Pavarësisht krizës së karburanteve, BE i përmbahet linjës së sanksioneve ndaj Rusisë | Evropa | DW | 19.07.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Pavarësisht krizës së karburanteve, BE i përmbahet linjës së sanksioneve ndaj Rusisë

Sanksionet kundër agresorit rus do të ashpërsohen, BE kërkon njëkohësisht furnizues karburanti. Diplomacia e gazit nuk ka pasur sukses.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të japin 500 milionë euro të tjera nga mjetet financiare të BE për të blerë armë për Ukrainën. BE ka dhënë gjithsej 2,5 miliardë euro për këtë vend të sulmuar nga Rusia. Kjo shumë është sa gjysma e buxhetit për të ashtuquajturin  "Mjete për paqen”, me të cilën BE financon edhe misionet në Afrikë. BE vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim në politikën e vet, jo vetëm sa i përket shtimit të armëve të rënda për Ukrainën, por edhe sa i përket sanksioneve kundër Rusisë. Ministrat e jashtëm të BE-së këmbëngulin për këtë gjë në takimin e tyre në Bruksel. "Çfarë alternative tjetër kemi?", pyet në mënyrë retorike ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg. "Nëse do të rrinim duke parë pa bërë asgjë, çfarë do të ndodhte pastaj? Pastaj do të hynin në fuqi ligjet e xhunglës dhe kjo nuk është në interes të askujt.” 

Rriten zërat e kritikave 

Por radhët e BE nuk janë shumë unike. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili pengoi me veton e tij vendosjen e embargos së plotë të naftës, vazhdon të mendojë si dhe më parë se sanksionet kundër agresorit rus janë hap i gabuar. BE "ka goditur mushkritë e veta”, tha Orban në një intervistë radioje. "Ka vende që janë të bindura për politikën e sanksioneve, por Brukseli duhet të pranojë se ajo ka qenë e gabuar,” shtoi ai.  

Edhe në Gjermani kanë filluar diskutimet për efektin që kanë sanksionet. Duke pasur parasysh mungesën e karburanteve, industria gjermane paralajmëron se ekziston rreziku i kalimit në recesion dramatik. Politikani i majtë gjerman Klaus Ernst, kryetar i Komisionit të Pnergjisë në parlamentin gjerman, Bundestag, i kritikon sanksionet si "gol në portën e vet”. Megjithë përgjysmimin e sasisë së karburanteve që eksporton, Rusia nxjerr më shumë të ardhura se para luftës, për shkak të rritjes së çmimeve. 

Sipas një sondazhi të Institutit INSA për studimin e opinionit, ndërkohë 47 përqind e gjermanëve janë të mendimit se sanksionet dëmtojnë më shumë Gjermaninë se sa Rusinë. 

Belgien Brüssel | Josep Borrell

Josep Borrell, përfaqësuesi i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së

Borrell mbrohet 

I ngarkuari i BE-së me politikën e Jashtme, Josep Borrell i ka hedhur poshtë kritikat për efektin e sanksioneve. Disa vetë pretendojnë se çmimi i karburanteve është rritur për shkak të embargos së BE-së, tha Borreli gjatë takimit në Bruksel. Por kjo nuk është e vërtetë, shtoi ai.  

Këtë mund ta shohë kushdo që sheh faktet. "Çmimi i karburanteve ka të njëjtin nivel që ka pasur para fillimit të luftës në muajin shkurt,” tha i ngarkuari me politikën e Jashtme. 

Në fakt tregjet ndërkombëtare të karburanteve janë qetësuar. Analizat e bankës Goldmann Sachs i kanë korrigjuar prognozat për çmimin e karburanteve këtë vit duke i ulur, megjithë embargon e BE-së. Por kjo ka të bëjë me perspektivën e turbullt të ekonomisë globale dhe jo me politikën e BE-së. Frika nga recesioni ka çuar gjithnjë në karburante më të lira. 

Sanksionet kërkojnë të pengojnë të paktën Putinin 

BE është duke punuar për ashpërsimin e sanksioneve dhe zbatimin më të mirë të sanksioneve ekzistuese. Përveç kësaj duhet ndaluar tregtia me arin rus. Diskutimet se si duhet bërë kjo do të vazhdojnë deri të premten e ardhshme. 

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn mendon, se nuk duhen pritur mrekulli nga sanksionet. "Unë e di që ne nuk mund ta ndryshojmë botën duke vendosur sanksione, por ne duhet të qëndrojmë në linjën që kemi marrë. Linja është që të detyrojmë Putinin që të vijë në tavolinën e bisedimeve.” Asselborn mendon, se duhen kufizuar të paktën mundësitë ekonomike të pushtetmbajtësit dhe komandatit rus të luftës.  

Dhe kjo gjë është arritur, thuhet nga ekspertët përkatës të Komisionit të BE-së. Ekonomia ruse do të bjerë sivjet me dhjetë përqind, ndërkohë që ajo e BE-së do të rritet me gati dy përqind. 

Në Gjermani pritet me tension të madh të shihet a do të rrjedhë gaz rus në gazsjellësin Nordstream 1, sapo të mbarojnë punimet e mirëmbajtjes. Edhe nëse kjo gjë nuk arrihet, nuk duhen bërë përulje para kërkesave ruse, mendon ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis. Rusisë nuk i është ndaluar të eksportojë gaz. "Nuk ka sanksione për gazin, por ne të gjithë e dimë se Rusia mund ta përdorë energjinë si vegël politike. Qeveritë e përgjegjshme janë përgatitur për këtë gjë. Edhe sikur të mos vinte më gaz rus, unë shpresoj që të ketë furnizues të tjerë.” 

I ngarkuari i BE-së me politikën e Jashtme, Josep Borrell nuk pranon të ekzistojë lidhje midis gazit dhe sanksioneve: "Këto dy gjëra nuk duhen përzier.” 

Blerje energjie nga vendet fqinjë 

Komisioni i BE-së dhe vendet anëtare të BE-së ka muaj që kërkojnë furnizues të tjerë energjie. Por është e vështirë që për një kohë të shkurtër të zëvendësohen 40 përqind e gazit rus të importuar nga BE-ja. Premtime janë dhënë për të marrë gaz shtesë nga Norvergjia dhe Algjeria. Me furnizuesit e gazit të lëngshëm nga SHBA dhe Katari janë nënshkruar kontratat e para. Në fund të vitit do të mbërrijë në Gjermani gazi i parë i lëngshëm që vjen me terminalët lundrues. 

Kryeministri italian, Mario Draghi, ka shkuar në Afrikën e Veriut, për të siguruar më shumë gaz nga Algjeria dhe mundësisht naftë nga Libia. Po ashtu, Presidenti frencez Emmanuel Macron është në kërkim të furnizuesve të mundshëm dhe ka pritur në Paris, Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Scheich Mohamed bin Zayed Al-Nahyan. 

Të gjithë këto përpjekje diplomatike përfundojnë me marrëveshje në parim dhe deklarata mbi synime. Ato nuk janë kthyer ende në kontrata furnizimi me çmime të dhëna në euro dhe cent. 

Aserbaidschan Baku | Ursula von der Leyen und Jeyhun Bayramov

Preisdnetja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen (18.07.2022) në Baku

 Diplomaci karburanti në Baku 

Presidentja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen, u takua në Baku me pushtetmbajtësin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për të siguruar furnizime shtesë gazi nga gazsjellësi që kalon në Europën Juglindore. Sasia e furnizuar nga jugu i Kaukazit do të shtohet vitin tjetër nga tetë milliardë metra kubik gaz që është tani, në 20 miliardë metra kubik, njoftoi në Baku Ursula von der Leyen. Deri tani BE ka shpenzuar 400 milardë metra kubik gaz në vit. Kështu që pjesa që zë Azerbajxhani në sasinë e përgjithshme mbetet e vogël. 

Presidentja e Komisionit të BE zhvilloi në qershor bisedime për një marrëveshje në parim me Izraelin dhe Egjiptin për eksportin e gazit nga Izraeli nëpërmjet terminaleve lundruese egjiptiane. Izraeli ka rezerva të mëdha gazi në bregdet, por nuk ka infrastrukturën e duhur për të furnizuar gaz në Europë. Planet për një gazsjellës që do të sillte gaz në Itali nuk kanë bërë përpara. Shfrytëzimi i fushave të naftës dhe furnizimi i BE-së kërkojnë kohë dhe nuk do të arrijnë të sjellin gjë para dimrit të ardhshëm.  

Zërat e kritikave për "diplomacinë e gazit" janë shtuar, sepse për t'u shkëputur nga autokratët e Kremlinit, BE vihet në varësinë e regjimeve autokrate si ai i Azerbajxhanit ose Egjiptit. Sipas dëshirës së furnizuesve, furnizimi i gazit nga Katari, Azerbajxhani, apo Algjeria duhet bërë për një afat sa më të gjatë. Por kjo është në kundërshtim me politikën e BE-së për mbrojtjen e klimës. Sepse BE kërkon që deri në vitin 2050 të kthehet në neutrale për klimën, pra të punojë pa djegur naftë dhe gaz.  

Këtë të mërkurë (20.07) Komisioni i BE-së do të prezantojë planet emergjente nëse gazi rus mbetet krejtësisht jashtë loje.