1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për Guantanamon nuk ka alternativë

Leon Stebe10 Janar 2006

Qeveria e ShBA hedh poshtë kritikat e kancelares Merkel

https://p.dw.com/p/Aqgi
Qeli izolimi në kampin e të burgosurve Guantanamo
Qeli izolimi në kampin e të burgosurve GuantanamoFotografi: AP

Qeveria e ShBA e ka refuzuar propozimin e kancelares gjermane, Angela Merkel për mbylljen e kampit të të burgosurve në Guantanamo të Kubës. "Të gjithë shpresojmë të arrijmë një pikë kur të mos kemi më nevojë për institucione të tilla. Por ky moment ende nuk ka ardhur" tha të hënën zëdhënësi i ministrisë së jashtme të ShBA, Sean McCormak duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve mbi deklaratat e fundit të Merkelit. Politikania kristiandemokrate pati deklaruar në një intervistë në prag të takimit me presidentin e ShBA, Xhorxh Bush të premten e ardhshme, se duhej gjetur një alternativë për Guantanamon. Në Gjermani kancelarja Angela Merkel ka marrë përgëzime nga të gjithë anët dhe forcat politike pas kritikave ndaj kampit të polemizuar të të burgosurve në Guantanmo të Kubës.

Ashtu siç pritej qeveria amerikane ka reaguar ftohtë dhe me qetësi ndaj deklaratave të Merkelit. Pak ditë përpara vizitës së parë zyrtare të Merkelit në ShBA si kancelare, ministria e jashtme amerikane e ka mbrojtur përsëri kampin e Guantanamos. Sean McCormak, zëdhënësi i kësaj ministrie, ka refuzuar qartë çdo kërkesë për mbylljen e kampit. Eshtë shumë herët të flitet për këtë, ka thënë McCormak duke shtuar se Guantanamo i shërben një qëllimi të caktuar dhe ekzistenca e tij ka një arsye:"Në të ndodhen individë shumë të rrezikshëm për shoqërinë," ka thënë zëdhënësi i ministrisë së jashtme amerikane.

McCormak në të njëjtën kohë ka paralajmëruar ndaj iluzioneve. Nëse të burgosurit e Guantanamos do të liheshin të lirë ata do të rifillonin menjëherë luftën. Raste të tilla ka patur. McCormak ka hedhur poshtë edhe kritikën ndaj trajtimit të të burgosurve. Ai ka saktësuar se ka një proçes ligjor i cili vlerëson rrethanat e burgimit. Ekziston edhe mundësia e pranisë 24 orë me rradhë të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në kamp. Por Guantanamo i shërben një objektivi të caktuar.

Këtë objektiv kritikojnë qeveritë dhe organizatat për të drejtat e njeriut në të gjithë botën. Ushtria e ShBA mban në kampin e të burgosurve rreth 500 terroristë të dyshuar. Shumë prej tyre ndodhen aty prej vitesh pa mbrojtje juridike dhe pa proçes gjyqësor. Shtëpia e bardhë vazhdon t'i konsiderojë të burgosurit, luftëtarë armiq dhe iu refuzon atyre të drejtat e robërve të luftës. Kancelarja gjermane Angela Merkel do t'a diskutojë këtë temë në takimin me presidentin Bush të premten e ardhshme por Uashingtoni ka bërë që tani të qartë se nuk sheh asnjë alternativë ndaj Guantanamos.