1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nimic lëvdon Maqedoninë për qendrimin për emrin

24 Shkurt 2010

Çështja e emrit të Maqedonisë gjendet një kohë të gjatë në axhendën ndërkombëtare andaj ky problem duhet të zgjidhet shpejt. Zgjidhja e këtij problemi veç rëndësisë domethënëse për Maqedoninë ka edhe implikim rajonal.

https://p.dw.com/p/MAHs
Metju Nimic në konferencë shtypi në Shkup
Metju Nimic në konferencë shtypi në ShkupFotografi: DW

Pjesë nga zgjidhja janë të njohura

Është koha e vërtetë që të zgjidhet problemi me emrin, ka deklaruar ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit Metju Nimic, pas takimit të zhvilluar me kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski. Nimici ka thënë se në Shkup nuk ka sjellë asnjë dokument apo plan të ri për zgjidhjen e problemit. “

"Siç e dini, gjatë viteve të kaluara, kam dhënë shumë propozime të cilat kanë qenë temë e negociatave dhe ende gjenden në tryezën e bisedimeve. Ato propozime mund të ishin pjesë e zgjidhjes së problemit. Pjesë nga zgjidhja tanimë janë të njohura, por prapë se prapë, nuk ka zgjidhje përfundimtare”, ka thënë Metju Nimic.

'Qëndrim konstruktiv nga autoritetet maqedonase'

Ai e ka vlerësuar si tejet konstruktive dhe serioze, qasjen e autoriteteve maqedonase për çështjen e emrit, e cila për ta ka edhe një domethënie kombëtare. Por kjo çështje ka edhe implikime në rajon dhe në Evropë, vlerëson Nimic.

“Kisha bisedime intensive për emrin.Vërejta një dëshirë të madhe për zgjidhjen e problemit . Shpresoj se në bazë të bisedimeve të zhvilluara në Shkup e më pas në Athinë, do ta intensifikojmë procesin, i cili ishte ngadalësuar muajt e fundit dhe do të shohim se a ka gjasa për zgjidhjen e çështjes së emrit, e cila po zgjat shumë në axhendën ndërkombëtare”, ka thënë Nimic.

Kapacitet i mjaftueshëm për zgjidhjen e problemit

Ai disa herë ka theksuar se zgjidhja e këtij problemi duhet të vijë shumë shpejt. Qeveritë e të dyja vendeve janë serioze dhe kanë kapacitet për të arritur marrëveshje të pranueshme. I pyetur nëse përveç çështjes së emrit a bisedohet edhe për identitetin dhe gjuhën e popullit maqedonas, Nimic u përgjigj:

“Gjatë bisedimeve kanë dalë edhe çështje të tjera, por ato janë dytësore në krahasim me çështjen e emrit” .

Pas qëndrimit dyditor në Maqedoni, ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic do të qëndrojë në Athinë, ku varësisht nga zhvillimi i bisedimeve do të varet nëse do të kthehet apo jo sërish në Shkup.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi