1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi i Berlinit, arrihen tre marrëveshje rajonale

21 Tetor 2022

Ministrat e jashtëm të BP kanë rënë dakord në Berlin për lëvizjen e lirë me karta identiteti mes shtetasve të rajonit, njohjen e diplomave universitare, dhe njohjen e kualifikimeve profesionale

https://p.dw.com/p/4IWZJ
Konferenz zum Westlichen Balkan im Auswärtigen Amt
Fotografi: Christoph Soeder/picture alliance/dpa

Falë angazhimit diplomatik të qeverisë gjermane, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur të premten në Berlin të bien dakord për nënshkrimin e tre marrëveshjeve të reja në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Këtë e bëri të ditur të premten në Berlin, ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, në kuadër të ministerialit të ministrave të jashtëm të vendeve të Procesit të Berlinit. 

Heqja e vizave mes Kosovës dhe Bosnjës 

Tri marrëveshjet parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të BallkanitPerëndimor, njohjen e diplomave universitare dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët.

Ministrja gjermane e punëve të jashtme theksoi të premten gjatë fjalës hapëse në konferencë se përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje e kanë njerëzit nga Kosova dhe Bosnja-Hercegovina, të cilët nuk do të kenë nevojë për vizë për të vizituar njëri-tjetrin. "Kjo do të thotë që të rinj kosovarë dhe bosnjakë do të vizitojnë njëri-tjetrin pa viza, gjë që  për ne evropianët është e zakonshme. Do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre bachelor për të punuar në Maqedoninë e Veriut, dhe që arkitektët nga Serbia të punojnë në Mal të Zi”. Baerbock tha se këto marrëveshje lehtësojnë rrugën për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal.

Heqja e tarifave për njohjen e diplomave dhe kualifikimeve

Krahas të dërguarit të posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për arritjen e marrëveshjeve ka punuar edhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, me qendër në Sarajevë. Sekretarja e përgjithshme e tij, Majlinda Bregu, sqaroi se falë marrëveshjes tani të diplomuarit nuk do të kenë nevojë të paguajnë më tarifa prej 200 deri 500 euro për njohjen reciproke të diplomave. "Me këtë marrëveshje, kjo kosto do të jetë zero. Për qytetarët ky është një fitim real”, tha ajo. Bregu tha se falë marrëveshjes së lëvizjes së lirë të njerëzve, bie edhe "muri i fundit i regjimit të vizave në Ballkanin Perëndimor, ai mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës”. 

Konferenz zum Westlichen Balkan im Auswärtigen Amt
Fotografi: Christoph Soeder/picture alliance/dpa

Duke kujtuar suksesin e parë të deritanishëm të Procesit të Berlinit, heqjen e tarifave roaming, Bregu tha se "tani ka ardhur koha që të hiqen tarifat roaming mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.” 

Nënshkrimi përfundimtar pritet më 3 nëntor

Dokumenti përfundimtar do të nënshkruhet në samitin e 3 nëntorit në Berlin, në prani të gjithë liderëve të shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe përfaqësuesve të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisionit të BE.

Marrëveshjet e arritura janë tre nga katër marrëveshjet, për të cilat liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kishin rënë dakord qysh në samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020, asokohe nën ish-kancelaren Merkel. Por ato mbetën të paimplementuara për shkak të mungesës së vullnetit politik të Kosovës dhe Serbisë. Kosova ngulte këmbë që ajo të merrte pjesë në këto marrëveshje si Republikë e Kosovës, gjë që nuk e pranonte Serbia. Kompromisi i arritur, duket se i ka tejkaluar këto mosmarrëveshje. Qarqe diplomatike i dhanë DW se është zgjedhur një gjuhë diplomatike të atillë, me të cilën mund të jetojë si Kosova, ashtu edhe Serbia.

Anila Shuka, shikon e buzëqeshur në drejtim të kameras
Anila Shuka autore, redaktore dhe korrespondente nga Berlini