Partia militante kurde shpall armëpushimin njëmujor me Turqinë
20 Gusht 2005
Prej ditës së sotme partia militante kurde, PKK do të heq dorë për një muaj nga përdorimi i armëve. Shpallja e armëpushimit të përkohshëm do të hap rrugën për zgjidhjen me mjete demokratike e paqësore të konfliktit kurd. Kështu deklaroi krahu politik i PKK-së, Kongra Gel. Pas përfundimit të armëpushimit, partia kurde do të rivlerësojë edhe një herë situatën.
PKK reagoi menjëherë pozitivisht pasi kreu i qeverisë kurde, Rexhep Taip Erdogan shpalli para një jave ndryshimin e kursit në politikën kurde. Në fjalimin e tij historik në territorin kurd, Erdogan pranoi gabimet e shtetit turk në raport me pakicën kurde dhe premtoi zgjidhjen e konfliktit me mjete demokratike.
Në Turqi deklarata e Erdoganit u prit me zhgënjim, për shkak se armëpushimi është i përkohshëm. Ndërkaq një politikan kurd nga Turqia juglindore u shpreh se reagimi i kryengritësve kurdë është një gjë e vogël krahasuar me shpresat dhe dëshirat e tyre.
Udhëheqësit kryesorë kurdë në Turqi, ndër ta edhe laureatja e çmimit të njohur Saharov, Leila Sana, kërkuan madje një ditë para armëpushimit, që PKK-ja t'i dorëzojë armët pa kushte dhe të heqin dorë përfundimisht nga lëvizjet e armatosura.
Refuzimi i PKK-së për heqjen dorë përfundimisht nga përdorimi i armëve, është edhe një goditje për përkrahësit kurd të Leila Sanës, e cila në ditët e ardhshme do të shpallë krijimin e një partie të re.
Qeveria turke nuk dha asnjë deklaratë zyrtare lidhur me shpalljen e PKK-së. Megjithatë është e qartë, që shteti turk nuk do të pranojë kërkesën e kryengritësve për të ndaluar të gjitha operacionet ushtarake në Turqinë juglindore dhe për të lejuar që udhëheqësi rebel, Abdullah Öçalan, të integrohet në procesin e paqes.
Fakti që armëpushimit i mbaron afati në 20 shtator, interpretohet në Ankara, si një mundësi e hapur që duan të lënë rebelët për të përdorur dhunën pikërisht në 3 tetor kur Turqia pret fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin evropian. Kështu Turqia nuk do të paraqitej me një imazh të mirë.
Në juglindje të Turqisë në muajt e fundit kanë humbur jetën me qindra vetë. Një ditë më parë në një tren pasagjerësh u vendos lëndë eksplozive. Për një javë në territorin kurd kishte shpresa të mëdha për arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Pas deklarimit të armëpushimit me afat njëmujor, ato janë fundosur sërish.