1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polakët kërcënojnë me 'JO' negociatat me Rusinë

Thomas Rautenberg15 Nëntor 2006

Në mosmarrëveshjet për marrëdhënie më të ngushta mes Bashkimit Europian dhe Rusisë pritet një shkallëzim i ri. Kryeministri polak Jaroslav Kazhinski, kërkon sanksione kundër Moskës

https://p.dw.com/p/Ar9n
Ky gazsjellës sjell gaz nga Rusia në Gjermani duke kaluar në Bjellorusi, Ukrainë dhe Poloni
Ky gazsjellës sjell gaz nga Rusia në Gjermani duke kaluar në Bjellorusi, Ukrainë dhe PoloniFotografi: AP

Më 24 nëntor duhet të fillojnë negociatat për një marrëveshje të re partneriteti mes BE-së dhe Rusisë. Marrëveshja ka të bëj ndër të tjera me çështjen e furnizimit të Evropës me energji. Por Polonia kërkon nga Rusia të bëj lëshime në çështjet tregtare dhe kërcënon me përdorimin e vetos.

Polonia jo vetëm që kundërshton bisedimet e tilla, por sikur në Bashkimin Evropian të kishte solidaritet atëherë do të duhej të ndërrmirreshin sanksione kundër Moskës, thotë kryeministri polak: "Rusia e paraqet këtë çështje si shumë të thjeshtë, dëshiron të lidhë marrëveshjen por ndaj Polonisë të sillet si t'i teket. Andaj dhe qëndrimi ynë: ne kërkojmë që Bashkimi Evropian t'i kushtoj rëndësi Polonisë gjatë lidhjes së kësaj marrëveshjeje. Dhe jo vetëm në fjalë por edhe në vepra. Nëse Bashkimi Evropian trajton këtë çështje në mënyrë korrekte dhe sipas kritereve evropiane atëherë tani duhet të vendosen sanksione kundër Rusisë", tha Kazhinski.

Gjermania ka interesat e saj, Polonia po ashtu

Deklarata e minsitrit të jashtëm gjerman Frank Valter-Shtajnmajer, se shpreson që qeveria polake të ndërrojë qëndrimin sa i përket përdorimit të vetos kundër negociatave të reja me Moskën është komentuar nga homologeja polake Ana Fortyga me fjalët: Gjermania siç duket ka interesat e saj dhe ne kemi interesat tona në këtë mes.

Pa një sinjal politik nga Moska për ratifikimin e kartës evropiane të energjisë dhe pa heqjen e bllokadës tregtare për mallërat bujqësore polake, polakët do t'i thonë edhe më tej 'JO' negociatave me Rusinë, u tregua e pakompromis ministrja e jashtme polake: "Rusia shfrytëzon energjinë si një mjet presioni politik. Dhe atje ku ajo posedon forcën shpall edhe ndalim-eksportin për mishin dhe produktet tjera bujqësore. Andaj askush nuk duhet të befasohet nëse edhe Polonia shfrytëzon mundësitë e saj", tha Fortyga.

Vetoja polake çështje parimore

Pikërisht në zënkat për Kartën evropiane të energjisë qeveria polake mban një qëndrim veçanërisht të ashpër. Varshava ka frikë se Moska mund t'i mbyll rubinetin e gasit Polonisë, nëse Evropa perëndimore do të furnizohej e veçuar me gaz përmes gazpërçuesit të Detit të Lindjes. Dhe në të gjitha bisedimet për heqjen e bllokadës ruse ndaj produkteve bujqësore polake Varshava e ndjen veten të lënë vetëm.

Vetoja polake kështu kthehet në një çështje parimore, shpreh bindjen e tij Pavel Zalevski, Kryetar i komisionit për politikë të jashtme në parlamentin polak:"Ne nuk mund të pranojmë antarësi të rangut të dytë në Bashkimin Evropian. Nëse një vend anëtar i BE-së ka një problem serioz dhe konkludohet se ky problem nuk është i natyrës teknike por politike, atëherë kjo do të duhej të ishte një sfidë për tërë Bashkimin Evropian", thotë Zalevski.

Solidaritet evropian kërkohet në negociata, por jo me përdorimin e një vetoje, thotë lideri i opozitës polake Donald Tusk i cili i druhet rrezikut nga një izolim i mëtutjeshëm: "Më me dëshirë do të shihja se si Polonia angazhohet për mbështetje. Nëse ne tani mbesim të vetëm me veton tonë atëherë nuk do të paraqesim problem vetëm për Rusinë por për tërë Bashkimin Evropian", thotë Tusk.