Parlamenti Evropian bën thirrje për njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë | Ballkani | DW | 06.07.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Parlamenti Evropian bën thirrje për njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë

Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”.

Parlamenti Evropian miratoi pas dy ditë diskutimesh tri raporte për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjen e Hercegovinën, në të cilat bëhet thirrje për mbështetje të perspektivës evropiane të këtyre tri vendeve. Paralamenti miratoi edhe një rezolutë ku u bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.

"Raportet me Serbinë duhet të normalizohen përmes marrëveshjes e cila duhet të bazohet në njohjen e ndërsjellë”, tha deputetja gjermane në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pas miratimit të rezolutës. Kjo është hera e parë që Parlamenti Evropian përmend me një rezolutë njohjen reciproke në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi.

Nga ana tjetër, raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Biliçek, tha se ai nuk ishte i lumtur që fjalia "njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi”, të përfshihet në rezolutë.

"Nuk isha i lumtur për këtë. Sidoqoftë, ekziston realiteti politik dhe shumica e vendeve anëtare e kanë njohur Kosovën. Dialogu tashmë është duke u zhvilluar me pjesëmarrjen e të dy palëve”, tha Biliçek.

Mosliberalizimi i vizave, dështim për Evropën

Mosliberalizimi i vizave serish ishte pjesë e raportit për Kosovën, ku sipas raportueses Viola von Cramon, "ky është një dështim për Evropën”. 

EU-Parlament Viola von Cramon Die Grünen

Viola von Cramon

"Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për të avancuar në reformat e lidhura me BE-në dhe është pozicionuar qartë si një partner i besueshëm, i fuqishëm i lidhur me aleancën evropiane dhe transatlantike. Për fat të keq BE-ja ka dështuar që të ofrojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj vërtetë se ky është raporti i fundit ku përmendet dështimi i liberalizimit të vizave”, tha Viola von Cramon.

Raportuesja për Kosovën në PE, tha se ky institucion evropian e mbështet anëtarësimin e Kosovës  në Këshillin e Evropës, ndërsa, shprehet skeptike për mundësinë që Kosova të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, për shkak se pesë vende të BE-së akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë disa herë ka deklaruar se në fund të këtij viti, Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për në BE.

Thirrje për Serbinë

Në rezolutën e miratuar në Parlamentin Evropian, pjesa për Serbinë ndërkaq, eurodeputetët evropianë i bëjnë thirrje Serbisë që "të tregojnë përkushtim real ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohet me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe politikat e sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”. Po ashtu autoriteteve në Beograd, u rikujtohet  përmes rezolutës që "progresi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën do të përcaktojë ritmin e negociatave për anëtarësim”.

Po ashtu në rezolutë përsëritet mbështetja për dialogun që po zhvillohet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe potencohet rëndësia e angazhimit konstruktiv në këtë dialog. Bëhet thirrje po ashtu për respektimin dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë edhe atë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Miratimin e raportit për Kosovën në Parlamentin Evropian, e mirëpriti ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

"Përshëndes raportin e Parlamentit Evropian dhe këto fjalë të qarta të Viola von Cramon për liberalizimin e vizave, reformat në sundimin e ligjit, zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe dialogun në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, shkroi Rohde në Twitter.