1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qëndrimi zyrtar është ai Grupit të Kontaktit

Viron Gjymshana6 Tetor 2006

Zëdhënësja e Komisionit Europian Kristina Nagi, deklaron se pavarësisht nga propozimet e deritanishme për shtyrjen për më vonë të statusit të Kosovës, qëndrimi zyrtar që mbetet në fuqi është ai i marrë nga ministrat e Grupit të Kontaktit të mbledhur muajin e kaluar në Nju Jork.

https://p.dw.com/p/Arbz
Komisioni i BE në Bruksel
Komisioni i BE në BrukselFotografi: AP

Propozimet për shtyrjen për më vonë të zgjidhjes së statusit të Kosovës kanë ngjallur përshtjellim dhe huti edhe në institucionet euroatlantike në Bruksel.

Zyrtari më i lartë i BE-së që parashtroi mundësinë e shtyrjes së statusit të Kosovës, të paktën deri në përfundim të zgjedhjeve dhe referendumeve në Serbi, ishte shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian Havier Solana. Gjatë një fjalimi të mbajtur para Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, Havier Solana i bëri një jehonë të gjërë shqetësimeve që i kishte shprehur atij, presidenti i Gjeorgjisë Shakashvili, sipas të cilit skenari i pavarësisë së Kosovës rrezikonte të përshkallëzonte situatën në vendin e tij, pasi edhe Osetia dhe Abkhazia, vende këto që ndodhen aktualisht nën sovranitetin e Gjeorgjisë do të kërkonin edhe ato të njëjtat të drejta ndarjeje si Kosova.

Solana i bëri thirrje me këtë rast edhe Marti Ahtisarit që të kishte parasysh edhe zhvillimet në Serbi, ku priten të organizohen zgjedhje të pârakohshme dhe referendum për kushtetutën, për të shtyrë për më vonë përcaktimin e statusit të Kosovës.

Pikërisht nisur nga këto supozime mbi lidhjen dhe kushtëzimin e ngjarjeve në Serbi me ato në Kosovë, si dhe për tu njohur me opinionin e komisionerit përgjegjës për zgjerimin Olli Rehn, zëdhënësja e tij, Kristina Nagi u pyet se cili ishte qëndrimi i Komisionit Europian ndaj këtyre mundësisë për zgjatjen s'dihet se deri kur të zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Por zëdhënësja e komisionerit Rehn bëri të qartë se: " pavarësisht nga të gjitha, deri më sot mbeten në fuqi vendimet e marra nga Grupi i Kontaktit në takimin e tij të fundit ministror të zhvilluar në Nju Jork, që do të thotë se propozimi për zgjidhjen e statusit duhet të bëhet deri në fund të këtij viti."