1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Perëndimi dhe droja për varësi energjitike nga Rusia

Horst Kläuser14 Korrik 2006

Shefat e qeverive të vendeve kryesore të industrializuara janë të shqetësuar për çmimet e larta të naftës dhe gazit. Prandaj ata duan të flasin këtë fundjavë në Sankt Petersburg para së gjithash për konsumin e përbotshëm të energjisë. Të gjitha vendet, me përjashtim të Gjermanisë, mbështesin shtimin e përdorimit të energjisë atomike. Por nafta, gazi dhe qymyri do të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm. Sepse Rusia është e pasur me këta bartës konvencionalë të energjisë, gjë që e bën të rritet fuqishëm ekonominë e vendit dhe ndikon në rritjen e mirëqënies. Këtë e di edhe presidenti Vladimir Putin, mikpritësi i takimit të nivelit të lartë të G-8-ës në Sankt Petersburg.

https://p.dw.com/p/ArL0

"Për fat të keq, një pjesë e madhe e pajisjeve tona teknike, që përdoret nga industria ruse është jo vetëm disa vjet, por disa dekada më e vjetër se teknologjia më moderne, që ekziston në botë. Edhe sikur t'i merrnim parasysh kushtet klimatike në Rusi, shpenzimi prej nesh i energjisë është disa herë më pak efikas se sa është ky shpenzim nga konkurentët tanë të drejtpërdrejtë."

Fjalë të hapura nga goja e Vladimir Putinit, e fjalë të tilla dëgjon rrallë prej tij. Në vend të kësaj ai preferon më mirë të ngrohet në diellin e kryesimit të G-8-ës. Presideti rus nuk lë asnjë rast t'i shpëtojë për ta paraqitur vendin e tij si një vend që nuk ka asnjë ndryshim nga shtatë gjigantët e tjerë ekonomikë. Por edhe vetë rusët, si profesori Andrei Zagorski, shkencëtar i shkencave politike në Universitetin e njohur MGIMO e sheh ndryshe këtë punë:

"Rusia është një fuqi botërore dhe fuqi rajonale e madhësisë si Brazili për shembull, në Amerikën Latine ose madhësi të ngjashme si India, Azia, por nuk është fare fuqi botërore, krahasuar me SHBA"

Po të mos ekzistonte rritja masive e cmimeve të gazit dhe naftës, Rusia do të kishte një produkt social bruto më të vogël se Hollanda dhe sipas të gjitha kritereve ekonomike, thotë britanikja Foreign Policy Center në një studim të fundit,nuk do të bënte pjesë kurrë në grupin G-8. Por furnizuesi më i madh me gaz i botës ka në duar rubinetat e ventilëve që furnizojnë Evropën Perëndimore dhe ka fituar në këtë mënyrë një prestigj krejt tjetër. Kështu që marrja e kryesisë së G-8- ës në fillim të vitit koncidoi me krizën e gazit në Ukrainë. Moska ia mbylli pa ia zgjatur rubinetin Ukrainës, gjë që e bëri zëvendëspresidentin amerikan Dik Ceni që ta akuzojë Rusinë për shantazh. Putini kundërshtoi me fjalët që cmimi i gazit përcaktohet vetëm nga motive ekonomike dhe Evropa perëndimore ka garanci për furnizimin me gaz:

"Madje edhe gjatë luftës së ftohtë dhe në kohën kur dy sisteme ndodheshin në prag të luftës atomike, Bashkimi Sovjetik e ka furnizuar ditë për ditë, orë për orë Evropën. Për c'frikë bëhet fjalë këtu xhanëm?"

Eshtë frika për varësi, rreziku që Kremlini t'i përdorë rezervat e tij gjigante energjitike si armë politike.

Rusia është vërtet e pasur, ka mbledhur 80 miliardë Euro në një fond stabiliteti, i cili ushqehet nga të ardhura prej naftës. 22 miliardë Euro borxhe të jashtme i paguan Rusia Klubit të Parisit, dhe kur këtë javë Rosneft, koncerni shtetëror i naftës të dalë në bursë, miliarda të tjera do të burojnë në Rusi. Por përvec naftës dhe gazit dhe lëndëve të tjera të para, si hekur, nikel dhe ar, Rusia nuk të ofron gjëra të tjera. Askush nuk i do automjetet ruse, kompjuterat rusë, teknikën mjekësore ruse, prodhimet farmaceutike ruse, madje as artikujt e modës, të zyrave ose mobiljet. Dhe pikërisht këtu është deficiti faktik i ekonomisë ruse, krahas pasigurisë juridike që sundon edhe më tej dhe korrupsionit galopant.