Opozita në Mal të Zi heq dorë nga rrëzimi i qeverisë | Ballkani | DW | 15.12.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Opozita në Mal të Zi heq dorë nga rrëzimi i qeverisë

Partitë opozitare në Mal të Zi hoqën dorë nga iniciativa për të votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së Zdravko Krivokapiq.

Opozita gjatë tërë kohës pohonte se për këtë iniciativë ka 41 deputetë nga 81 sa numëron Parlamenti i Malit të Zi, por siç duket nuk ia doli të sigurojë një votë nga partitë në pushtet, megjithëse nga këto të fundit u akuzua se ka zhvilluar bisedime te fshehta.

Sipas opozitës të kryesuar nga Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Millo Gjukanoviq ,,Arsyeja për tërheqje të nismës, ishte paralajmërimi i partisë në pushtet Fronti Demokratik pro serb, i cili ka paralajmëruar se do të dorezojë iniciativën për shkurtimin e mandatit të parlamentit. 

Fronti Demokratik  thotë, se do të kërkojë dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme mirëpo "këtë propozim nuk e  kanë pranuar partnerët e koalicionit qeverisës" dhe se Fronti nuk ka numrin e duhur për jetësimin e kësaj nisme. 

Kryeministri Krivokapiq: Dështimi i mocionit të mosbesimit fitore e qeverisë 

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Zdravko Krivokapiq. Pas dështimit të mocionit të mosbesimit ai në një konferencë shtypi tha, se  tërheqja e opozitës është fitore për qeverine që ai udhëheq. "Kjo është loja e atyre që tentuan që me korrupsionin politik të fitojnë vota”. Kryeministri ka thënë po ashtu se Partia Demokratike e Socialistëve ka shpenzuar  20 milionë euro në tentativë për të rrëzuar qeverinë.

Kryeministri i Malit të Zi ka thënë po ashtu se qeveria do të japë dorëheqje në fund të qershorit të vitit 2022, nëse nuk  realizohet buxheti. Ndërsa në parlament vazhdojnë akuzat e ndërsjellta ndërmjet opozitës dhe partive të koalicionit qeverisës dhe në rradhët e vetë koalicionit, kriza politike në Mal të Zi thellohet gjithnjë e më shumë. Qytetarët po ashtu janë të pakënaqur me punën e qeverisë.

Hulumtimet e bëra nga "Qendra për demokratizim dhe të drejtat e njeriut” të cilat u prezantuan nga drejtoresha Milena Beshiq dhe që kishin të bënin me  hulumtimin e opinionit  publik nga data 1 deri më 11 dhjetor 2021 treguan se një në tre të anketuar, respektivisht 33,1 % janë shumë të pakënaqur me punën e qeverisë. Po ashtu hulumtimet e bëra tregojnë, se Mali i Zi është duke shkuar drejt rrugës së gabuar dhe se në pyetjen se a duhen shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme 31,7 % e të anketuarve mendojnë se ato duhen shpallur sa më parë, ndërkohë që 26,2 % theksojnë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk duhet të shpallen.