Refugjatët afganë në Shqipëri dhe debati rreth tyre
18 Gusht 2021Prej rreth një jave Shqipëria është përfshirë në debate të shumta që lidhen me strehimin e shtetasve afganë. Qeveria shqiptare ka qenë e rezervuar në dhënien e informacioneve mbi këtë temë.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim deklaroi se ata do të qëndrojnë përkohësisht në Shqipëri, duke mos bërë të ditur numrin e saktë të të ardhurve. "Nuk kemi ende një numër të saktë të afganëve që do të strehohen përkohësisht këtu” – tha ajo dje (17.08) në një deklaratë të shkurtër për mediat. Burime jozyrtare thanë për Deutsche Welle-n se "kontigjenti i parë do të jetë rreth 300-350 persona. Dhe brenda pak ditësh presim rreth 800 të tjerë. Se si do të shkojnë punët më pas, nuk e dimë. Është situatë gjithnjë e në zhvillim”.
Operacioni humanitar menaxhohet i gjithi nga strukturat amerikane. Në Shqipëri, pritësja është Ministria e Jashtme. Burimet thonë se ata do të vijnë nëpërmjet një fluturimi direkt nga Kabuli dhe jo tranzit, duke iu përmbajtur protokollit të evakuuimeve në situata të ngjashme krizash humanitare. Afganët e parë do të strehohen fillimisht në gjashtë konviktet e studentëve në Tiranë. I gjithë "Qyteti Studenti”, ka një kapacitet prej rreth 7500 shtretër. Me nisjen e vitit të ri akademik, dhe në varësi të zhvillimeve, burime zyrtare thonë se shtetasit afganë do të zhvendosen në hotelet e qytetit bregdetar të Durrësit, një qytet 30 minuta larg Tiranës.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Agim Nesho, e konsideron një qëndrim politik dhe moral pranimin e mijërave refugjatëve afganë. "Ky veprim shikohet me dëshirën dhe vullnetin që tregojnë vende të vogla si Shqipëria dhe Kosova për të marrë përgjegjësi dhe bashkëpunuar me vendet perëndimore në kushtet e një krize” – i tha DW Nesho.
Nesho shtoi se "edhe nëse veprimin e vlerësojmë të drejtë, nuk ka pasur transparence në marrjen e një vendimi konsensual me të gjitha institucionet e shtetit dhe duke përfshirë opinionin publik”.
"Regjimet ballkanike, ku bën pjesë edhe Shqipëria, kryesisht vuajnë nga probleme të tilla si korrupsioni dhe klientelizmi si dhe mosfunksionimi i shtetit ligjor. Liderat e Ballkanit i shikojnë këto momente si oportunitet ‘të artë' për të konsoliduar pushtetin e tyre me veprime që janë të nevojshme dhe të pëlqyeshme për SHBA, BE apo vende të tjera të rëndësishme”.
Shqipëria dhe Kosova, shtete "skanimi”
Institucionet qeveritare në Shqipëri kanë vënë theksin se afganët që sillen këtu nuk janë aspak të rrezikshëm. Megjithatë, një tjetër burim jozyrtar i strukturave ligjzbatuese i tha DW-së se Shqipëria, Kosova dhe shtetet e tjera që do të presin afganët, janë shtetet ku do të skanohen (screening) të gjithë të mbërriturit.
Eksperti për çështjet e sigurisë, Redion Qirjazi, është i mendimit se pritja e afganëve nuk do të ketë ndikim negativ në sigurinë kombëtare të Shqipërisë. "Këta shtetas janë duke iu larguar një kërcënimi vdekjeprurës dhe një regjimi që me shumë mundësi do t'i shtypë dhe persekutojë për përkrahjen apo bashkëpunimin me forcat aleate në Afganistan, apo qoftë edhe për pikëpamjet demokratike që ata mund të mbartin; rrjedhimisht prioriteti i tyre nuk është të eksportojnë dhunë por të kërkojnë strehim”.
Qirjazi shton se ardhja dhe qëndrimi i tyre është i kontrolluar dhe i përkohshëm në Shqipëri. "Kjo gjë u mundëson institucioneve tona të sigurise të kenë në mbikqyrje më të hollësishme veprimtarinë e tyre në vend, në bashkëpunim kjo dhe me partnerët ndërkombetarë”. „Personat që do të strehoheshin në Shqipëri bëjnë pjesë në atë grup që do të konsideroheshin ndër më të moderuarit ideologjikisht, me pikëpamje politike dhe fetare te ngjashme me ato që shumica e besimtarëve në botë konsiderojnë të drejta”.
Debati që ka përfshirë opinionin publik lidhet me faktin nëse Shqipëria do të jetë vend tranzit apo i përherhëm i afganëve.
"Ndryshe nga ç'lexon e dëgjon në mediat, këta që do të strehohen nuk janë "talibanët”, por kundërshtarët e talibanëve. Siç mund të merret me mend, një pjesë e mirë e këtyre janë të lidhur me një mijë fije me Perëndimin dhe vështirë që të zgjedhin Shqipërinë për t'u vendosur përfundimisht – do të preferonin, besoj, të kapërcenin oqeanin, drejt SHBA-ve dhe Kanadasë, në komunitete ku do të ndihen më mirë "në shtëpinë e tyre” – i tha DW Ardian Vehbiu, publicist shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
A i përballon dot Shqipëria afganët?
Një tjetër pikë ku analistët dhe ekspertët kanë mendime të ndryshme, është edhe ajo nëse një vend i vogël dhe me probleme të shumta politike dhe ekonomike, mund të përballojë fluksin.
Vehbiu mendon se Shqipëria është në gjendje për t'i sistemuar refugjatët afganë, me mbështetjen financiare dhe logjistike të NATO-s. Ai kundërshton fort paralelizmin e mbërritjes së afganëve në Shqipëri me eksodin shqiptar të viteve 1990, kur me rënien e regjimit 50-vjeçar dictatorial, mijëra vetë emigruan kryesisht në Itali.
"Krahasimi nuk më duket se qëndron, as për keq dhe as për mirë; sepse sidoqë të vijnë punët, Shqipëria do të strehojë ata afganë që do të ndihmohen të vijnë, jo ata që thjesht do të duan të vijnë; në kuptimin që nuk duhet ngatërruar masa e afganëve të tmerruar nga çfarë po ndodh në vendin e tyre dhe që duan të largohen (ata që shohim në pamjet filmike nga aeroporti dhe rrugët e Kabulit), me afganët që do të lejohen të largohen”.
Eksperti Qirjazi gjykon se Shqipëria i ka kapacitetet e kufizuara në kushte të zakonshme, për pritjen dhe procesimin e emigrantëve apo azilkërkuesve. Ai i referohet raporteve të vazhdueshme të BE-së, që raportojnë se qendrat zyrtare të pritjes kanë kapacitete të limituara logjistike dhe administrative (hapësira pritjeje por dhe burime të kualifikuara njerëzore).
"Megjithatë, në rastin konkret është akoma e paqartë nëse pritja e këtij kontigjenti do të bëhet përmes rrugëve aktuale zyrtare apo do të mundësohen burime alternative për përballimin e fluksit”.
Shqipëria - fiton apo humbet?
Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete me shumicë myslimane. Nesho nuk mendon se elementi fetar ka luajtur rol në vendimmarrjen e SHBA-ve. "Nuk mendoj që në marrjen e vendimit për pranimin e refugjatëve afganë, si Kosova ashtu edhe Shqipëria, janë motivuar nga elementi fetar në këtë qëndrim. Për Kosovën kërkesa që ka ardhur nga SHBA ka qënë determinuese për marrjen e vendimit, duke njohur rolin primar dhe të jashtëzakonshëm të SHBA-së për të ndaluar gjenocidin serb kundër Shqiptarëve si dhe përkrahjen e tyre të madhe për cështjen kombëtare. Për Shqipërinë, e cila fatkeqësisht përfaqësohet vetëm me zërin e kreut të regjimit, ky veprim është një shans për t'u bërë i pranueshëm nga perëndimi”.
Pikëpyetjet që ngrenë ekspertët kanë të bëjnë me përfitimet ose jo të Shqipërisë në këtë situatë të paprecedentë.
Ardian Vehbiu mendon se është një shans i mirë për Shqipërinë. "Pranimin e strehimit të afganëve, nga ana e qeverisë Rama, e shoh më tepër si një detyrim shtetëror ndaj koalicionit dhe NATO-s dhe ndaj SHBA-ve që në këtë moment janë në vështirësi. Aq më tepër që forca të ushtrisë shqiptare kanë vepruar në Afganistan prej vitesh dhe kanë marrë pjesë në misione paqeruajtëse, duke krijuar edhe ato lidhje bashkëpunimi me vendësit. Veç kësaj, më duket njerëzore që të ndihmohen njerëz të cilët rrezikohen seriozisht, edhe ngaqë kanë besuar në misionin e koalicionit perëndimor në vendin e tyre. Është thënë që shpenzimet e strehimit të tyre do të mbulohen nga NATO-ja, por edhe sikur të ishte ndryshe, mikpritja e Shqipërisë nuk duhej të mungonte, pavarësisht nga çfarë i ka motivuar – nuk po them frymëzuar – drejtpërdrejt politikanët dhe ushtarakët që janë marrë vesh për këtë zhvendosje. Përndryshe, në afat të mesëm dhe të gjatë, përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të varet nga të dhëna që sot nuk i kemi”.
Ndërsa Nesho e sheh këtë situatë si një përfitim politik të udhëheqësve ballkanikë.
"Më tepër se fiton Shqipëria, fiton regjimi autokratik që është në pushtet. Regjimet janë të prirura për të fituar imazhin dhe negociuar për veten e tyre sesa këto oportunitete t'i kthejnë në dobi të ekonomisë shqiptare dhe mirëqënies së popullit. Mësimi i madh që vjen nga Afganistani është se regjimet e korruptuara nuk mund dhe duhet të tolerohen pasi sjellin kriza të papërballueshme” – analizon ish-ambasadori Nesho.