OKB:"Koha e duhur që palët t'i japin fund këtij konflikti
7 Prill 2026
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres , u ka bërë thirrje SHBA dhe Izraelit që të mos sulmojnë stacionet e energjisë në Iran apo infrastrukturën tjetër civile. Të tilla sulme do të shkelnin ligjin ndërkombëtar, tha zëdhënësi i tij, Stéphane Dujarric, në Nju Jork. "Edhe nëse një infrastrukturë civile e caktuar mund të klasifikohet si objektiv ushtarak, e drejta ndërkombëtare humanitare megjithatë do të ndalonte sulmet kundër tyre" nëse pritet të shkaktohet dëm "i tepruar" për popullsinë civile.
Është detyrë e një gjykate të vendosë nëse këto sulme duhet të klasifikohen si krime lufte, shtoi Dujarric. Në çdo rast, "ka ardhur koha që palët t'i japin fund këtij konflikti," kërkoi Guterres, sipas zëdhënësit të tij.
Trumpi kërcënon me shkatërrim të plotë të Iranit
Presidenti amerikan Donald Trump e ka kërcënuar Iranin me shkatërrimin e të gjitha urave dhe centraleve elektrike brenda disa orësh pas skadimit të ultimatumit të tij të fundit. Shtetet e Bashkuara mund të shkaktojnë "shkatërrim total" brenda katër orësh, deklaroi republikani.
Trump-i theksoi se ai "nuk ishte aspak i shqetësuar" që sulme të tilla mund të përbënin krime lufte. Afati që ai kishte vendosur për Teheranin për të hapur Ngushticën e Hormuzit, e cila është jetike për tregun global të naftës dhe gazit, skadon të mërkurën në orën 02:00, sipas orës gjermane.
Ndërkohë, ushtria izraelite paralajmëroi udhëtarët iranianë që të mos përdornin trenin në vendin e tyre. "Prania juaj në trenat dhe pranë shinat hekurudhore vë jetën tuaj në rrezik," shkroi ushtria në platformën X.
Votim mbi rezolutën që lidhet me Ngushticën e Hormuzit
Këshilli i Sigurimit i OKB-së gjithashtu do të trajtojë Ngushticën e Hormuzit sot. Është planifikuar një votim mbi një projekt-rezolutë të paraqitur nga Bahreini.
Në të u bëhet thirrje shteteve të përfshira të koordinojnë masat e tyre mbrojtëse për të kontribuar në sigurinë e udhëtimit të anijeve, sipas diplomatëve. Irani, nga ana e tij, duhet të ndalojë sulmet ndaj anijeve tregtare dhe atyre të ngarkesave.
Teksti i rezolutës ka qenë objekt i negociatave intensive për ditë me radhë. Bahreini fillimisht paraqiti një projekt-rezolutë sipas të cilës forca 'mbrojtëse' mund të përdorej për të siguruar udhëtimin e anijevbe përmes Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, vendet me të drejtë vetoje — Rusia, Kina dhe Franca — shprehën rezerva serioze. Si pasojë, javën e kaluar votimi u shty.