1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Një Plan Marshall për Afrikën

Rüdiger Maack28 Korrik 2004

Përse nuk duhen kampet e refugjatëve në Marok

https://p.dw.com/p/ArGl
Bregdeti në kufirin detar Marok-Spanjë
Bregdeti në kufirin detar Marok-SpanjëFotografi: AP

"Një anketë tregon që ideja për të mërguar në mënyrë të paligjshme dhe për të jetuar jashtë shtetit zë fill që në fëmijëri dhe kthehet në obsesion në moshën madhore. Prandaj ne përpiqemi të punojmë me fëmijë dhe të rinj, në mënyrë që këta të kuptojnë se vendi ka nevojë për ta dhe që Evropa dhe SHBA-ës të shihen si mjete për shkëmbime kulturore, ose për fitim dijesh dhe njohurish, por jo për strehim ekonomik."

Khalil Jmah është kryetar i një shoqate që përkujdeset për viktimat e mërgimit. Selia është në Khourigba, një qytet minatorësh në Marokun qendror. Prej këtej njerëzit mërgojnë kryesisht në Itali; shumë prej tyre kthehen në arkivole ose nuk kthehen më. Khalil Jmah dhe bashkëpunëtorët e tij përpiqen t'ua zgjidhin problemin në Marok. Për këtë qëllim ata tregojnë në shkolla filmime të tmershme me kufoma në ujë, me të vdekur, me familje që kanë humbur të afërmit e tyre. Ata zhvillojnë fushata publike, me anë të të cilave përpiqen të luftojnë kontrabandistët.

Që prej vitesh Evropa i mbyll kufijtë, izolohet dhe ashpërson mbikëqyrjen - rruga e gabuar për të ndalur mërgimin.

"Politika e represionit nuk do ta ndalë kurrë mërgimin e paligjshëm; për arsyen e thjeshtë që mafja e kontrabandimit të njerëzve do të gjejë metoda për t'iu përshtatur rregullave të sigurisë. Kur u pëforcuan masat e mbikëqyrjes në veri të Marokut përreth Tarifës, ata zgjodhën një rrugë tjetër përmes Kenitrës, në afërsi të Rabatit. Brenda një kohe të shkurtër atje u gjetën 35 të vdekur, që donin të niseshin që andej. Pasojë e kësaj politike mbikëqyrjeje është rritja e çmimeve dhe e fitimeve të kontrabandistëve si dhe rritja e rreziqeve për emigrantët."

Afrika kërkon t'i zgjidhë problemet e veta në Afrikë. 90 për qind e emigrantëve që përpiqen të mbërrijnë në Evropë nga brigjet e Marokut, janë marokianë. Për të zgjidhur problemin e tyre nevojitet një Plan Marshall, thotë Hiberto Malainine, kryetar i një shoqate marokiane:

"Ne jemi pjesë integrale e hapësirës strategjiko-ekonomike Evropë e madhe, i pëlqen apo nuk i pëlqen Evropës. Varfëria në fundin jugor të Evropës do të vazhdojë të krijojë probleme në qoftë se nuk lidhim një partneritet të hapur dhe të ndershëm midis Marokut dhe Bashkimit Evropian, në mënyrë që të ketë ndihmë për investime. Nevojitet një program urgjent për të krijuar vende pune. Me tërë policinë e botës nuk do të mund të ndalni njerëz të uritur dhe që duan të shkojnë në një vend ku shpresojnë një jetë më të mirë. Na duhet një Plan Marshall i Evropës për shtetet kufizuese jugore dhe veçanërisht për Marokun."