1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Zgjedhjet pa incidente

22 Mars 2009

KSHZ vlerëson pozitivisht procesin zgjedhor. Në institucionet kompetente për vëzhgimin e procesit zgjedhor nuk janë paraqitur incidente, të cilat do të ndikonin në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

https://p.dw.com/p/HHM5
Qytetarë të Maqedonisë duke hedhur votën
Qytetarët e Maqedonisë hedhin votën për presidentin e ri të vendit dhe për kryetarët e komunave, Shkup 22 mars 2009Fotografi: AP

Pjesëmarrja e qytetarëve në votime, deri në orët e pasdites në zgjedhjet presidenciale dhe lokale në Maqedoni ka arritur në rreth 31.2 përqind. Kryetari i Komisionit shtetëror zgjedhor, Aleksandar Novakovski, e vlerësoi procesin zgjedhor si të mirë dhe pa incidente që mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ai thotë, se jehona e votuesve në orët e paraditës në krahasim me zgjedhjet e fundit parlamentare ka qënë shumë më e ulët. Një prej arsyeve ka qenë moti i keq me reshje dëbore. Edhe nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, duke u mbështetur në ankesat e arritura tek ky institucion thotë, se procesi zgjedhor mund të vlerësohet si i qetë dhe i rregullt.

Fëmijë me flamujtë e BE-së dhe Maqedonisë.
Zgjedhjet vlerësohen si test për të ardhmen evroatlantike të Maqedonisë.Fotografi: AP

“Ne konstatojmë dhe jemi të lumtur, se procesi zgjedhor deri në këto momente po realizohet mirë, nuk kemi incidente, nuk kemi ndonjë çështje me të cilën të jetë thyer procesi zgjedhor. Ka ndonjë anomali të vogël por, ato nuk mund të ndikojnë aspak në rezultatin përfundimtar,” thotë zëvendëskryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi.

Ljubomir Frckoski kandidat për president, duke hedhur votën- 22 mars 2009
Ljubomir Frckoski, kandidat për president, duke hedhur votën- 22 mars 2009Fotografi: AP


Organizata qytetare MOST, e cila ka monitoruar zgjedhjet me numrin më të madh të vëzhguesve, ka prezantuar në përgjithësi raporte incidente. Përveç vëzhguesve vendorë dhe të huaj, zgjedhjet janë monitoruar edhe nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian. Ambasadori i BE-së, Ervan Fuere, dhe ai i SHBA-së, Filip Riker, i kanë dërguar mesazhe qendrave të votimeve për mbarëvajtje zgjedhjesh demokratike meqenëse, siç kanë ritheksuar ata, këto zgjedhje paraqesin test për proceset integruese evroatlantike të Maqedonisë.

Rezultatet e para jozyrtare nga zgjedhjet presidenciale dhe lokale do të njoftohen diku pas mesnate.

Autor: Fatos Musliu / Shkup

Redaktoi: Aida Cama