1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e Energjisë të BE me një plan urgjent për gazin

26 Korrik 2022

Shtetet e BE kanë rënë dakord për një plan urgjent për të reduktuar konsumin e gazit për dimrin e ardhshëm. Ky plan synon të reduktojë rreziqet që mund të rezultojnë nga një ndërprerje e plotë e dërgesave të gazit rus.

https://p.dw.com/p/4EfZT
Tubacione gazi
Fotografi: Jens Büttner/dpa/picture alliance

Presidenca çeke e Këshillit shkroi në Twitter se nuk ishte një "mision i pamundur". Përkundrazi, ministrat e Energjisë ranë dakord për një "marrëveshje politike”. Sipas burimeve të njëjta në Bruksel, atë e kundërshtoi vetëm Hungaria.

Kursime vullnetare prej 15 për qind

Marrëveshja kërkon që vendet anëtare të BE të kursejnë secili 15 për qind të gazit nga gushti i këtij viti deri në mars të vitit të ardhshëm. Kjo fillimisht është bërë në baza vullnetare dhe daton që nga drafti i planit të emergjencës të Komisionit Evropian javën e kaluar. Secili vend mund të vendosë vetë se si duhet të bëhen kursimet. Si vlerë krahasuese shërben mesatarja e viteve 2016-2021.

Pengesa të rëndësishme për objektivat e detyrueshme

Në raste urgjente, mund të vendosen edhe objektiva të detyrueshme të kursimeve. Për këtë parashikohet një pengesë e rëndësishme: të paktën pesë vende duhet t'i bëjnë thirrje Komisionit Evropian të veprojë në këtë drejtim dhe më pas, të paktën 15 vende që përfaqësojnë 65% të popullsisë duhet të bien dakord. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursul von der Leyen, në fakt synonte kompetenca të veçanta, në mënyrë që t'i impononte drejtpërdrejt objektivat e kursimeve.

Shumë përjashtime

Tubacione gazi
Fotografi: Janek Skarzynski/AFP/Getty Images

Kursimet e planifikuara kanë shumë përjashtime, kështu që plani i Komisionit Evropian është zbutur në disa vende. Përjashtimet kanë të bëjnë për shembull me vende si Spanja dhe Portugalia, si dhe me Qipron, Maltën dhe Irlandën, të cilët nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me rrjetin e gazit të një shteti tjetër anëtar. Ata mund të kursejnë më pak gaz, nëse duhet të kursejnë. Vendet në fjalë mund të kërkojnë gjithashtu të përjashtohen nga objektivat e detyrueshëm.

A duhet të kursejë më shumë Gjermania?

Përjashtimet nënkuptojnë gjithashtu se Gjermania ndoshta duhet të kursejë më shumë gaz se vendet e tjera për të shmangur,për shembull, kufizimet masive për industrinë, në rast të ndalimit të dërgesave ruse. Ministri i Ekonomisë Robert Habeck tha se kjo nuk ishte turp. Ai iu referua "gabimeve strategjike" të qeverive të mëparshme dhe varësisë së madhe të Gjermanisë nga gazi rus.

Gazprom shkurton sërish furnizimet

Masat e ekonomisë janë të motivuara kryesisht nga furnizimi i paparashikueshëm i gazit nga Rusia. Vetëm dje, grupi energjetik Gazprom njoftoi një reduktim të mëtejshëm të dërgesave të gazit përmes gazsjellësit Nord Stream 1. Nga nesër do të dërgohet vetëm rreth 20 për qind të kapacitetit të gazsjellësit çdo ditë. Sasitë e furnizuara aktualisht janë rreth 40 për qind. Arsyeja për këtë ulje është riparimi i një turbine tjetër. Sipas Agjencisë Federale të Rrjetit (BNA), megjithatë, nuk ka asnjë arsye teknike për këtë ulje të re.

aud (dlf, dw)