intensivisht lidhur me programin bërthamor të Iranit. Rusia është e interesuar në masë të madhe ta ketë Iranin partner tregtar, pasi fjala është për porosi në vlerën e 10 miliardë dollarëve duke pasur parasysh që Irani planifikon të ndërtojë të paktën edhe gjashtë reaktorë të tjerë bërthamorë. Putin ka theksuar, se beson në qëllimin paqësor të programit iranian dhe u përmbahet porosive të marra prej Iranit. Megjithatë çdo muaj që shtyhet është një pikë plus për SHBA: ato përgatisin raportin për Iranin që do ta paraqesin në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork, sipas planeve amerikane kjo mund të ndodhë në qershor. Sanksionet e OKB-së do ta pengonin furnizimin e lëndëve bërthamore nga Rusia në Iran.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme iraniane Asefi, ka theksuar ndërkaq, se Irani nuk do t´i përgjigjet dëshirës së evropianëve për të hequr dorë plotësisht prej programit për pasurimin e uranit. Ndonëse shteti fetar tani për tani e ka ndërprerë procesin e pasurimit të uranit, ai e konsideron këtë si një masë të përkohshme për rifitmin e besimit. Perëndimi i kërkon Iranit që të heqë dorë përfundimisht nga ky program, por për këtë nuk ekziston ndonjë bazë ligjore.