Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe SHBA-s mbeten të ftohta
5 Nëntor 2004Sipas sondazhe që u kryen në Gjermani dihet tashmë se sikur të kishin qënë gjermanët ata që do të kishin votuar, atëherë zgjedhjet presidenciale në SHBA-s do të kishin rezultate krejt të ndryshme. Shumica e gjermanëve do të kishte preferuar të shihte kandidatin demokrat, Kerrin, në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i vjetër dhe tani i riu, nuk gëzon ndonjë simpati të veçantë në Gjermani.
Por ja që amerikanët dhe jo gjermanët vendosën se kush do të jetë presidenti i tyre. Dhe tani pyetja kryesore është: Si po përgatitet Evropa "e vjetër" me Gjermaninë në mes, për 4 vitet e ardhshme?
Një gjë dihet që tani. Rizgjedhja e Xhorxh Bushit do të thotë për marrëdhëniet transatlantike vazhdimësi. Toni relativisht i ftohtë që zotëron prej 3 vitesh marrëdhëniet gjermano-amerikane, do të vazhdojë edhe disa vite të tjera. Edhe ndryshimet fundamentale mes Berlinit dhe Uashingtonit mbi vlerësimin e luftës në Irak do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe më tej. Por qeveria gjermane e ka pranuar ndërkohë se nuk mund të rrijë duke bërë sehir në Irak, por se duhet të angazhohet më shumë me Kombet e Bashkuara për rindërtimin e këtij vendi. Por gjatë vitit të kaluar edhe në rradhët e opozitës gjermane është bërë i qartë një fenomen interesant: Sa më shumë kohë që vazhdon lufta në Irak, sa më shumë kohë që vazhdon dhuna dhe kaosi aty, aq më të ulta janë bërë zërat e atyre politikanëve që dikur e mbrojtën me zell politikën e Uashingtonit në Irak.
Por megjithëse kritikat e ashpra kundër luftës së Irakut apo parullat anti amerikane janë bërë normale në jetën e përditshme të gjermanëve, nuk duhet harruar se SHBA-s dhe Gjermania qëndrojnë për të njejtat vlera dhe ideale. Për sa kohë që evropianët nuk pranojnë të kthehen në një superfuqi ushtarake, atyre nuk u mbetet asgjë tjetër përveç se t´i respektojnë veprimet e superfuqisë së vetme në botë, SHBA.
Evropianët duhet të gjejnë sa më shpejt një fill të përbashkët në politikën e jashtme, për ta luftuar kështu siç duhet terrorin ndërkombëtar. Sepse eksperienca e ka dëshmuar tashmë se fuqia rritet nëpërmjet partneritetit dhe jo konkurrencës.
Mbetet të shpresojmë se edhe qeveria amerikane e ka kuptuar këtë gjë dhe se presidenti Bush do të sillet gjatë 4 viteve të ardhshme më i kujdesshëm. Por nëse Uashingtoni vazhdon të marrë vetë çdo vendim pa biseduar më parë me partnerët ndërkombëtarë, atëherë marrëdhëniet transatlantike do të ftohen edhe më shumë.