1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinion: Boll me romantizmin transatlantik

Alexandra von Nahmen
7 Nëntor 2020

Si evropianë, priremi t'i idealizojmë SHBA si partnere. Ne duhet të heqim dorë nga kjo, sa më shpejt të jetë e mundur, pavarësisht se kush është Presidenti i SHBA, thotë Alexandra von Nahmen.

https://p.dw.com/p/3kych
Symbolfoto Verhältnis USA EU
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Kalaene

Me habi dhe nganjëherë e tronditur, Evropa vështron atë që po ndodh në SHBA. Vendi që konsiderohet djepi i demokracisë moderne po lëkundet. Në një kohë që votat ende po numërohen, presidenti në post flet tashmë për mashtrim elektoral. Politikanët evropianë po paralajmërojnë për një krizë të rrezikshme kushtetuese. Shumë nuk arrijnë ta kuptojnë, se ka edhe amerikanë që kanë vendosur të rizgjedhin Donald Trumpin.

Evropa qëndron e zhgënjyer, gjithashtu pak e fyer - dhe vret mendjen. Partneri i njohur transatlantik është bërë i huaj për ne gjatë katër viteve të fundit. Njerëzit do të kishin dashur t'ia kursenin vetes ankthin zgjedhor në SHBA. Një kthim në një formë të normalitetit, rivendosje e besimit të humbur dhe ju lutem sa më shpejt të jetë e mundur - kjo ishte dëshira në Berlin, Paris ose Madrid.

Llogaria si moto e politikës së jashtme të SHBA

Por në veçanti këto zgjedhje në SHBA tregojnë se nuk ka kuptim të idealizohet Amerika. Pikëpamja jonë e glorifikuar e këtij kombi, të cilit i pëlqen ta quajë veten "Qytet i Shndritshëm në një Kodër", është vjetëruar prej shumë kohësh, për arsye shumë të kuptueshme. Kjo ndodhi që nën Barack Obaman. Dhe kjo do të vlejë edhe nën Joe Bidenin.

Kurse Amerika gjithmonë ka pasur një qasje pragmatike ndaj partnerëve të saj. Ku i ndihmojnë ata interesat tona? Kjo është gjithmonë pyetja më e rëndësishme që preokupon politikën e jashtme amerikane. E vërtetë është që ekziston një lidhje e veçantë midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, një lidhje e bazuar në vlera të përbashkëta dhe histori të përbashkët. Natyrisht. Në të njëjtën kohë, megjithatë, Uashingtoni llogarit mjaft ftohtë, se cili është faktori kosto-përfitim i çdo partneriteti.

Një analizë e kthjellët ka rëndësi

Që nën Barak Obaman vëmendja e administratës amerikane u zhvendos në Paqësor. Në të ardhmen, konkurrenca me Kinën do ta mbajë Uashingtonin pezull. SHBA prej kohësh nuk dëshiron të jetë polic botëror. "Buy American" dhe "Hire American" ka të ngjarë të mbeten parulla të njohura për vitet që vijnë. Edhe Joe Biden - po e arriti fitoren - do të ketë kërkesa të qarta ndaj evropianëve, të cilat në thelb nuk do të ndryshojnë shumë nga ato të administratës Trump.

Alexandra von Nahmen
Alexandra von Nahmen

Sa më shpejt që ta pranojë Evropa këtë, aq më mirë. Edhe më mirë do të ishte të vepronim në përputhje me këtë. Pa dyshim, qëllimi i autonomisë strategjike për Evropën është larg. Sidoqoftë, nuk ka asnjë alternativë për të luajtur një rol më të madh gjeopolitik dhe për të marrë më shumë përgjegjësi vetjake për sigurinë evropiane.

Evropa duhet të zgjohet

Sigurisht, Evropa nuk mund të bëjë pa SHBA si partnere. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe përfitojmë nga njëri-tjetri. Por Evropa duhet të përballet me amerikanët me më shumë besim. Amerika përfaqëson një ushtri superiore, teknologji të lartë nga Silicon Valley dhe liri të pakufizuar. Por tani ajo nënkupton edhe pabarazinë e mundësive, derregullim të diskutueshëm të ekonomisë dhe kapitalizëm të shfrenuar.

Nuk ka asgjë të keqe të vazhdosh të duash shumë nga ato, me të cilat je mësuar me Amerikën. Ose që të admirosh historinë amerikane dhe optimizmin amerikan. Politikisht, për Evropën do të ishte më e dobishme të bënte llogari dhe të tregonte vetëbesim në marrëdhëniet me SHBA - dhe më pak fiksim te Shtëpia e Bardhë dhe te banorët e saj.