Rrustemi: SHPK ka nevojë të aftësohet dhe më shumë | Ballkani | DW | 21.03.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Rrustemi: SHPK ka nevojë të aftësohet dhe më shumë

Në kuadër të Ministrisë së Brendshme ka ca muaj që ka filluar punën edhe Inspektorati Policor i Kosovës i drejtuar nga Enver Rrustemi

Kryeshefi i Inspektoriatit Policor të Kosovës, Enver Rrustemi

Kryeshefi i Inspektoriatit Policor të Kosovës, Enver Rrustemi

Ai është mekanizëm i pavarur për mbikëqyrjen e policisë. Në një bisedë për Rubrikën ‚Hapat’, kryeshefi i këtij inspektoriati, Enver Rrustemi flet ndër të tjera edhe për përfshirjen e pjestarëve të komuniteteve tjera në Shërbimin Policor të Kosovës dhe në Inspektoriat si dhe bashkëpunimin mes policëve shqiptarë dhe serbë.

Deutsche Welle: Zoti Rrustemi kur është formuar dhe sa ka arritur të konsolidohet deri tani Inspektoriat Polcior i Kosovë?

Enver Rrustemi: Inspektoriati Policor i Kosovës (IPK) ka filluar punën me 3 korrik të vitit 2006 me grupin e parë të inspektorëve të cilët i janë nënshtruar trajnimit 30 javor të udhëhequr nga ekipi implementues i OSBE-së. Ky ekip implementon marrëveshjen e lidhur mes IPVQ-ve dhe OSBE-së lidhur me ngritjen e kapaciteteve kadrovike Këtyre ditëve është në procedurë e sipër edhe përzgjedhja e kandidatëve për grupin e dytë të inspektorëve policor. Krahas ngritjes profesionale IPK ka kryer edhe një sërë detyrash të përcaktuara me rregullore. Gjatë vitit të kaluar kemi kryer shtatë inspektime nga fusha të ndryshme të menaxhimit brenda SHPK-së, ndërsa sivjet kemi kryer edhe inspektimin e jashtëzakonshëm lidhur me trazirat e 10 shkurtit.

Deutsche Welle: Ju së fundi keni publikuar edhe raportin lidhur me sjelljet e Shërbimit Policor të Kosovës më 10 shkurt. Ai nuk është final dhe nuk saktëson asgjë për sjelljet e policisë vendore me 10 shkurt, por ka shumë rekomandime për policinë se si duhet të sillet në të ardhmen, pasi që janë hetuar lëshime të shumta. Cilat janë ato?

Enver Rrustemi: Raporti i IPK-së lidhur me inspektimin e jashtëzakonshëm për trazirat e 10 shkurtit i është dorëzuar organeve relevante të Kosovës. Në raport janë konstatuar lëshimet e bëra nga ana e policisë në mosmenaxhimin si duhet të situatës në terren gjatë këtyre trazirave. Njëherit janë dhënë edhe rekomandimet e duhura konform rregullores në fuqi. Siç është i njoftuar edhe opinioni publik Inspektoriati është duke bërë edhe mbikqyrjen e hetimeve të cilat janë duke u zhvilluar nga Taske Force e krijuar. Roli i Inspektoriatit është që të vëzhgoj rrjedhën e hetimeve lidhur me këto ngjarje ku më pas do të dalim edhe me raportin tjetër.

Deutsche Welle: Në bazë të asaj që keni hetuar deri tani, a mendoni se SHPK është e aftësuar sa duhet të qëndroj përshembull në mes të dy grupeve kundërshtare që do të protestonin në të njëjtën kohë? Protesta të këtij lloji zhvillohen përshembull këtu në Gjermani.

Enver Rrustemi: Në bazë të raportit tonë janë konstatuar lëshime duke filluar nga mënyra e organizimit deri te implementimi i planit operativ të policisë. Në bazë të rekomandimeve të dhëna del se SHPK-ja ka nevojë të aftësohet dhe më shumë lidhur me menaxhimin e këtyre situatave duke përfshirë edhe situatat kur në të njëjtën kohë protestojnë dy apo më shumë grupe rivale.

Deutsche Welle: Sa janë të përfshirë pjestarët e komuniteteve të tjera në Shërbimin Policor të Kosovës në përgjithësi dhe në IPK në veçanti?

Enver Rrustemi: Në bazë të informaciomeve që dalin nga inspektimi i kryer në fushën e burimeve njerëzore del se SHPK në kuadrin e saj ka inkuadruar një numër të madh të policëve të etniteteve të ndryshme. Në Shërbimin Policor të Kosovës etnitetet joshqiptare përfaqësohen me 16.1 përqind kurse pjesëmarrja e këtyre etniteteve brenda Inspektoriatit është 15.7 përqind.

Deustche Welle: Kjo do të thotë se ju brenda Inspektoriatit keni edhe bashkëpunëtorë serbë?

Enver Rrustemi: Po, kemi.

Deutsche Welle: Zoti Rrustemi organi që ju drejtoni vëzhgon me kujdes punën e Shërbimit Policor të Kosovës. Cili është bashkëpunimi mes policëve shqiptar dhe serb në kuadër të SHPK-së dhe a janë duke u treguar të efektshme aktivitetet e patrullave të përziera?

Enver Rrustemi: Deri tani në bazë të inspektimeve të bëra kemi hasur në bashkëpunim të ndërsjelltë në mes të policëve shqiptar dhe atyre serb në veçanti. Gjatë kësaj kohe nuk kemi vërejtur shenja të mosefikasitetit në rast se patrullat e policisë janë të përziera dhe vet rekomandimet tona flasin për një bashkëpunim të mirë në mes të policëve shqiptarë dhe atyre joshqiptarë. Po ashtu kemi rekomanduar që në të ardhmen të aplikohet më shumë struktura e përzierë që nga Shtabi qendror e deri tek nivelet më të ulëta.

Deutsche Welle: Eshte përgjegjësi e IPK-së për t’i hetuar ankesat për sjellje të këqia të policëve ndaj personave civilë. A ka patur raste që pjesëtarë të komuniteteve të ankohen për sjellje të këqija të policëve shqiptarë ndaj tyre apo anasjelltas që një ndonjë banorë shqiptar i Kosovës të ankohet për sjellje të keqe të ndonjë polici serb të SHPK-së?

Enver Rrustemi: Ne nuk kemi statistika lidhur me numrin e ankesave në bazë nacionale për sjelljet e këqija të policëve qoftë shqiptarë apo të tjerë dhe deri tani brenda policisë ka funksionuar njësia e standardeve profesionale e cila është marrë me shkeljet e policëve gjatë kryerjes së detyrave. Meqenëse është në procedurë e sipër përzgjedhja e grupit të dytë të inspektorëve që do të mirren me hetimin e shkeljeve pjesa më e madhe e detyrave që ka kryer kjo njësi do të kaloj në kuadër të IPK kurse njësia e standardeve profesionale do të mirret vetëm me shkeljet e lehta të policëve.

  • Data 21.03.2007
  • Autor Esat Ahmeti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArXT
  • Data 21.03.2007
  • Autor Esat Ahmeti
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArXT
Reklamë