1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania mbështet sanksione të reja kundër Rusisë

31 Gusht 2022

BE ka vendosur tashmë shtatë raunde sanksionesh kundër Rusisë dhe duket se do të pasojë një raund tjetër. Nafta, burimi i të ardhurave të Rusisë, mund të jenë sërish në shënjestër.

https://p.dw.com/p/4GGp8
Nxjerrje nafte na Tatarstan, Rusi
Fotografi: Yegor Aleyev/TASS/dpa/picture alliance

Qeveria gjermane është angazhuar për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë pas agresionit kundër Ukrainës. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha në kuadër të një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Pragë se tashmë ishin bërë propozime për një paketë të tetë masash ndëshkuese.

Politikania e të Gjelbërve nuk e specifikoi se çfarë sanksionesh ishin. Ajo theksoi, megjithatë, se ishte e rëndësishme që të mbështeteshin sanksionet e vendosura kundër Rusisë - një aludim për mosmarrëveshjen e brendshme në BE për çështjen e masës, në të cilën vendet anëtare duhet të shkëputen nga energjia ruse.

Gjermania është një nga vendet që i ka vënë vetes synimin të jetë e pavarur nga burimet energjetike ruse, por nuk mund t'i zbatojë masat menjëherë për shkak të varësisë së lartë.

Një çmim tavan për naftën si opsion

Por edhe në rastin e një pakete të mundshme të tetë sanksionesh, faktori energjitik pritet të luajë sërish një rol të rëndësishëm – dhe kjo në lidhje me biznesin rus me eksportet e naftës. Me vende si Kina apo India, Rusia ka ende klientë të mëdhenj për burimet e saj të naftës.

Cisterne gazi te lengshem ne Sakhalin, Rusi
Fotografi: Sergei Krasnoukhov/dpa/TASS/picture alliance

Kjo është arsyeja pse një kufi ndërkombëtar mbi çmimin e naftës ruse mund të jetë pjesë e një grupi të ri sanksionesh. Një tavan i tillë nga njëra anë mund të ndihmojë në ndalimin e një rritjeje të vazhdueshme të çmimeve në treg dhe nga ana tjetër ta pengojë Rusinë të ketë të ardhura të larta në arkën e shtetit për shkak të çmimeve të larta të naftës.

Embargoja në vendet e BE-së do të zbatohet gradualisht

Në mënyrë që një kufi i tillë çmimi të respektohet nga ndërmarrjet tregtare, disa shërbime mund të kufizohen me kufij. Një skenar i mundshëm: kompanitë e transportit detar do të përjashtoheshin nga sanksionet - me kusht që nafta e transportuar nga deti të blihej me çmime fikse.

Vendet e BE-së janë angazhuar tashmë për të hequr gradualisht importet e naftës ruse: Nga fundi i këtij viti, anëtarët e BE nuk duhet të blejnë më naftë bruto nga Rusia. Nga shkurti, ata gjithashtu duhet të ndalojnë importin e produkteve ruse të naftës. Embargoja e naftës pritet të prekë gati 90 për qind të dërgesave ruse të naftës në Evropë.

aud (tgsch, dpa)