Në shtator bota mblidhet në Nju Jork | Bota | DW | 17.09.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Në shtator bota mblidhet në Nju Jork

Çdo vit në muajin shtator liderët e botës mblidhen për dy javë në selinë e OKB në Nju Jork, ku diskutojnë çështjet më të zjarrta të kohës dhe përpilojnë axhendën për vitin në vijim.

Sot fillon në Nju Jork sesioni i 74 i Asamblesë së Përgjithshme të OKB, president i të cilës është Tijjani Muhammad Bande. Sesioni hapet me mbledhjen e parë plenare, një minutë heshtje apo lutje dhe fjalimin e Presidentit Muhammad Bande.

Muhammad Bande pason në post Maria Espinozën, e cila „bëri dorëzimet" një ditë më parë. Në një konferencë shtypi Esponiza bëri bilancin e punës në postin njëvjeçar, drejtuese e sesionit të 73. Ajo largohet e kënaqur me punën e saj dhe të ekipit bërë lidhur me prioritetet që pati vendosur një vit më parë. „Dua të nxjerr në pah fushatën globale kundër plastikës, takimin e nivelit të lartë për forcimin e gruas dhe punën për avancimin e axhendës multilalaterale", tha Espinoza para gazetarëve. Pjesë e bilancit edhe bashkëpunimi me gazetarët. Ajo ka dhënë gjatë këtij viti në detyrë 250 intervista dhe 15 konferenca shtypi.

Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres vlerësoi punën e saj për multilateralizmin dhe afrimin e OKB me çdo njeri.

Në sesionin e 73-të që mbyllet të martën (17.09) në mesditë, Asambleja e Përgjithshme adoptoi 347 rezoluta. Rezoluta e fundit u adoptua të hënën më 16 shtator dhe kishte të bënte me „multilateralizmin si vlerë themelore e OKB". Asambleja është marrë sesionin që sapo u mbyll me 178 çështje, është mbledhur në 108 mbledhje plenare dhe 52 mbledhje jozyrtare.

Në Nju Jork mblidhen këtë muaj gjithë liderët e botës, të cilës sipas Sekretarit të Përgjithshëm do të merren me „çështje serioze dhe kritike".

Më 24 shtator fillon Debati i Përgjithshëm. Kryetarët e shteteve të 193 vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme do mbajnë një fjalim 15 minutësh. Sipas zakonit Brazili është vendi i parë që flet, pasuar nga SHBA dhe vendet e tjera me radhë.

Përveç fjalimeve, do të zhvillohen edhe pesë samite të nivelit të lartë për klimën, sigurimin shëndetësor universal, zhvillimin e qëndrueshëm, financimin e zhvillimit dhe samiti për zhvillimin e shteteve të vogla ishuj.