1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina do të kërkojë hetime nga EULEX

25 Janar 2011

Në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së diskutohet sot raporti i Dick Marty-t, i cili akuzon një pjesë të strukturave të UÇK-së të jenë marrë me aktivitete të paligjshme përfshirë edhe trafikimin me organe njerëzish.

https://p.dw.com/p/102Vk
PrishtinaFotografi: Filip Slavkovic

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, akoma nuk e dinë nëse do tu lejohet që të flasin në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku do të diskutohet për raportin e Dik Martit. Raportuesi i kësaj organizate, Dik Marti akuzon një pjesë të strukturave të UÇK-së të jenë marrë me aktivitete të paligjshme përfshirë edhe trafikimin me organe të njerëzve.

Nënkryetari i parlamentit të Kosovës, Xhavit Haliti, emri i të cilit përmendet në raportin e Dik Martit, gjendet tashmë në Këshllin e Evropës. Ai thotë për DW se në pamundësi të pjesëmarrjes në sesion, delegacioni i Prishtinës do të përpiqet që të kordinojë veprimet me shtet mike të Kosovës. “Ne po kërkojmë një zgjidhje evropiane për raportin dhe për të gjitha akuzat një nga një që do të thotë përgjegjësi individuale dhe një zgjidhje të këtij problemi përmes hetuesisë. Ne jemi deklaruar se jemi të hapur individualisht dhe si Kosovë që të pranojmë hetim nga misioni EULEX, për këtë çështje”, thotë Xhavit Haliti.

Kosovo - Befreiungsarmee UCK
Njësi e UÇKFotografi: AP

Prishtina zyrtare, sipas zotit Haliti, kërkon që në rezolutën e Këshillit të Evropës që pritet të miratohet të futet një paragraf me të cilin kërkohet që argumentet që Dik Marti ka në raportin e tij, t'ia dorëzojë misionit EULEX në Kosovë.

Ndërkohë, zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi, thotë për programin tonë se ky mision përmes një letre zyrtare ka kërkuar nga Dik Marti që argumentet e tij t'ia dorëzojë këtij misioni në mënyrë që të mund të fillojnë hetimet. “EULEX akoma nuk ka pranuar ndonjë provë apo burim, të cilat do t'i mundësonin prokurorisë për të ndjekur penalisht pretendimet e theksuara në raport. Sidoqoftë ne shpresojmë që së shpejti të na dërgohet materiali i kërkuar”, thotë Blerim Krasniqi.

Ndërkohë, Xhavit Haliti, nënkryetar i parlamentit të Kosovës, thotë se është i gatshëm të bashkëpunjë me çdo hetues për të sqaruar njëheë e mirë akuzat kunder tij në raportin e Dik Martit. “Unë besoj në drejtësi dhe gjithmonë jam deklaruar që këto çështje duhet të jenë të drejtësisë dhe secili prej nesh duhet të jetë i gatshëm që para drejtësisë të jetë transparent”, thotë Xhavit Haliti.

Auflösung der UCK vereinbart
Hashim Thaci, Bernard Kouchner dhe gjenerali Michael Jackson pas nënshkrimit të marrëveshjes për shpërbërjen e UÇK, shtator 1999Fotografi: picture-alliance/dpa

Sidoqoftë, Kryeministri i qeverisë së Kosovës në largim, Hashim Thaçi, emri i të cilit poashtu përmendet në raportin e Dik Martit, zyrtarisht ka kërkuar nisjen e hetimeve. Ai i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, në të cilën thotë se hetimet duhet t'i kryejë misioni EULEX. “Duke pasur parasysh se draft-raporti përmban një numër të akuzave serioze, unë besoj se këto pohime nuk duhet të mbeten pa përgjigje. Për këtë arsye, si qenie njerëzore dhe si Kryeministër i Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin që t'u bëjë thirrje të gjitha autoriteteve kompetente, në veçanti EULEX-it, të bëjnë gjithçka që është e mundur për të zbuluar se çfarë ka ndodhur”, shkruan në letrën e tij, Hashim Thaçi.

Hashim Thaçi, konsideron se është e një rëndësie të madhe që hetimet të fillojnë sa më parë që është e mundur dhe ai garanton që qeveria e Kosovës të bashkëpunojë plotësisht në lidhje me hetimet e udhëhequra nga EULEX-i rreth pohimeve të zotit Dik Marti.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama