1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëHungari

Magyar fiton bindshëm – Orbán pranon humbjen

13 Prill 2026

“E kemi çliruar Hungarinë”, u shpreh kreu i opozitës, Magyar. Partia e tij Tisza fitoi zgjedhjet në Hungari, me gjasa, me shumicën prej dy të tretash. Orbán e pranoi humbjen

https://p.dw.com/p/5C4UP
Peter Magyar duke valëvitur flamurin hungarez pas fitores
Pas numërimit të pothuajse 99 për qind të votave, partia Tisza e udhëheqësit të opozitës Peter Magyar kryeson dukshëm ndaj partisë Fidesz të kryeministrit Viktor Orbán.Fotografi: Denes Erdos/AP Photo/picture alliance

Pas zgjedhjeve të dielën, (12.04.) në Hungari pritet ndryshim qeverie:  Njoftohet, se pas numërimit të pothuajse 99 për qind të votave, partia Tisza e udhëheqësit të opozitës Peter Magyar kryeson dukshëm ndaj partisë Fidesz të kryeministrit Viktor Orbán. Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Zgjedhor, partia opozitare Tisza ka siguruar 138 nga 199 mandate dhe ka arritur 53,2 për qind të votave. Me këtë ajo siguron shumicën prej dy të tretash, që ka kufirin e 133 mandateve. Vetëm me një shumicë prej dy të tretash, Magyar mund të zbatojë reforma të gjera, sepse shumë ligje nuk ndryshohen dot me shumicë të thjeshtë.

Magyar: "E kemi çliruar Hungarinë”

Magyar deklaroi vonë në mbrëmje se, përballë mandatit të fortë që ka marrë, ndërrimi i pushtetit do të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe të qetë. "Bashkë e kemi rrëzuar sistemin e Orbánit, bashkë e kemi çliruar Hungarinë”, tha ai para dhjetëra mijëra mbështetësve të entuziazmuar në bregun e Danubit në Budapest.

"Sot fituam sepse hungarezët nuk pyetën se çfarë mund të bëjë atdheu i tyre për ta – por se çfarë mund të bëjnë ata për atdheun e tyre”, shtoi Magyar. "Ju e gjetët përgjigjen. Dhe vepruat sipas saj.” Hungaria do të jetë sërish një partner i fortë në BE dhe në NATO, premtoi Magyar.

Viktor Orbán largohet pas deklaratës së tij para përkrahësve të Fidesz
Viktor Orbán, e pranoi humbjen e partisë së tij. Ai e cilësoi rezultatin e zgjedhjeve si "të dhimbshëm”. Fotografi: Bernadett Szabo/REUTERS

Orbán: "Një rezultat i dhimbshëm”

Kryeministri aktual, Viktor Orbán, e pranoi humbjen e partisë së tij. Ai e cilësoi rezultatin e zgjedhjeve si "të dhimbshëm”. "Nuk na është besuar përgjegjësia dhe mundësia për të qeverisur. I kam uruar partisë fituese fitoren”, tha më tej Orbán.

Pas 16 vitesh Orbán rrëzohet nga pushteti. Partia e tij Fidesz siguroi 55 mandate, me një përqindje votash prej 38,3 për qind.

Partia e ekstremit të djathtë Atdheu Ynë (Mi Hazank) e kaloi pragun prej pesë për qind me 5,9 për qind të votave dhe fitoi 6 mandate. Asnjë parti tjetër nuk arriti të hyjë në parlament. Në përbërjen e re parlamentare nuk do të ketë parti të majta, të gjelbra apo liberale.

Dita e zgjedhjeve në Hungari u karakterizua nga një pjesëmarrje rekord në votime. Gjysmë ore para mbylljes së qendrave të votimit, 77,8 për qind e votuesve me të drejtë vote kishin hedhur votën e tyre, bëri të ditur komisioni zgjedhor në Budapest. Katër vjet më parë, në të njëjtën orë, pjesëmarrja kishte qenë 67,8 për qind.

DW/AG