Raka bie, IS-i dëbohet, por zgjidhja është ende larg | Bota | DW | 22.10.2017
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Raka bie, IS-i dëbohet, por zgjidhja është ende larg

Pas katër vitesh pushtimi, "Shteti Islamik" është dëbuar nga Raka në Siri. Ajo që duket si lajm i mirë në fillim, nuk është arsye për t'u gëzuar në realitetin e atjeshëm, madje as për luftëtarët kurdë që hynë në qytet.

Ajo shihet si një fitore simbolike për koalicionin e drejtuar nga SHBA kundër të ashtuquajturit "Shteti Islamik", por një fitore e shtrenjtë. Kur luftëtarët kurdë, të Forcave të Armatosura Demokratike Siriane, SDF, ngritën flamujtë e tyre në Raka, ata gjetën një qytet tërësisht të shkatërruar, gati të braktisur nga 300.000 banorët e tij. Edhe numri i viktimave është shumë i lartë. 3000 viktima ka llogaritur Qendra Siriane e Vëzhgimit për të Drejtat e Njeriut, ndër ta 1100 civilë.

Por fitorja e Rakës nuk do të thotë mposhtje përfundimtare e IS-it. Megjithëse Raka ka qenë e pushtuar nga qershori, IS-i arriti të zhvendoste qindra luftëtarë dhe një pjesë të armatimeve të rënda në Dayr-az-Zur, në juglindje të Eufratit. Fitorja u bë po ashtu e mundur, pasi qindra islamistëve të IS-it iu sigurua kalimi i lirë. Ndërkohë që strategjia e koalicionit në Siri është shkatërrimi i IS-it dhe mosnegociimi. Si është e mundur kjo?

Armiku i armikut tim...

është nganjëherë prapë armiku im. Kështu deviza në këtë luftë ka qenë të gjithë kundër të gjithëve. Fakti që IS-i nuk është zhdukur ende, ka lidhje edhe me një fakt tjetër- që në rajonin e luftës ai ende ka rëndësi strategjike dhe nga shumë palë të luftës përdoret si kartë kundër konkurrencës. Në këtë rast është koalicioni i drejtuar nga amerikanët, që kërkon të frenojë përparimin e ushtrisë siriane në Dayr az-Zur, me qëllim që forcat e SFD-s të kenë kohë të fusin ndikimin e vet aty.

Me këtë lojë filloi edhe regjimi në Damask. Pak muaj para shpërthimit të luftës në vitin 2011, ai liroi mijëra islamistë nga burgjet, në një kohë që arrestonte, vriste, e torturonte demonstrues paqësorë. Shumë nga këta islamistë iu bashkuan grupimeve të armatosura që në vitin 2013 u bashkuan tek IS-i. Kur IS-i filloi të pushtonte territore të mëdha, kjo shkoi në disfavor të opozitës së moderuar, si në vitin 2014 në Raka. Mes IS dhe regjimit u duk sikur kishte një pakt të pashprehur të mossulmimit. Të vlefshme për të dyja palët. IS-i nuk u pengua të pushtonte territore të tëra në Siri dhe Irak, dhe Damasku mund të godiste opozitën e moderuar në pjesë të ndryshme të vendit, e në shkallë ndërkombëtare të deklaronte, se është alternativa e vetme ndaj një sundimi islamist të dhunshëm.

Favoret e PYD-s

Por shfaqja e IS-it solli favore edhe për partinë siriano-kurde të Unionit Demokratik, (PYD) dhe krahun e saj të armatosur, njësitë popullore të mbrojtjes. Kur protestat në Siri u shkallëzuan në konflikt të armatosur, ushtria pro regjimit u tërhoq nga rajonet e qeta kurde në veri të vendit për t'u përqëndruar në shkatërrimin e rebelimit në pjesë të tjera të vendit. Pa deklaratë zyrtare, Damasku i la rajonet kurde nën vetëadministrimin e PYD-s, gjë që solli rivlerësimin politik të kurdëve. Problemi kryesor i PYD-s ishte se në Turqi, SHBA e BE ato konsideroheshin si krahu sirian i partisë popullore kurde, PKK që është e kategorizuar si organizatë terroriste. Por kjo ndryshoi me avancimin e shpejtë të IS-it dhe mbrojtjen që i bënë kurdët qyteteve, Aynal-Arab dhe Kobane. Papritur ata u bënë të pranueshëm në sallonet perëndimore dhe u bënë aleatë të amerikanëve në luftën civile siriane.

Me ndihmën amerikane, PYD arriti të ndalte IS-in dhe të pushtonte territore, që nuk ishte banuar me shumicë nga kurdë. U duk se ëndrra për bashkimin e territoreve në Sirinë veriore me pjesën perëndimore në një shtet të mëvonshëm të madh të Kurdistanit. Raporti i Amnesty International në vitin 2015 akuzon PYD-n për pastrime etnike, krime lufte dhe dëbimin e banorëve arabë nga fshatrat e pushtuar. Për të përmirësuar imazhin, luftëtarët e PYD-s u riformatuan dhe ushtarët u integruan në SDF-n, Forcat e Armatosura Demokratike Siriane, por realisht kjo ushtri përbëhet 90% nga luftëtarë të PYD-s.

Nga Raka një Kirkuk sirian?

Shtrirja e ndikimit të PYD-s në rajonet jo kurde të pushtuara në më shumë se dy vitet e fundit, nuk pranohet jo vetëm nga popullsia lokale, por edhe fuqitë rajonale, sidomoa nga Turqia. Edhe "këshilli civil" që kërkon të krijojë ajo për të qeverisur Rakan, ka pak shanse të jetë i pranueshëm. Në plan afatmesëm me shumë gjasa, kurdët sirianë mund të kenë fatin e vëllezërve irakianë në Kirkuk, që duhet të dorëzonin së fundmi provincën e pasur me naftë tek qeveria qendrore në Bagdad. Ata do të përpiqen që nga territoret e fituara të nxjerrin sa më shumë kapital politik, edhe pse e dinë që një marrëveshje politike në rajon, edhe ato të mbyllura me fuqitë e mëdha, nuk kanë shumë vlefshmëri. Oferta e ministrit të Jashtëm sirian, Al-Muallim për autonomi të rajoneve kurde ka ardhur në kohën e fuhur për ta. Mbetet të sqarohet, nëse SHBA do të jetë dakord dhe të gatshëm në plan afatgjatë të angazhohen për zbatimin e një marrëveshje që mund të arrihet.