Putin hap kongresin botëror të botuesve të gazetave | Politika | DW | 05.06.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Putin hap kongresin botëror të botuesve të gazetave

Të hënën më 5 maj në Kremlin u hap kongresi i 59 ndërkombëtar i gazetarëve dhe menaxherëve të mediave. Deri të mërkurën më 7 maj pjesëmarrësit do të diskutojnë mbi perspektivat e kësaj dege. Në referate dhe diskutime bëhet fjalë për të ardhmen e gazetave, rolin e logove të reklamës si dhe të portaleve në internet.

Kremlini natën

Kremlini natën

Natyrisht, që presidenti rus është krenar, që ajka mbarëbotërore e botuesve të gazetave dhe redaktorëve kongresin e radhës e zhvillon në Moskë: "Pavarësisht nga ajo që dikush mund të jetë përpjekur t´ua mbushë mendjen të mos vini në kongres, ose madje është përpjekur edhe t´ju frikësojë, më vjen mirë të konstatoj që shtypi s´trëmbet nga presionet dhe ka ardhur në Moskë. Faleminderit."

Por botuesit s´kanë ardhur në vendin më të madh të botës për të lavdëruar Rusinë. Për këtë ishte i preokupuar edhe vet presidenti Putin, i cili theksoi zgjedhjen e popullit rus për demokracinë: "Duket sheshit, që të tilla ndryshime rrënjësore do të ishin të pamundura pa shtypin e lirë. Garancia më e rëndësishme për pakthyeshmërinë e kësaj zgjedhjeje vazhdon të jetë liria e medias. Kjo është arritja jonë më me vlerë e ankoruar edhe në kushtetutë. Ligji për mediat, i miratuar qysh në vitin 1991, konsiderohet si ndër më liberalët në botë."

Por realiteti perceptohet ndryshe prej gazetarëve rusë dhe vëzhguesve të huaj. Ndonëse s´ka më censurë të plotë si në kohën e sovjetikëve, Timothy Balding, shef i shoqatës botërore të botuesve të gazetave, tërheq vëmendjen, se vetëm 10 për qind e gazetave ruse mund të mbijetojnë financiarisht. Pra ato janë të varura prej financimeve nga jashtë, nga qeveritë, partitë, administratat lokale, biznesmenët apo të tjera grupime. Shpesh herë, kryesisht nëpër rajone, gazetat detyrohen të heqin dorë, pasi u ndërpritet energjia apo ngrohja, ose sepse redaktorët konfrontohen me taktika dhe kërkesa absurde për tatimet. Një gjë e tillë është e rrezikshme: "S´është e mundur që një vend, një supërfuqi me madhësinë e Rusisë ka një shtyp, që ka kaq pak influencë dhe kaq pak pushtet. Një gjë e tillë s´ndodh në asnjë shoqëri tjetër moderne të këtij niveli. Ndaj besoj, se në të ardhmen Rusia s´mund të ekzistojë as si komb ekonomik dhe as si demokraci pa një shtyp të fuqishëm."

Këto deklarata publiku rus as i dëgjoi dhe as i pa. Në kronikat televizive publikut iu servirën vetëm pamje të presidentit. Balding në të kundërt duke vënë gishtin mbi plagën e medieve elektronike të kontrolluara nga shteti dhe nga një numër i madh ndërmarrjesh shtetërore theksoi: "Gazpromi posedon dy gazeta të rëndësishme dhe shumë medie të tjera. Kjo s´ndodh në asnjë demokraci tjetër moderne. Kështu s´është mirë, dhe kjo s´është shenjë e mirë, gazetarët s´mund të inkurajohen në këtë mënyrë për t´u zhvilluar, për të qenë të pavarur, objektivë dhe të ndershëm."

Shoqata botërore e botuesve të gazetave dëshiron, ndryshe nga vendi organizator Rusia, që të mos japë dëshmi të pastër për lirinë e shtypit, por ajo synon të nisë dialogun kritik, që zhvillohet në Rusi jashtë syve të opinionit. Nikolai Svanidse, një ndër personalitet e medias në Rusi dhe moderator në kanalin RTR i afërt me pushtetin, mendon, se publiku rus nuk është ambjentuar të lexojë dhe të dëgjojë një gamë të gjerë mendimesh të ndryshme. Kjo e lodh atë dhe e bën që të mendojë.

  • Data 05.06.2006
  • Autor Horst Kleuzer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqpm
  • Data 05.06.2006
  • Autor Horst Kleuzer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqpm